Gruaja që i buzëqesh votuesëve nga posteri elektoral i Vëllezërve të Italisë, FDI, është pamje që të jep siguri. Pronti thotë posteri. Duke treguar se gruaja, Giorgia Meloni lidere e FDI dhe vëllezërit e saj janë gati për të qeverisur Italinë. Siguria ka qenë pjesë e rëndësishme e fushatës së Melonit.
Nuk ishte gjithmonë kështu. Ishte një kohë kur ajo paralajmëroi se “Nuk mund të ketë ndërmjetësim të mundshëm”. Me një zë të ashpër, madje kërcënues, ajo vazhdoi: “Po për familjen natyrale. Jo lobit LGBT. Po për identitetin seksual. Jo ideologjisë gjinore.” Dhe më pas ajo bërtiti: “Jo emigracionit masiv! Po punës për bashkatdhetarët tanë! Jo financave të mëdha ndërkombëtare! Jo burokratëve të Brukselit!”
Meloni, partia e së cilës pritet të dalë e para në zgjedhjet që zhvillohen sot, ka qenë dikur një ekstremiste. Ajo iu bashkua lëvizjes së të rinjve neo-fashistë, Lëvizja Sociale Italiane, MSI, dhe në moshën 19 vjecare predikonte diktatorin fashist të Italisë, Benito Mussolini. Gjithsesi, atëherë, shumë njerëz që janë tani pjesë e të djathtës së moderuar i përkisnin më herët partive komuniste.
Ajo që vihet re në gjuhën euroskeptike të Melonit, është se nisi gati tri muaj më parë, më 12 qershor, në një takim të organizuar nga partia e të djathtës ekstreme në Spanjë, Vox. Dy pyetje janë pa përgjigje nga Meloni dhe partia e saj, që pritet të ketë koalicion me Ligën e Veriut dhe me partinë e Silvio Berlusconit. Pyetja e parë është, çfarë beson ajo. E dyta është nëse, në panoramën e një Europe në luftë, me mungesë energjie, inflacion të lartë dhe recesion të mundshëm, Meloni do t ë ndjekë skenarin e saj.
Kur Meloni thotë se partia e saj “ia ka dorëzuar fashizmin historisë” dhe se “dënon shtypjen e demokracisë” në Itali në vitet 1920, ka arsye të mira për ta besuar atë. Vëllezërit dhe MSI nga e cila buroi Aleanca Kombëtare, kanë luajtur të gjithë sipas rregullave të demokracisë që nga themelimi i republikës italiane në 1946.
Shtrirja e fuqisë së Vëllezërve do të varej nga përqindja e votave të maxhorancës dhe karrigeve që merr çdo partner në aleancë, por duke pasur parasysh veçoritë e sistemit zgjedhor të Italisë, është e imagjinueshme që një pluralitet i konsiderueshëm votash mund të përkthehet edhe në një shumicë prej 2/3 në parlament. Kjo, teorikisht, do të lejonte të drejtën për të ndryshuar kushtetutën, duke futur një sistem presidencial, pa referendum. As kundërshtarët e tyre nuk besojnë se kjo është politikisht e qëndrueshme. Por, Enrico Letta, kreu i Partisë Demokratike të qendrës së majtë paralajmëron se “Në një parlament në të cilin Meloni merr 40% të vendeve, ajo do të bëhet e pakontrollueshme”.
Fakti që rivali i Meloni thotë se ajo është kërcënim, nuk është surprizë. Por ajo është kritikuar nga media të së djathtës. “Unë mendoj se ata janë të rrezikshëm. Por ata dinë si ta fshehin këtë”, – shkruan Claudio Cerasa, redaktor në ll Foglio Quotidiano.
Të tjerët, nuk pajtohen. “Giorgia Meloni] është një politikane me bindje dhe sigurisht që është e krahut të djathtë,” – thotë Giovanni Orsina, i cili jep mësime të shkencave politike në universitetin Luiss në Romë. “Por pjesë e kësaj është besimi në interesin kombëtar dhe kjo e bën atë realiste. Ajo tenton ta shohë botën ashtu siç është.”
