Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Pse pretendimet e Rusisë (Putinit) për Ukrainën dhe Krimenë nuk kanë bazë historike

Mendrit Shehu– Pavarësisht nga pretendimet e Putinit se shteti i Ukrainës nuk ka ekzistuar kurrë (por u krijua artificialisht nga Lenini) dhe se ukrainasit dhe rusët janë i njëjti komb, faktet historike tregojnë se ukrainasit jo vetëm që janë një komb i ndryshëm nga kombi rus, por se historia shtet formuese e ukrainasve dhe shteti i Ukrainës janë më të vjetra se historia shtet formuese e rusëve dhe shteti Rus.

Kur ne themi Rus direkt mendojmë për sllavët lindorë. Por fjala “rus” nuk vjen nga sllavishtja. Dihet se kjo fjalë është emri i një prej fiseve vikinge që dominonin në rajonin ku jetonin popujt sllavë lindorë në shekullin e 9-të, përkatësisht Ukraina e sotme, pjesërisht Bjellorusia dhe Perëndimi i Rusisë, natyrisht jo gjeografia e Rusisë së madhe të sotme.

Këta vikingë, të quajtur “Rus”, krijuan principata duke kontrolluar popujt vendas sllavë. Vikingët, të cilët u përzien me njerëzit vendas me kalimin e kohës, u dhanë emrin e tyre këtyre komuniteteve. Prandaj, populli i vjetër sllav lindor ose rusët e lashtë nuk janë vetëm rusët e sotëm. Populli Ukrainas dhe Bjellorus gjithashtu kanë të njëjtat rrënjë historike. Në fakt, Principata e lashtë Ruse ishte më e fortë në Kiev, ku jeton sot populli ukrainas.

Dinastia Rurike e Kievit e krijuar në vitin 882 (pas pushtimit të Kievit nga Olegu i Novogradit) ishte vazhdimi i dinastisë Rurike të Novogradit e cila u krijua nga Princi Viking, Varangian Rurik, i cili pushtoi Novgorodin në vitin 862 pas erës sonë. Pas shpërbërjes së Dinastisë së Kievit në mesin e shekullit të 13-të, nga Mongolët (Hordhia e Artë), shteti më i fuqishëm Rus u bë Dukati i Moskës që, së bashku me Principatën e Novgoradit, vendosën bazën e Kombit modern Rus.

Shfaqja e shtetit të sotëm rus ndodhi në një proces shumë të gjatë. Që nga lindja e tyre, principatat e lashta ruse vendosën marrëdhënie të ngushta me fiset turke që dominonin në veri të Detit të Zi. Fillimisht, ata ishin nën sundimin e Khazarve. Edhe princi i parë rus Svyatoslav, i cili mundi Khazarët, përdori titullin turk “Kağan” si simbol të pavarësisë së tij. 

Që nga kohërat e lashta, stepat e mëdha në veri të Detit të Zi kanë qenë nën dominimin e fiseve turke si Khazarët, Peçenegët, Oghuzët dhe Kipçakët. Rusët e vjetër jetonin në një shtet prej 10-12 principatash. Historia e rusëve të lashtë, nga të cilët do të formoheshin më vonë popujt rus, ukrainas dhe bjellorus, u ndërthur me fiset turke. Në fakt, marrëdhëniet e këtyre popujve, filloi të paktën 800 vjet para vendosjes së marrëdhënieve osmano-ruse. 

Eposi më i rëndësishëm i sllavëve lindorë dhe, në këtë drejtim, i rusëve, është Eposi i Skuadronit të Igorit, dhe ai tregon për kapjen e një princi të quajtur Igor nga Kipçakët në shekullin e 12-të.

Rusët dhe Krishterimi

Duhet theksuar se rusët e lashtë për të cilët po flasim nuk janë rusët e sotëm. Sigurisht, ndikimi i krishterimit është i madh në krijimin e historisë dhe origjinës se tyre, dhe ky detaj lidhet fort dhe drejtpërdrejtë me Bizantin.

