Autoritetet ruse kanë arrestuar gjithsej 5 mijë e 942 persona për pjesëmarrje në protestat kundër luftës në të gjithë vendin që kur Kremlini urdhëroi sulmin në Ukrainë. Lajmin e ka bërë të ditur faqja e pavarur e monitorimit “OVD-Info”.
Sipas të dhënave të fundit, 2 mijë e 802 persona janë arrestuar për pjesëmarrje në demonstrata të paligjshme në 57 qytete në të gjithë vendin të dielën. Vetëm në Moskë u arrestuan 1 mijë e 275 persona.
Deri më tani nuk ka pasur indikacione për protesta të hënën.
Sipas ligjit rus, demonstratat e mëdha kërkojnë që protestuesit të aplikojnë për një leje, e cila duhet të dorëzohet jo më shumë se 15 por jo më pak se dhjetë ditë përpara ngjarjes.
Gjoba të rënda – dhe në disa raste edhe burg – mund të vendosen për ata që protestojnë pa leje.
Individëve u lejohet të organizojnë protesta të vetme, por të tjerë mund t’u bashkohen.
Të enjten, Komiteti Hetues i Rusisë paralajmëroi se pjesëmarrja në çdo protestë kundër luftës ishte e paligjshme. Ai gjithashtu tha se veprat penale mund të futeshin në të dhënat kriminale të pjesëmarrësve, të cilat do të “lënin gjurmë në të ardhmen e personit”.