Ka përfunduar raundi i tretë i bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të Rusisë dhe Ukrainës.
Mykhailo Podoliak, një nga këshilltarët e kreut të Zyrës së Presidentit të Ukrainës, ka folur për rezultatet e bisedimeve.
Ai tha se, gjatë tyre, “ka zhvillime të vogla pozitive” në përmirësimin e logjistikës së korridoreve humanitare.
Podoliak gjithashtu shtoi se janë vazhduar konsultimet intensive për armëpushimin dhe garancitë e sigurisë.
Një përpjekje e mëparshme për të krijuar korridore humanitare të shtunën u rrëzua kur dështoi armëpushimi.
Gjatë natës së të dielës, një propozim i ri nga Rusia u cilësua “i papranueshëm” nga zëvendëskryeministrja e Ukrainës, Iryna Vereshchuk, pasi u bë e qartë se njerëzve që ikin nga Kievi do t’u ofrohet kalim i sigurt në aleatin e Rusisë, Bjellorusia, ndërsa ata në Kharkiv do të kenë një korridor që të çon vetëm në Rusi.
Nga katër qytetet e përmendura, vetëm ato më të voglat – Mariupol dhe Sumy – kanë rrugë evakuimi që të çojnë në pjesë të tjera të Ukrainës.
Një zëdhënës i Presidentit të Ukrainës e quajti atë “një situatë krejtësisht imorale”.
Më shumë se 1.7 milionë ukrainas janë larguar deri më tani nga vendi i shkatërruar nga lufta, ndërsa pushtimi vazhdon në ditën e tij të 12-të.