Ekziston një histori klasike për konvertimin e rusëve të lashtë në krishterim në kronikat e tyre: Knyaz (Knez) Vladimir ose Volodymyr (i cili kishte qindra konkubina) mendoi se do të ishte diplomatikisht e dobishme të pranonte një fe të arsyeshme.

Ai fillon të hulumtojë fetë monoteiste. 

Së pari, ai thërret një imam nga tartarët e Vollgës për të shpjeguar Islamin. Kur e dëgjon, i pëlqen Islami dhe vendos të bëhet mysliman. Por kur dëgjoi se alkooli ishte i ndaluar, ai e kthen imamin duke i thënë: “Nuk bëjmë dot pa alkool”. 

Ai dëgjon priftërinjtë gjermanë – nga krishterimi katolik romak – por i konsideron ata shumë të mërzitshëm. 

Pastaj dërgon dy përfaqësues në Kostandinopojë. Këta përfaqësues habiten kur shohin Aja Sofinë. Ata mësojnë për Ortodoksinë. Me të mbërritur, ata ndajnë admirimin e tyre me princin dhe kështu rusët hyjnë në fenë e Bizantit. Pra, jo vetëm se ata bëhen të krishterë, por hyjnë edhe në orientimin bizantin. 

Ashtu si lidhjet kulturore që turqit krijuan me arabët pas konvertimit të tyre në Islam, edhe rusët u përfshinë me kulturën greke. Alfabeti cirilik që përdoret sot është një alfabet i krijuar nga Bizanti për sllavët. Kultura greke është bërë një nga vlerat më të rëndësishme të popujve rusë. Nga njëra anë, një vijë e mprehtë u hodh kundër botës katolike.

Hordhia e Artë, Mongolët dhe Tartarët

Në fillim të viteve 1240, perandoria e krijuar nga Genghis Khan kishte avancuar në Hungari. Genghis Khan ishte fillimisht një prijës mongol, por ushtria e tij gjithashtu kishte shumë më tepër elementë turq dhe/ose mongolë myslimanë. Në më pak se 50 vjet, perandoria e Genghis Khan, e cila ishte e paprecedentë në histori, në fakt u nda në katër pjesë ku një nga këto pjesë ishte dhe Hordhia e Artë. 

Hordhia e Artë, kishte nën kontroll vendet e Dasht-i Kipchak, të gjitha vendet ruse, Ballkanin verior, pjesët veriore të Turkistanit dhe Kaukazin e Veriut. Saray në lumin Vollga ishte kryeqyteti i tyre. Pa kaluar 50 vjet nga krijimi i Hordhisë së Artë, ajo u turqizua dhe u islamizua plotësisht. Madje dhe monedhat e Genghis Khanit janë gjithashtu në arabisht. Ai nuk ishte musliman, por në të gjitha monedhat e tij ishte shkruar “La Ilahe Illallah”.

Populli origjinal i Hordhisë së Artë, të cilët ishin turq dhe myslimanë kipçakë, u quajtën “tatar” nga të krishterët dhe arabët. Me pak fjalë, komunitetet ruse jetuan në Hordhinë e Artë, domethënë nën sundimin mysliman dhe turk, për 200 vjet. Vendi që ne e quajmë sot Hungari ishte nën sundimin e Hordhisë së Artë për afro 10 vjet, dhe Bullgaria për 100 vjet. 

Sot, nëse i hiqni fjalët me origjinë turke nga rusishtja, kjo gjuhë do të privohet nga fjalët e saj më të rëndësishme. Fjala “Kremlin” vjen nga fjala turke kipçake “kermen” (kala). Fjala ruse “deneg”, që do të thotë para, vjen nga monedha e Hordhisë së Artë. Ata ende e përdorin këtë fjalë. Fjalë të tilla sot janë të panumërta. 

