Lufta në Ukrainë, do të hyjë së shpejti në muajin e saj të gjashtë. Me gjithë diskutimet se Rusia i ka shkelur “vijat e kuqe” të Perëndimit me sjelljen e saj në luftë, dhe se vetë Perëndimi ka kapërcyer “vijat e kuqe” të Rusisë me ndihmën e saj ushtarake ndaj Ukrainën, “vijat e kuqe” reale nuk janë shkelur ende.
Në fillim të luftës, të dyja palët përcaktuan një sërë rregullash të padukshme. Të pathëna zyrtarisht, por gjithsesi reale. Ato përfshijnë pranimin nga Rusia të dërgesave në Ukrainë të armëve të rënda perëndimore, si dhe mbështetjen me të dhënat e inteligjencës, por jo përdorimin e trupave perëndimore në fushën e betejës.
Po ashtu, ato përfshijnë pranimin në heshtje nga shtetet perëndimore të luftës konvencionale ruse brenda kufijve të Ukrainës, për sa kohë që konflikti nuk çon në përdorimin e armëve
të shkatërrimit në masë. Deri më tani, këto rregulla të padukshme kanë vazhduar të funksionojnë, një dëshmi kjo se as presidenti i SHBA-së Joe Biden, dhe as ai rus Vladimir Putin nuk duan një luftë më të zgjeruar.
Megjithatë, një luftë më e gjerë është sigurisht e mundur. Tek e fundit, konfliktin aktual nuk e kontrollon asnjë mekanizëm ndërkombëtar. Kombet e Bashkuara kanë qenë në periferi, dhe Bashkimi Evropian qëndron në njërën anë. Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje t’i japin fund luftës sipas kushteve të saj.
Por as Rusia dhe as Ukraina. Bisedimet midis Kievit dhe Moskës, kanë nisur dhe janë ndërprerë disa herë, dhe pavarësisht përpjekjeve të vazhdueshme për dhënien fund të luftimeve, nuk ka pasur asnjë angazhim diplomatik direkt SHBA-Rusi që nga 24 shkurti, data kur filloi lufta.
Nëse kësaj i shtojmë madhësinë dhe kompleksitetin e konfliktit, numrin e vendeve të përfshira dhe teknologjitë e reja në përdorim, atëherë përzierja bëhet potencialisht toksike. Prandaj, dëshira e përbashkët e Putinit dhe Biden për të shmangur një luftë më të gjerë, nuk është garanci se lufta nuk do të zgjerohej më tej.
Një konflikt mund të dalë jashtë kontrollit, edhe nëse asnjëra palë nuk merr një vendim të qëllimshëm për ta përshkallëzuar atë, apo për të përdorur armë bërthamore. Dhe megjithëse nuk ka shumë gjasa të ndodhë, një sulm bërthamor është ende i mundur, duke pasur parasysh kapacitetin rus, dhe paqartësinë si elementin qendror të doktrinës aktuale bërthamore të Moskës.
Në fakt përshkallëzimi aksidental i konfliktit, mund të jetë edhe më i frikshëm se ai i qëllimshëm, pasi ky i fundit bart brenda vetes mundësinë e de-përshkallëzimit të qëllimshëm Në fund të fundit, një trajektore e vullnetshme është më e lehtë për t’u kthyer pas, se ajo që lëviz përpara përtej vullnetit të saj.
Lufta e Ftohtë, mund të jetë një udhëzues i dobishëm për atë që duket në horizont. Duke pasur parasysh kohëzgjatjen e atij konflikti, dhe gabueshmërinë e liderëve politikë dhe ushtarakë nga të dyja palët, ishte diçka e jashtëzakonshme që përballja SHBA-Bashkimi Sovjetik përfundoi në mënyrë paqësore.
Por pas mrekullisë të mbijetesës së njerëzimit në një epokë bërthamore, fshihen episodet e errëta të përplasjeve dhe të gati-përshkallëzimit, që e karakterizoi gjysmën e dytë të shekullit XX. Lufta në Ukrainë ka të ngjarë të ndjekë këtë model, duke përfshirë fazat në të cilat përballja e përgjithshme menaxhohet mirë, e ndjekur nga faza në të cilat konflikti intensifikohet befas dhe në mënyrë anarkike.
