Presidenti i rrjetit televiziv “CNN Worldwide”, Jeff Zucker, ka njoftuar mëngjesin e kësaj të mërkure se ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i tij. Ai pranoi se kjo vinte për shkak të marrëdhënies që kishte krijuar përgjatë viteve me një kolege të tijën.
“Si pjesë e hetimit për mandatin e Chris Cuomo në CNN, më pyetën për një marrëdhënie konsensuale me kolegen time më të ngushtë, dikë me të cilin kam punuar për më shumë se 20 vjet.”– u tha Zucker punonjësve në një memo. “Unë e pranova se marrëdhënia evoluoi vitet e fundit. Më kërkuan ta zbuloja kur filloi, por nuk e bëra. E kisha gabim. Si rezultat, sot po jap dorëheqjen.”
Zucker nuk e përmendi emrin e koleges në memo, por siç raporton CNN bëhet fjalë për shefen e marketingut të rrjetit televiziv, Allison Gollust. Kjo e fundit po qëndron në detyrë.
Në një memo tjetër, këtë radhë nga Gollust tha: “Jeff dhe unë kemi qenë miq të ngushtë dhe partnerë profesionistë për më shumë se 20 vjet. Së fundmi, marrëdhënia jonë ndryshoi gjatë COVID-19. Më vjen keq që nuk e zbuluam në kohën e duhur. Unë jam tepër krenar për kohën time në CNN dhe mezi pres të vazhdoj punën e madhe që bëjmë çdo ditë.”
CNN shkruan se lajmi për dorëheqjen e Zucker-it e la stafin të tronditur. Punonjësit në kompani mësuan për largimin e tij të papritur në memon që Zucker i dërgoi stafit sot paradite.