Gjatë shekullit XII, Principata e Moskës ishte e vogël dhe e parëndësishme në krahasim me principatat e Kievit dhe Vladimirit. Pavarësisht kësaj , ishte Moska ajo që u ngrit pasi Khanët e Hordhisë së Artë caktuan principatën më besnike, pra Moskën, për mbledhjen e taksave dhe komandimin e ushtarëve

Për këtë arsye, ngritja e Moskës dhe shndërrimi i saj në principatën më të fuqishme ruse u mundësua plotësisht nga Hordhia e Artë. 

Për arsye se ne fenë Islame ndalohet konvertimi me dhune, Rusët, të cilët jetuan nën sundimin e Islamit dhe turqve për 200 vjet, nuk u konvertuan në Islam nga Hordhia e Artë dhe, në mënyrë paradoksale, kristianizimi u rrit midis tyre. Gjithashtu Khanët e Hordhisë së Artë kishin marrë nën mbrojtjen e tyre Kishën Ortodokse. Pikërisht gjatë kësaj periudhe Kisha, mori pushtet dhe mundi të përfshinte bashkësitë sllave që ende nuk ishin bërë të krishtera. 

Të gjitha principatat ruse, veçanërisht Moska, nga e cila do të dilte Rusia e sotme, ishin nën dominimin absolut të Khanit të Hordhisë së Artë. Gjurmët e kulturës orientale shihen qartë në gjuhën dhe veshjet e rusëve. Edhe vargjet e Kuranit shiheshin në helmetat ruse të shekullit XVI. Ky ishte thjesht manifestim i një tradite apo mode kulturore.

Rrjedhimisht nuk kemi te bëjmë me një asimilim te popullatës se krishtere pasi historia do tregonte sot se në vend të rusëve do të kishte vetëm myslimanë bionde me sy blu. Megjithatë, kur Rusia mori tokat e Hordhisë së Artë, do të bënte të kundërtën. 

Mjafton të lexosh Ibn Batutën për të parë se çfarë ishte Hordhi i Artë. Ai kishte udhëtuar në të gjithë botën në atë kohë. Duke e krahasuar qytetin e Sarajit me Kostandinopojën, Bagdadin, Kordovën, Damaskun, Mekën, Medinën dhe Kinën, ai thotë: “Nuk kam parë kurrë një qytet të tillë”. Por sot nuk mund të gjejmë as një copë gur nga ky qytet në tokë. Gërmimet po bëhen por jo të mjaftueshme. Kishte Xhami të panumërt, medrese, imarete dhe vepra të tjera publike, kishte Pallatin e Vjetër që kishte arritur një nivel të madh prosperiteti nga tregtia.

Historia pas Hordhisë së Artë

Kur Perandoria e Hordhisë së Artë, u shpërbë, u krijuan shtete të tilla si Khanati i Kazanit, Khanati i Krimesë dhe i Hadjitarhanit (Astrakhan). Tani që ka më shumë se një Hordhi të Artë, u ngrit çështja se si mund të përfitojë Moska nga konfliktet mes tyre. Në fakt, duke ndërruar herë pas here aleancat, Principata e Moskës arriti t’i hiqte rrugës, madje më në fund arriti pavarësinë e saj. Në shekullin e XVI, rusët morën Khanatin e Kazanit dhe të Hacıtarhanit.

Kjo nuk ishte diçka që dikush mund ta kishte parashikuar. Tani gjërat po ndryshonin.

Megjithatë, deri në shekullin XVIII, dukati i Moskës, ose Rusia siç fillohej të quhej, sigurisht që nuk ishte më e fortë se Khanati i Krimesë dhe vazhdoi t’i paguante haraç (taska). Rusët i vendosën marrëdhëniet e tyre me osmanët tërësisht përmes Khanatit të Krimesë deri në fund të shekullit XVII dhe marrëdhënia e drejtpërdrejtë e Moskës me Perandorinë Osmane ishte e mundur vetëm me Marrëveshjen e Bakhchisaray në 1681.

