Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Pse Spanja po refuzon njohjen e pavarësisë së Kosovës? – tregon profesori spanjoll

Marrë parasysh se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës kanë kaluar plot 15 vjet, për ligjëruesin në departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin “Autonoma de Madrid”, Ignacio Molina, do të jetë e vështirë për Spanjën që ta njohë Kosovën si shtet në një të ardhme të afërt.

Ndonëse Madridi zyrtar mund ta kishte njohur shtetësinë e Kosovës në dy raste të ndryshme në të kaluarën, refuzimi i ndryshimit të qëndrimit të shtetit spanjoll karshi pavarësisë së Kosovës, sipas hulumtuesit të lartë në Institutin “Elcano Royal”, është më shumë ligjore, sesa politike.

Arsyeja e vërtetë pse Spanja nuk e njohu Kosovën në shkurt të vitit 2008, argumenton Molina në një intervistë për Albanian Post, nuk ka të bëjë në asnjë mënyrë me justifikimin e Madridit se njohja e Kosovës mund të nxisë rajonet spanjolle të Katalonisë dhe Baskut të kërkojnë pavarësinë e tyre.

“Arsyeja ishte më tepër një kombinim i kulturës mbizotëruese midis këshilltarëve dhe studiuesve të së drejtës ndërkombëtare në Spanjë dhe kontekstit zgjedhor: në mars të vitit 2004 zgjedhjet e përgjithshme ishin vendosur në kontekstin e një sulmi brutal terrorist në Madrid të cilin opinioni publik e lidhi me pjesëmarrjen e Spanjës në luftën në Irak”, ka thënë fillimisht Molina për AP.

“PSOE [Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjoll] fitoi ato zgjedhje duke argumentuar se pjesëmarrja e Spanjës kishte qenë e paligjshme. Në Mars 2008 zgjedhjet u mbajtën përsëri dhe qeveria e atëhershme socialiste (me një ministër të jashtëm, posti i parë i të cilit si diplomat kishte qenë në Jugosllavinë e Titos) interpretoi se pavarësia e Kosovës gjithashtu shkelte ligjin ndërkombëtar sepse nuk kishte miratimin e Serbisë ose Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka shtuar ai.

Spanja në këtë fazë, shpjegon më tej Molina, mund të ndryshojë pozicionin e saj rigjid vetëm nëse Kosova dhe Serbia arrijnë një marrëveshje finale, ku Beogradi pranon ta njohë Prishtinën dhe kur për një gjë të tillë pajtohen dy partitë më të madhe në Spanjë – Partia e Popullit [PP] dhe Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjoll [PSOE].

Pasi njohja është larg, Molina beson se Spanja në raport me Kosovën duhet të adaptojë një qëndrim shumë më pragmatik dhe konstruktiv, njëjti si qasja e Greqisë e cila ani pse është në mesin e shteteve mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës, nuk e bllokon rrugën e kësaj të fundit në arenën ndërkombëtare si në rastin e Këshillit të Evropës ku shteti helen abstenoi kur Komiteti Ministror votoi për t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të KiE-së kërkesën për anëtarësim të Kosovës në këtë organizëm ndërkombëtar.

“Pa e njohur zyrtarisht Kosovën si shtet, Spanja mundet (dhe duhet) ta zbusë qëndrimin e saj. Duhet të shkojë drejt qasjes fleksibël të Greqisë dhe normalizimit të pranisë së saj në Kosovë pa një ambasadë zyrtare. Spanja duhet të jetë mike e Kosovës dhe të përpiqet të përdorë përpjekjet e saj diplomatike për të ndihmuar të bindë Serbinë se një zgjidhje përfundimtare është e nevojshme. Asnjëherë nuk duhet të përpiqet të shqetësoj vendin e vogël e të ri me një qëndrim intransigjent, ashtu siç duket ndonjëherë”.

LAJME TË TJERA >>