Inteligjenca artificiale (IA) mund të automatizojë detyra të zakonshme dhe që kërkojnë kohë.
A janë këto teknologji të reja një plumb i argjendtë për disa nga faktorët më të këqij të burnout(ezaurimi) – apo mund ta përkeqësojnë punën e tepërt?
Që nga fillimi i përdorimit të ChatGPT për publikun në nëntor 2022, punonjësit janë grumbulluar në platformë; burimet e mediave sociale janë të mbushura me këshilla se si të përfshini mjetet e IA në procesin e punës; dhe disa kërkime të hershme kanë treguar tashmë se IA gjenerues, çon në rritje të produktivitetit dhe rritje të kënaqësisë në punë.
Gjetjet nga Raporti i Tendencave të Punës 2023 të Microsoft-it, i bëjnë jehonë këtij emocioni, duke sugjeruar se këto mjete do të lehtësojnë ngarkesat e rënda të punës dhe potencialisht, do t’i ndihmojnë punonjësit të përballen me burnout.
Dhe shumë punonjës duket se janë dakord. Në një sondazh me më shumë se 6,000 të anketuar në të gjithë botën, nga kompania e softuerit të automatizimit të ndërmarrjeve UiPath, 58% e të anketuarve thanë se besojnë se automatizimi, mund të adresojë burnout dhe të përmirësojë ndjesinë e përmbushjes në vendin e punës.
Burnout është ende një çështje e përhapur në vendin e punës, sipas ekspertëve. Shumë e konsiderojnë mundësinë, që këto mjete në zhvillim, të automatizojnë detyrat e zakonshme një zhvillim premtues.
Megjithatë, ata gjithashtu thonë se ka një paralajmërim. Ndërsa punonjësit përdorin këto mjete të IA për të rritur produktivitetin, nuk është e qartë nëse ngarkesat e lehta të punës dhe më pak lodhje, do t’u mundësojnë punonjësve të marrin frymë, ose thjesht të krijojnë më shumë hapësirë për t’u mbushur me detyra të reja.
Shumë ekspertë pajtohen se punë të tilla si përgjigjja e emaileve dhe pjesëmarrja në takime, është një faktor kontribues në burnout. “Njerëzit kanë më shumë punë të përsëritura për të bërë tani,” thotë Ed Challis, kreu i strategjisë së IA në UiPath.
Challis beson se mjetet e IA kanë potencialin për të reduktuar detyra të tilla.
Dhe, ndërsa është shumë herët për të ditur ndikimin e saktë, që do të kenë mjetet e IA në punë, rezultatet nga një artikull nga Byroja Kombëtare e Kërkimeve Ekonomike, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Boston, tregon potencialin për rritjen e produktivitetit të teknologjisë.
Autorët, nga Universiteti Stanford dhe Instituti i Teknologjisë i Masaçusets (MIT), regjistruan një rritje prej 14% në produktivitetin e përfaqësuesve të shërbimit ndaj klientit, që punonin me një asistent IA.
Asistenti i IA ngushtoi hendekun midis performuesve më të mirë dhe më të këqij, dhe gjithashtu përshpejtoi trajnimin e punonjësve të rinj.
Sipas studimit, një agjent i shërbimit ndaj klientit me vetëm dy muaj përvojë, i ndihmuar nga asistenti i IA, performoi po aq mirë sa një agjent me gjashtë muaj përvojë pune, i cili punonte pa ndihmën e IA.
Megjithatë, perspektivat për rezultate afatgjata – si zbutja e burnouts – nuk janë aq të drejtpërdrejta.
Danielle Lee, një nga autoret e artikullit, pajtohet se mjetet e IA mund të ndihmojnë produktivitetin dhe të reduktojnë detyrat e përseritura, por nuk mund të parashikojë mënyrën e saktë se si këta faktorë do të ndikojnë te punonjësit.
Lee sugjeron gjithashtu që, nëse punonjësit bëhen më produktivë, punëdhënësit mund të vendosin se kanë nevojë për më pak prej tyre – duke shtuar edhe më shumë peshë në ngarkesat individuale të punës.
Lee thotë se burnout mbetet një problem organizativ, dhe ndërsa teknologjia mund të ndikojë në të, mënyra se si trajtohet varet nga kompania. “Ju mund të përdorni AI për të lehtësuar burnout, ose mund ta përdorni për ta bërë atë shumë, shumë më keq,” thotë Lee.
Yehuda Baruch, profesor i Menaxhimit në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Southampton, MB, pajtohet që këto mjete të IA nuk janë një plumb argjendi për zgjidhjen e burnouts.
Ai parashikon se IA do të heqë nevojën për shumë nga punët, që njerëzit bëjnë sot, dhe se ata që do të mbeten duke punuar, do të përqendrohen kryesisht në detyra krijuese dhe inovative.
“Burnout mund të vijë në forma të ndryshme”, thotë Baruch. “Kur të shihni të gjitha njohuritë, që keni fituar dhe aftësitë që keni zhvilluar, gjatë viteve, duke u kryer nga një makinë, do të jetë zhgënjyese.”
Burnout nuk do të shkaktohet nga të të paturit shumë për të bërë; në vend të kësaj, Baruch shpjegon se shqetësimi se nuk je më i nevojshëm, mund të jetë arsyeja.
Në librin e tyre “The Burnout Challenge”, psikologët Christina Maslach dhe Michael Leiter, e përshkruajnë burnout jo si një “rezultat i një faktori të vetëm, por një përzierje komplekse rraskapitjeje, cinizmi dhe joefikasiteti”. Në gjashtë shkaqet e dallueshme të burnouts që ata identifikojnë, puna e tepërt është vetëm një.
Studimi i UiPath tregon gjithashtu shkaqet e ndryshme të burnout.
Megjithëse shumë të anketuar theksuan faktorët e zakonshëm të punës së tepërt, si “puna përtej orarit të planifikuar” (40%) dhe “shumë takime ose telefonata” (25%), si të paktën një burim i burnout të tyre, ata përmendën gjithashtu kulturën e vendit të punës, si p.sh. “presioni nga lidershipi” (39%), dhe pasiguria në punë.
Si përfundim, ekspertët besojnë se punëdhënësit do të kenë rol të rëndësishëm, në mënyrën se si IA mund të përmirësojë shëndetin mendor të punonjësve – për shembull, nëse ata ngarkojnë punonjësit me më shumë detyra dhe shkurtojnë stafin.
Siç thotë Baruch: “IA mund të jetë një bekim, por gjithashtu mund të jetë një mallkim.”