Murtaja, jo Timuri, shkatërroi Hordhinë e Artë

Emiri i Timurit, turk, kishte një marrëdhënie dashuri-urrejtje me Toktamış Khan të Hordhisë së Artë. Por ai nuk kishte legjitimitet khanati me gjithë fuqinë e tij të jashtëzakonshme, pasi nuk e kishte prejardhjen nga Xhengiz Han. Për këtë arsye nuk mundi të përdorte kurrë titullin ‘Han’, por mbante gradën ‘Emir’. Prandaj, Toktamış Khan, një anëtar i dinastisë së Xhengiz Hanit, nuk pranoi ta ndiqte atë.

Ndërkaq, Timurit nuk i interesonin principatat ruse, në fakt askujt nuk i interesonin!

Historianët perëndimorë janë të interesuar vetëm për Hordhinë e Artë në lidhje me Rusinë, duke lënë mënjanë strukturën dhe historinë e saj. Sidoqoftë, vendet ruse nuk ishin gjë tjetër veçse rajone në skaj të dominimit të Hordhisë së Artë. Orientimi dhe drejtimi i Hordhisë së Artë dhe toka e vërtetë e fuqisë ishte fisi Idil (Volga), ku u zhvilluan betejat për pushtet. 

Princat rusë jetonin jashtë sferës së pushtetit. Nuk ishte e mundur që Timuri të parashikonte se principatat ruse do të bëheshin një shtet i madh shekuj më vonë. Nëse dikush do të thoshte se kjo do të ndodhte, do të trajtoheshin si të çmendur. Si do të reagonit nëse dikush do të thoshte se Shqipëria një dite do te pushtoje dhe do shndërrohet ne një perandori botërore?

Askush nuk mund ta kishte menduar se rusët do të krijonin një shtet të madh në shekullin e XIV dhe ndoshta në ato kohë, Timur nuk e dinte saktësisht se ku binin principatat ruse.

Hordhia e Artë u godit rëndë nga pushtimi Timurit dhe më e rëndësishmja, toka të mëdha u boshatisën në stepat e Kipçakut, gjë që hodhi themelet për zhvillime të mëtejshme. Në atë kohë, kishte luftime të përgjakshme për fronin dhe ngjarje të paqëndrueshme brenda Hordhisë së Artë si dhe tronditjen më të madhe Hordhia e Artë e mori nga epidemia e murtajës që shpërtheu në mesin e shekullit të XIV. Asnjë luftë nuk ka bërë një masakër kaq kolosale.

Si ndikoi ngritja e Principatës së Moskës në fatin e khanateve turke në rajon?

Ishte shumë e rëndësishme për rusët që të merrnin Kazanin. Burrat që ata i quanin tatarë shiheshin si të pathyeshëm. Marrja e kryeqytetit të tyre mund të ishte vetëm një ëndërr për rusët. Kjo ngjarje ishte po aq e rëndësishme për ta sa pushtimi i Kostandinopojës nga Sulltan Mehmeti (Fatihu). 

Në vitet 1550, Principata e Moskës në kohën e Ivanit IV (Ivani i Tmerrshëm), pushtoi Khanatet e Kazanit dhe Hadjitarhaitn (Astrakhan) dhe zbarkoi për herë të parë në Vollgë. Pas kësaj ngjarjeje, rolet në histori ndryshuan.

Sot, kur përmendet Vollga, të vjen drejtpërdrejt në mendje Rusia. Megjithatë, në shekullin e XIV dhe më parë, ajo identifikohej me islamin ose turqizmin. Pasi Principata e Moskës mori Khanatin e Kazanit, ajo e rrafshoi Kazanin për tokë.

Trashëgimia nga Xhamia e Kazanit Kul Sharif në Kazan u shkatërrua nga pushtimi rus në 1552. Kul Sharif, i cili ishte imam poet dhe i dha emrin xhamisë, u martirizua duke luftuar kundër rusëve. Ajo u rindërtua dhe u hap për adhurim në vitin 2005, në 1000 vjetorin e Kazanit.

Kishte një proces të tillë masakre në Kazan, saqë Kazani u ndalua për myslimanët deri në fund të shekullit të XVIII. 

