SHBA-të kanë përcaktuar se princi saudit i kurorës, Mohammed bin Salmanm ka imunitet për çështjen e gazetarit Jamal Khashoggi, i vrarë në vitin 2018 në Stamboll, ku për herë të fundit u pa teksa hynte në konsullatën saudite aty.
SHBA-të, me ardhjen e Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë, premtuan se do ta trajtonin çështjen Khashoggi me zell, por tashmë, princi saudit, ka imunitet të plotë, siç është bërë me dije nga Departamenti i Shtetit.
Këta të fundit, pretendojnë se nuk ka asnjë mekanizëm ligjor, i cili mund ta vendosë Bin Salmanin përpara një gjyqi mbi rastin.
Teksa, sipas inteligjencës amerikane, është pikërisht ai, përgjegjës për vrasjen e Khashoggit.
“Doktrina e pasjes së imunitetit për krerët e shtetit është e përcaktuar qartë në ligjet ndërkombëtare”, bëri me dije trupa e avokatëve të Deprtamentit amerikan të Drejtësisë ndërkohë, në një dokument të lëshuar në një gjykatë pranë distriktit të Columbia-s.
Gjithsesi, përtej garantimit të imunitetin, administrata Biden e ka bërë të qartë se kjo nuk do të thotë “shfajësim” për Bin Salmanin.
E gjithë gjëja, ka të bëjë thjesht me çështje ligjore dhe jo me atë morale apo faktike.
Një reagim ndërkaq erdhi edhe nga ish partnerja e gazetarit saudit të vrarë, Hatice Cengiz, e cila shkroi në Twitter se me vendimin amerikan, “Jamali vdiq sërish sot”.
Më 4 tetor, pala amerikane kishte kërkuar një afat 45-ditor për të përcaktuar fuqinë juridike që ka për të ndjekur çështjen penalisht.
Në atë kohë, zyrtarët amerikanë u pyetën nëse e besonin se princit duhet t’i jepej imuniteti, lidhur me vrasjen e kolumnistit të gazetës amerikane, The Washington Post.
Atëherë, ata ishin përgjigjur se princi Mohammed ishte emëruar kryeministër, ndaj çështja duhej parë.
Por, kritikët e qeverisë saudite, thanë se besonin se përcaktimi i ri ishte një manovër për të krijuar një mbrojtje sovrane të imunitetit për princin 37-vjeçar, i cili po përballet me një çështje civile në SHBA për rolin e tij të dyshuar në vrasjen e Khashoggi.
Kritika të shumta kanë shkuar po ashtu edhe për presidentin Biden, sipas të cilave, ai e ka braktisur kryesisht këtë premtim në favor të ndjekjes së objektivave të tjera politike dhe të politikës së jashtme.
Khashoggi u pa për herë të fundit në tetor 2018, duke hyrë në Konsullatën Saudite në Stamboll. Vrasja e tij, për të cilën zyrtarët turq morën një regjistrim audio, pengoi marrëdhënien SHBA- Arabi Saudite.
Dy javë pas zhdukjes së Khashoggi, Arabia Saudite pranoi se ai ishte vrarë nga agjentët e mbretërisë, por ajo vazhdon të mohojë që princi i kurorës ishte i përfshirë.
Raporti i fundit i SHBA-së, që bazohet në një vlerësim të CIA-s, të lëshuar një muaj pas vrasjes së Khashoggit, zbuloi se Mohammed me shumë gjasa urdhëroi vrasjen.
Kush ishte Jamal Khashoggi?
Ai ishte një gazetar dhe analist politik i njohur saudit. Ai vinte nga një familje me emër dhe në fillim mbante lidhje të ngushta me familjen mbretërore saudite.
Me kalimin e kohës, u bë më kritik ndaj politikave të qeverisë. Veçanërisht kritikat lidheshin me princin Mohammed bin Salman, udhëheqësin de facto të mbretërisë. Më vonë, ai la Arabinë Saudite dhe u zhvendos në SHBA.
Si u vra ai?
Shkrimet e Khashoggi-t patën kosto për të.
Ai u divorcua dhe u nda nga familja, e cila jetonte në Arabinë Saudite. Gazetari përfundimisht vendosi të martohej përsëri dhe të vendosej me të fejuarën e tij turke në Stamboll. Për të shpallur martesën, iu deshën disa vërtetime nga Konsullata Saudite në Turqi. Kështu, në fund të shtatorit 2018, shkoi në konsullatë dhe u udhëzua të kthehej disa ditë më vonë për të marrë dokumentet.
Kjo nisi një zinxhir veprimesh nga autoritetet saudite, të cilat kulmuan me vrasjen e Khashoggi-t. Sipas hetuesve të SHBA-së, Turqisë dhe Kombeve të Bashkuara, me siguri u drejtuan nga princi i kurorës.