Sipas atyre që e njohin nga afër Melonin, thonë se ajo ka arritur në prag të qeverisë pa ekspertë dhe këshilltarë rreth saj. Ajo rrethohet ngavtë besuarit e saj, përfshirë kunatin. Por ajo e di se i duhen më shumë se aq. Orsina pret që ajo të fusë në kabinet, figura të njohur ndërkombëtarisht. Giulio Terzi, që ishte ministër i Jashtëm për qeverinë e Mario Montit, 2011-2013. Përfaqësuesin e Italisë në Bankën Qendrore Europiane, Fabio Panetta si dhe ish-guvernatorin e bankës së Italisë, Luigi Buttiglione. Ministri i Draghit për tranzicionin ekologjik, Roberto Cingolani, thuhet se do të qëndrojë.
Përsa i përket Ukrainës, Meloni ka mbajtur një qëndrim të fortë pro NATO-s, kështu që shanset për fërkime të menjëhershme me Amerikën janë të largëta, pavarësisht nga qasja miqësore me Rusinë në të kaluarën. Marrëdhënia midis një qeverie të ardhshme të së djathtës dhe BE-së do të ishte më komplekse. Letta ka frikë se, me humbjen e Draghi si kryeministër, BE-ja “do të humbasë një motorr dhe do të marrë një frenim”. Pikëpamjet anti-federaliste të Melonit e lidhin atë më ngushtë me Poloninë dhe Hungarinë sesa me Francën apo Gjermaninë. Më 16 shtator ajo doli në mbrojtje të qeverisë së Viktor Orban, pasi Parlamenti Europian e konsideroi Hungarinë një demokraci jo të plotë. “Orban fitoi zgjedhjet, disa herë me një diferencë të konsiderueshme me të gjitha partitë e tjera kundër tij,” tha ajo.
Marrëdhëniet ekonomike të Italisë me Europën janë të mbivendosura. Njëra ka të bëjë me llogaritë e saj publike dhe rolin e saj në stabilizimin ose destabilizimin e euros. Borxhet e Italisë u rritën në 155% të PBB-së së saj gjatë pandemisë. Falë një rimëkëmbjeje të fortë ekonomike dhe vetive të inflacionit gërryes të borxhit, raporti ka rënë pak që atëherë. Por trajektorja e saj e ardhshme është shumë e pasigurt, pasi rritja dobësohet dhe shpenzimet qeveritare rriten.
Një dimër i vështirë përpara
Ekonomia është rritur me 4.5% në tremujorin e dytë 2022, por e ardhmja është e zymtë. Besimi i konsumatorëve dhe bizneseve është në nivelet më të ulëta historike. Ekonomia italiane pritet të bie me 0.7% në 2023-shin.
Shpenzimet, ndërkohë, janë rritur në mënyrë të konsiderueshme ndërsa qeveria e Draghi u përpoq të ndihmonte bizneset dhe familjet të përballonin faturat e tyre të energjisë. Me rreth 3% të PBB-së deri më tani, Italia ka shpenzuar më shumë se shumica në Europë, megjithëse qeveria thotë se deri më sot ka mundur të shmangë huamarrjen shtesë.
Meloni e filloi fushatën si një avokate e mbrojtjes fiskale. Por ajo është nën presion të pamëshirshëm nga Salvini për të treguar fleksibilitet më të madh. “Nëse hyni në atë lokal atje, ata nuk do të flasin me ju për reformën e kushtetutës,” – tha ai, duke treguar përtej një sheshi të Romës. “Ata do të kërkojnë ndihmë për të paguar faturën e tyre të energjisë elektrike në shtator. Unë refuzoj t’i fitoj këto zgjedhje dhe më pas më duhet të shpërndaj një milion çeqe papunësie dhe pushimi. Meloni ka filluar të lëkundet, duke thënë se borxhi shtesë mund të jetë “mjeti i fundit”.