Kazani ishte një qytet i bukur, por për fat të keq, nuk do të gjeni asgjë të mbijetuar atje sot, përveç disa mbetjeve të gërmuara. Kur mendoni për Moskën, gjëja e parë që ju vjen në mendje është Katedralja e Shën Vasilit (Vasily Blajenny) në Sheshin e Kuq. Ky tempull i famshëm u ndërtua midis 1555-61 pasi Kazan u pushtua nga Ivan i Tmerrshëm. Ka tetë kulla. Thuhet se këto tetë kulla janë ndërtuar kështu në krahasim me tetë minaret e xhamisë Kul Sharif në Kazan, apo edhe të ndërtuara si ajo.

Sidoqoftë, në gjysmën e dytë të shekullit të XVIII, në kohën e Ekaterinës II, xhamia e parë u lejua të ndërtohej në Kazan. Në këto dy shekuj kishte kristianizim të detyruar. Për më tepër, ata që shpëtuan nga luftimet, për fronin e Hordhisë së Artë dhe me principatat ruse, me kohë ishin konvertuar në të krishterë.

Kur gërmojmë historinë e rusëve del islami, dhe kjo gjë nuk u pëlqen shovinistëve dhe ideologëve zyrtare rus!

Paraardhësit e shumë fisnikëve rusë ishin myslimanë dhe ky fakt nuk u pëlqen rusëve shovinistë, ashtu siç nuk i pëlqen myslimanëve të kujtojnë faktin që Mimar Sinani ka qenë fillimisht i krishterë. Islami dhe kultura ruse janë shumë më të ndërthurura nga sa mund të mendohet.

Carizmi dhe fuqizimi  i Rusisë.

Carizmi u shfaq në shekullin e XVI. Në traditën evropiane, ekzistonte një kurorë romake perëndimore dhe një kurorë romake lindore. Me pushtimin e Konstandinopojës nga Osmanet, u përhap bindja se kurora romake lindore mbeti pa zot. Ai pretendonte se kurora që mbeti bosh, ishte e drejta e tij, pasi Principata e Moskës ishte i vetmi shtet i pavarur ortodoks. Bazuar në traditën e Romës, ai filloi të përdorë fjalën “tsar” (“car”), një zëvendësim për fjalën “cezar”. Pretendonte që Moska ishte Roma e Tretë. Por në atë kohë askush nuk i merrte seriozisht këto retorika.

Rusia fitoi fuqi duke përfituar nga lufta midis shteteve turke dhe myslimane në lindje dhe jug, dhe rënien e Poloni-Lituanisë në perëndim. Ai pushtoi toka të reja, zhvilloi një politikë ri sistemimi që synonte të përdorte rritjen e popullsisë në një mënyrë pozitive. Elementi që i bën rusët të përhershëm në këtë rajon është politika e tyre e vendbanimeve. Mund të themi se stepat e zbrazura nga luftërat mes shteteve turke/myslimane hapën rrugën për ta. Natyrisht u ndihmua dhe nga paaftësia e khanatëve të tjerë, përveç Khanatit të Krimesë, për të stabilizuar forcat e tyre nomade në vendbanime te qëndrueshme.

Ashtu si kuptimi i myslimanëve për luftën në emër të Islamit, ata gjithashtu po i bënin këto pushtime nën pretendimin e ngritjes së flamurit të Jezusit. Rusët, të cilët arritën të mbushnin stepat, të cilat humbën popullsinë për arsye të ndryshme, me bujkrobër dhe elementë të tjerë, transformuan ekuilibrin e popullsisë në rajon dhe hodhën themelet e politikave të tyre të ardhshme të rusifikimit. Në fund të shekullit të 16-të, kufiri midis Principatës së Moskës dhe Khanatit të Krimesë ishte 100-200 kilometra në jug të Moskës. Kjo mund të tingëllojë si fantazi, por është e gjitha e vërteta historike. Ata luftuan me këdo që të ishte e mundur dhe vazhdimisht i lëviznin këto poste një hap më tej në jug dhe në lindje. Kjo është në thelb se si ato u përhapen. Kështu, popullsia në rajon ndryshoi gradualisht kundër turqve. Sot, kur një vend i lashtë turk si Krimea paraqitet si toka e domosdoshme dhe historike e Rusisë, shumë prej atyre që nuk e njohin historinë, nuk e kanë problem ta gëlltisin këtë përrallë.

