Kanë përfunduar negociatat mes delegacionit ukrainas dhe atij rus, të cilat kanë zgjatur rreth katër orë në Stamboll.
“Takimi i delegacioneve të Ukrainës dhe Rusisë përfundoi në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll”, raporton Agjencia Anadolu.
Si rezultat, u tha se raundi i sotëm ka përfunduar dhe negociatat do të vazhdojnë.
Duke folur pas takimit, delegacioni ukrainas deklaroi se kanë nevojë për shumë vende, “përfshirë Turqinë, si garantues sigurie”.
Mikhail Podolyak, këshilltar i kreut të zyrës së Presidentit, deklaroi se po zhvilloheshin konsultime intensive me Rusinë për disa çështje të rëndësishme në Stamboll.
Ai e tha këtë gjatë një konference të ndërmjetme.
“Tani janë duke u zhvilluar konsultime intensive për disa çështje të rëndësishme. Çelësi është një marrëveshje mbi garancitë ndërkombëtare të sigurisë për Ukrainën dhe vetëm me këtë marrëveshje mund t’i japim fund luftës, ashtu siç i nevojitet Ukrainës”, theksoi zyrtari ukrainas.
Sipas Podolyak-ut, blloku i dytë i çështjeve që delegacionet po diskutojnë tani është një armëpushim.
Kjo, në mënyrë që të zgjidhen të gjitha problemet humanitare që janë grumbulluar.
“Sot ka një problem tjetër që po bëhet më i madh – problemi i përshkallëzimit të luftës, përshkallëzimi i urrejtjes, përshkallëzimi i shkeljes së zakoneve dhe rregullave të luftës, jo vetëm në fushën e betejës”, ravijëzoi më tej këshilltari i zyrës së presidentit.
Raundi i ri i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë nisi rreth orës 09:00.
Podolyak publikoi një foto të presidentit turk Reccep Tayip Erdogan, i cili iu drejtua fillimisht negociatorëve me një fjalim.
“Vazhdimi i luftës nuk do t’i sjellë dobi askujt. Rivendosja e paqes do të jetë e dobishme si për dy vendet tuaja, ashtu edhe për të tjerët. Ju si delegacione mbani përgjegjësi historike për vendimet që po merren sot”, deklaroi fillimisht Erdogan.
Midis anëtarëve të delegacionit ukrainas, të cilët janë në tryezën e bisedimeve, janë kreu i fraksionit të “Shërbëtorit të Popullit” David Arakhamia, ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, këshilltari i kreut të zyrës së presidentit Mykhailo Podolyak, kreu i delegacionit ukrainas në TCG, Andriy Kostin, deputeti i popullit Rustem Umerov dhe zëvendësministri i Jashtëm, Mykola Tochitsky dhe zëvendës-shefi i Zyrës së Presidentit, Kirill Timoshenko.