Një tjetër dimension i lidhjeve ekonomike Itali-BE shqetëson Komisionin Europian. Italia duhet të marrë 200 mld euro nga fondi i rikuperimit të pandemisë së BE-së. Futja më e madhe e parave atje që nga plani Marshall pas luftës së dytë botërore. Kjo do të rriste ekonominë me 1% çdo vit, për 10 vite me radhë. Por, BE do të disbursonte këtë fond me programin e ofruar nga Draghi dhe të aprovuar nga Brukseli.
Ndërkohë, Meloni ka thënë se si kryeministre, ajo do të bënte ndryshime në program. Pak ndryshime janë të pranushme, por miratimi kërkon dy muaj kohë shtesë.
Qëllimi i Meloni mund të jetë të dedikojë sa më shumë shpenzime të jetë e mundur për të shmangur krizën e energjisë në familje dhe biznese. Italia ka shumë të ngjarë të shtojë një kapitull energjetik në programin e saj, pasi të gjitha vendet janë inkurajuar të bëjnë sipas planit të repoëereu të Brukselit për të reduktuar varësinë e kontinentit nga energjia ruse. Ky kapitull mund të përfshijë masa për të kursyer karburantin dhe për të përshpejtuar hapjen e burimeve të rinovueshme. Financimi i disponueshëm është i kufizuar. Por mund të shitet si një fitore për qeverinë e ardhshme.
Një pyetje e madhe është nëse administrata e saj do të vazhdojë me reformat e rënë dakord me Brukselin si pjesë e planit të investimeve.
Qasja ekonomike e Vëllezërve është korporative dhe nacionaliste. Ata nuk i besojnë globalizimit dhe programi i tyre synon rinacionalizimin. Në retorikën e Meloni, investimet e huaja direkte janë një kërcënim dhe tregjet kapitale janë habitat i spekulimeve.
Nuk dihet se si Meloni do t’i përgjigjet një krize ekonomike të gjithanshme. Disa frikësohen se mos ajo merr masa radikale.
Shenjat kanë treguar se Meloni ka uri për luftë kulturash. Vëllezërit janë kundër martesave gej dhe adoptimit. Ato kundërshtojnë abortin, eutanazinë dhe surogacinë. Politika e tyre është të këmbëngulin në zbatimin e ligjit të abortit. I miratuar në vitin 1978, nën një qeveri kristiandemokrate, ai është kaluar zyrtarisht si një ligj për mbrojtjen e amësisë dhe parandalimin e abortit. Kërkon që klinikat e planifikimit familjar të shikojnë alternativat e mundshme për ndërprerjen e shtatzënisë, t’u ofrojnë grave shtatzëna ndihmë në heqjen e motiveve për një abort dhe t’i nxisin ato të bëjnë një pauzë shtatë-ditore për reflektim. Një qeveri e udhëhequr nga Vëllezërit mund të këmbëngulë që kjo të bëhet.
Një pikë e mjegullt e programit të tyre është politika e emigrimit. Vëllezërit bëjnë thirrje për bllokadë detare në kufi me Afrikën.
“Pyetja më e rëndësishme nuk është nëse Meloni është fashiste, por pse italianët nuk shqetësohen nëse ajo është apo jo fashiste”, – thotë Marcello Sorgi, analist në La Stampa.
Të qenit kundër ka qenë prej kohësh trend i politikës italiane. Asnjë parti apo aleancë nuk ka arritur të rizgjidhet që nga rënia e sistemit politik të pasluftës në fillim të viteve 1990. Së fundmi, në vitin 2018, ky kërkim i pafund për shpëtimtarë të rinj solli në detyrë një parti, Lëvizja Pesë Yjet, që ishte dukshëm e papërgatitur për të qeverisur.
Posterët nga të cilët Meloni duket kaq e sigurtë synojnë të largojnë frikën se elektorati i Italisë do të bëjë sërish të njëjtin gabim. Pronti? A janë vërtet Vëllezërit të përgatitur për biznesin e rrëmujshëm kompromentues të drejtimit të një vendi, në vend që thjesht të kritikojnë? /TheEconomist