Senegali ka arritur që të fitojë Kupën e Afrikës për herë të parë në histori të shtetit të tyre.
Salah me Egjiptin, dhe Mane me Senegalin, dy yjet e skuadrës së Liverpool-it, ishin kundër njëri-tjetrit në ndeshjen më të madhe të kontinentit afrikan.
Ndeshja nisi me shumë vrull, me Senegal-in që fitoi penallti brenda dhjetë minutave të para të takimit.
Mirëpo penalltinë e Mane-s e priti Gabaski.
Ndeshja më pas ishte shumë e kujdesshme, nga të dyja anët.
Me rezultatin që nisi ndeshja, përfunduan 90 minutat dhe koha shtesë dy herë nga 15 minuta.
Në këtë mënyrë, skuadrat ju drejtuan penalltive për të vendosur mbretin e Afrikës.
E para shënoi Senegali, dhe Egjipti menjëherë barazoi.
Senegali e konvertoi në gol edhe penalltinë e dytë, mirëpo Abdelmonem e humbi duke i dhuruar epërsinë 2-1 pas dy raundeve Senegalit.
Mirëpo, Gabaski reagoi menjëherë duke mbrojtur dhe Hamdi barazoi në 2-2 pas tri raundeve.
Dieng shënoi për 3-2, me Edouard Mendy-n që priti penalltinë e Lasheen për të lënë në këmbët e Mane-s penalltinë vendimtare.
Ndryshe nga loja e rregullt, Mane këtë herë u tregua i saktë për t’i sjellë Kupën e Afrikës, për herë të parë në histori në Senegal.
Kështu mbyllet një edicion i jashtëzakonshëm i AFCON, që zgjoi interes më shumë se çdo turne i mëparshëm.