Politikë-bërësit dhe diplomatët në të dyja anët e Atlantikut, duhet të përgatiten edhe më mirë për këtë skenar. Biden ka qenë i qartë se nuk do të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë. Ai nuk do as përfshirjen e NATO-s në këtë konflikt. Ai nuk do t’i diktojë Ukrainës synime luftarake më maksimaliste (apo minimaliste), sesa ato të vendosura nga vetë Kievi.
Dhe megjithëse SHBA-ja po e furnizon Ukrainës me sasi të mëdha armësh, Biden e ka bërë shpeshherë dallimin midis vetëmbrojtjes së Ukrainës, për të cilën Uashingtoni është angazhuar pa mëdyshje, dhe sulmeve të Ukrainës ndaj vetë Rusisë. Mbështetja ushtarake për Ukrainën, është kalibruar përgjatë këtyre linjave.
Biden dëshiron që Ukraina të fitojë sipas kushteve të saj dhe në territorin e saj. Ai nuk dëshiron që ajo të shndërrohet në një luftë rajonale. Madje përdori një artikull të botuar në Neë York Times për t’ia komunikuar Moskës këto synime. Ndërkohë, Putini ka qenë më i paqartë, duke premtuar “pasoja serioze” për ndihmën ushtarake të aleatëve ndaj Ukrainës. Propaganda shtetërore ruse, flet rregullisht për sulmet e mundshme bërthamore ndaj Berlinit apo Londrës. Sado të tepruara, mesazhe të tilla krijojnë një konsensus brenda Kremlinit dhe shoqërisë ruse. Në qershor, pas një mosmarrëveshjeje mbi dërgimin e mallrave në Kaliningrad, një enklavë ruse e ndarë nga Rusia kontinentale, Putin e kërcënoi Lituaninë me masa ndëshkuese të papërcaktuara.
Lituania është një anëtare e NATO-s, dhe një sulm rus do të shkaktonte një konflikt të drejtpërdrejtë ushtarak. Diku tjetër, Putini mund të krijojë ose të shfrytëzojë krizat në Ballkan për të përmirësuar pozicionin e Rusisë, duke organizuar grushte shteti, përfshirë në aktivitete paraushtarake, apo duke nisur një pushtim të drejtpërdrejtë.
Sulmet e mëdha kibernetike ndaj infrastrukturës kritike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, përbëjnë një rrezik tjetër. Nëse ndodhin, Shtetet e Bashkuara dhe të tjerët ka të ngjarë të hakmerren, duke çelur një kapitull të ri në këtë luftë. Putin nuk mund të përballojë një luftë më të gjerë.
Edhe pse Rusia ka të ngjarë të ketë para për ta vazhduar politikën e saj të ndryshimit të regjimit në Ukrainë, ushtria ruse ka mangësi të mëdha në trupa. Çdo konflikt shtesë, sidomos kundër forcave të pajisura mirë të NATO-s, do t’i përkeqësonte këto probleme.
Prandaj Putin dhe Biden, kanë stimujt nevojshëm për t’iu përmbajtur rregullave të padukshme të luftës. Dhe në respektimin e tyre, ata kanë rimarrë një dinamikë të rëndësishme të Luftës së Ftohtë. Gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit XX, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik nuk ranë kurrë dakord zyrtarisht, se si të zhvillonin luftërat përmes palëve përfaqësuese.
Për shembull, asnjëra palë nuk vendosi rregulla bazë për Luftën e Koresë, konflikti i parë i nxehtë i epokës së Luftës së Ftohtë. Përkundrazi, për gati 4 dekada, të dyja palët improvizuan rrugën e tyre drejt një mënyre të qëndrueshme të të bërit biznes. Ishin gjërat e lejueshme: denoncimi i ndërsjellë, konkurrenca kulturore dhe ideologjike, spiunazhi, masat aktive si fushata propaganduese dhe dezinformuese, ndjekja e sferave të ndikimit, ndërhyrja në politikën e brendshme të vendeve të tjera, dhe mbështetja e kundërshtarëve në paqe e luftë.