Ëndrra Ruse E Stambollit.

Khanati i Krimesë ishte një shtet i fuqishëm, aq sa deri në Traktatin e Karlowitz-it në 1699, Poloni-Lituania i paguante haraç Khanatit të Krimesë. Në këtë kohë, shqetësimet kryesore të Perandorisë Osmane ishin ndaj Habsburgëve dhe Safavidëve. Për ta, politika e jashtme e Rusisë nuk ishte ende e rëndësishme. Perandoria Osmane i vendosi marrëdhëniet me rusët nëpërmjet khanëve të Krimesë për një kohë të gjatë. Khanët e Krimesë gjithashtu e shihnin rajonin rus si një fushë veprimi. Ata shkonin çdo vit në ekspedita, duke mbledhur plaçkë dhe robër.

Por në fillim të shekullit të 18-të, Devlet Geray Khan II i Khanatit të Krimesë, e kuptoi rrezikun rus. Deklarata e tij, “Nëse nuk i kushtojmë vëmendje këtyre, nesër mund të humbasim edhe Krimenë” është shumë e rëndësishme. Stambolli nuk ishte i interesuar për këto fjalë. Edhe në mesin e personaliteteve osmane, kishte nga ata që pretendonin se këto shprehje ishin të ekzagjeruara dhe se Khani i Krimesë po përpiqej të shtrembëronte marrëdhëniet midis Rusisë dhe Osmanëve për të ndjekur interesat e tij. Veriu i Detit të Zi nuk ishte fokusi kryesor i Shtetit Osman në atë kohë. Ndërsa Rusia po përparonte gradualisht dhe sistematikisht në jug, ushtritë e Khanatit të Krimesë po dërgoheshin kundër Safavidëve. Përveç kësaj, në atë kohë, kishte ekuilibra të ndryshëm socio-ekonomikë që si Perandoria Osmane ashtu edhe Khanati i Krimesë duhej të respektonin. Osmanët nuk dolën realisht ballë për ballë me Rusinë deri në shekullin e 18-të, kur politika e tyre e jashtme u formësua për t’u zhvendosur në jug.

Pjetri I (Pjetri i Madh), ose Pjetri i çmendur siç e quanin osmanët dëshironte të arrinte të pamundurën, dëshironte ta kthejë tokën që nuk ka dalje në det në një ‘shtet detar’. Kur Pjetri I erdhi në pushtet, Perandoria Osmane ishte në luftë me fuqitë perëndimore. Ai mendoi se kjo është një mundësi dhe mendoi se do të fitonte nëse do të merrte pjesë në koalicionin antiosman. Kështu filloi ëndrra ruse e Stambollit. Më parë, ideja se Principata e Moskës do të merrte Stambollin mund të kishte qenë vetëm qesharake. Pjetri I, një sundimtar jashtëzakonisht i pamëshirshëm, ishte në gjendje të bënte ndryshime radikale të jashtëzakonshme për ta sjellë Rusinë në nivelin e shteteve të Evropës Perëndimore dhe Qendrore që ai i admironte ushtarakisht, burokratikisht dhe teknologjikisht. 

Fillimisht merr Azovin, një nga kështjellat më të rëndësishme të osmanëve, pra hambarin e Stambollit. Perandoria Osmane dhe Khanati i Krimesë u tronditën nga kjo ngjarje. Pas kësaj, objektivi i ri dhe i vërtetë i Pjetrit I ishte Stambolli. Ende sot ka nga ata, (elita në pushtet e Rusisë) që ëndërrojnë një perandori të fuqishme ruse. Ne nuk mund ta kuptojmë Rusinë pa kuptuar logjikën mbizotëruese shtetërore ruse për shekuj me rrallë.