Dhe pastaj gjërat e palejueshme:një lufte direkte dhe përdorimi i armëve bërthamore. Sot për vendet perëndimore, më e rëndësishme duket se është mbajtja jashtë luftës e ushtarëve të tyre. Në Ukrainë, Uashingtoni dhe aleatët e tij i kanë ofruar hapur ushtrisë ukrainase armë të rënda, trajnime ushtarake jashtë Ukrainës, dhe të dhëna të inteligjencës për të identifikuar objektivat ruse. Nga ana e saj Rusia, nuk ka shënjestruar autokolonat e armëve që janë nisur drejt Ukrainës, derisa ato janë ende në territorin e NATO-s.
Ajo nuk ka penguar as vizitat e vazhdueshme të liderëve politikë të SHBA-së dhe aleatëve në Kiev. Po çfarë mund t’i kërcënojë rregullat e padukshme që kanë vendosur SHBA-ja dhe Rusia? Një mundësi është një aksident absolut. Tjetra është një cikël ngjarjesh që “kërkon” përshkallëzim.
Sigurisht, këto mundësi mund të konvertojnë, dhe një aksident i vetëm mund të jetë preteksti për një spirale përshkallëzuese, siç ndodhte herë pas here gjatë Luftës së Ftohtë. Kujtoni pak Krizën e Raketave Kubane. E cilësuar shumë shpesh si një shembull i ftohtësisë së presidentit amerikan John F.Kennedy, përballja e vitit 1962 midis Moskës dhe Uashingtonit mbi raketat bërthamore sovjetike në Kubë, kulmoi për pak në një katastrofë.
Edhe lufta në Ukrainë, është gjithashtu e prirur për aksidente. Sot, shqetësimet kryesore janë ato mbi sjelljen e palës ruse. Zhgënjimi në fushën e betejës, problemet logjistike, trupat e pamjaftueshme dhe rezistenca e ushtrisë ukrainase, mund të inkurajojë rusët të ndërmarrin një sulm ajror ose raketor jashtë Ukrainës.
Për shembull, për të penguar kalimin e armëve në Ukrainë. Sigurisht, ai do të ishte një sulm rus ndaj një shteti anëtar të NATO-s. Nga këtu buron rreziku që Uashingtoni ta interpretojë një sulm të tillë si një përshkallëzim të drejtuar nga Kremlini. Një luftë Rusi-NATO, do të ishte shumë pranë.
Durimi dhe qetësia e studiuar, mund ta mbajnë nën kontroll konfliktin në Ukrainë. Por një tjetër lloj aksidenti mund të ndodhë nga ana ukrainase. Ndërsa godet objektivat ushtarake në Rusi, ushtria e Ukrainës mund të bëjë llogaritjen e gabuar dhe të godasë një objektiv të madh civil brenda Rusisë.
Kjo është padyshim diçka që Moska e bën pa asnjë shqetësim dhe çdo ditë në Ukrainë, ku sulmet me raketa ruse po vrasin qindra civile, përfshirë fëmijë dhe të moshuar. Por Kremlini mund ta përdorë një sulm të tillë, sidomos me armë të dërguara nga jashtë, si një pretekst për t’u kundërpërgjigjur ndaj furnizimeve ushtarake aleate shumë afër apo edhe brenda territorit të NATO-s.
Putini ka të ngjarë të supozojë se shtetet perëndimore e mbështetën sulmin ukrainas, ashtu siç supozoi se kryengritja e Maidanit e vitit 2014, që çoi në rrëzimin e presidentit ukrainas të mbështetur nga Rusia, Victor Janukovich, ishte një komplot i CIA-s.
Së fundi, një cikël përshkallëzimi i paqëllimshëm, që mund t’i ngjajë krizës së raketave kubane, mund të zgjerohet në një luftë rajonale ose botërore. Pavarësisht zgjidhjes së saj paqësore, kriza e vitit 1962 është një histori paralajmëruese.
Në rastin e një aksidenti – një akt lufte i Rusisë kundër një vendi jashtë Ukrainës, edhe pse jo i urdhëruar nga Putin – do të jetë vendimtare për Uashingtonin dhe aleatët e tij që ta shqyrtojnë situatën me përpikëri. Provat mund të jenë të vështira për t’u gjetur, por përgjigja e SHBA-së duhet të kalibrohet dhe të ketë një logjikë të nivelit të lartë.