Myslimanët, sot në Rusi

Llogaritet se janë rreth 20 milionë, por nuk është e lehtë të llogaritet numri i saktë i tyre. Pasi erdhi Putini, ai bëri atë që nuk e bënë as sovjetikët, hoqi kombësinë nga certifikatat e lindjes. Qëllimi i kësaj, natyrisht, ishte të parandalonte unifikimin e identiteteve kombëtare të kombeve jo-ruse dhe të përshpejtonte asimilimin e tyre midis rusëve. Administrativisht, Federata Ruse përbëhet nga njësi etno-kombëtare dhe njësi territoriale (d.m.th. provinca të zakonshme

Putini ka deklaruar gjithmonë hapur se synon t’i shfuqizojë këto njësi etno-kombëtare dhe t’i kthejë të gjitha njësitë administrative në provinca të zakonshme të një shteti unitar. Në çdo rast, Islami është shumë i rëndësishëm për Rusinë. 135 vjet më parë, İsmail Bey Gaspıralı tha: “Rusia është shteti më i madh ortodoks dhe i krishterë në botë, por është gjithashtu një nga shtetet më të mëdha islamike në botë.”

A rrezikohen nga pushtimi Rus vende të tjera përveç Ukrainës?

Sigurisht që po. Sipas Putinit dhe pasuesve të tij, fatkeqësia më e madhe e shekullit të 20-të ishte rënia e Bashkimit Sovjetik. Ata e shohin atë si një tragjedi. Shpërbërja e kësaj diktature totalitare ishte një tragjedi, jo katastrofat kolosale që përjetoi bota në shekullin e 20-të dhe vrasjet e tmerrshme masive të kryera nga vetë Bashkimi Sovjetik!
Sipas Putinit, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte e paligjshme. Kjo do të thotë se gjendja e tanishme, e paligjshme sipas logjikës perandorake, duhet të bëhet “e ligjshme”, pra të rikthehet!

Riokupimi i Krimesë në vitin 2014 ishte një nga hapat e parë të kësaj politike. Pasi morri Krimenë, sot do Ukrainën dhe Kievin, “qendra historike ruse”, sepse pa Ukrainën, Rusia është një shtet i madh, por jo një Perandori. Pasi të marrë Ukrainën, do të pretendojë Moldavinë, Republikat e Kaukazit dhe Republikat e Azisë Qendrore.

Për sa kohë që Rusia mbetet një fuqi e madhe me ambicie perandorake, ajo është një kërcënim për Evropën, Lindjen e Mesme, Kaukazin, Azinë Qendrore dhe Turqinë. Duhet mbajtur parasysh se Rusia aktualisht edhe sot është një “perandori”. Çfarë tjetër mund të jetë një vend, që shtrihet nga Kamçatka në Oqeanin Paqësor deri në Königsberg (Kaliningrad) në bregun e Baltikut, dikur qyteti i fronit të Prusisë? 

Ata që mendojnë ndryshe nuk janë të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet Rusia, për arsye të historisë së saj dhe logjikën e mentalitetit të vjetruar që dominon të tashmen e saj. Natyrisht rreziku nuk është populli rus, i cili ka të njëjtat karakteristika themelore njerëzore si çdo popull në botë, por strukturat diktatoriale dhe mentalitetet që përfaqësojnë, të cilat përpiqen të mbulojnë dhe legjitimojnë dominimin e tyre mes pushtimeve, dhe shantazhimit të popujve dhe shteteve të cilat dikur ishin pjesë e  Perandorisë Cariste ose Bashkimit Sovjetik.

Shënim: Informacioni me karakter historik i këtij shkrimi u bazua në studimet historike të Prof. Dr. Hakan Kirimlin, ekspert i historisë së Krimesë.

LAJME TË TJERA >>