Ka bërë bujë në media ditët e fundit lajmi se Juventus-i ka regjistruar vlera të rreme të lojtarëve nga 2019 deri në 2021, Kjo për të qenë në rregull me Fair Play Financiar të UEFA-s.
Krerët kryesor të klubit janë marrë në pyetje nga prokuroria këto ditë. Edhe zyrat e klubit në Torino dhe Milano janë kontrolluar nga policia, duke sekuestruar kontrata dhe fatura që kanë lidhje me transferimet në merkato.
Cristiano Ronaldo pritet të jetë personi i radhës që duhet të dëshmoje përpara prokurorëve të çështjes. Këta të fundit dyshojnë se ish-ylli i Real Madrid-it ka bërë një marrëveshje të fshehtë me Juventus-in, në kohën kur u transferua në Torino.
Prokuroria Publike e Torinos ka marrë çështjen në dorë. Ajo beson se mes 42 transferimeve të dyshimta është dhe ajo e portugezit Ronaldo.
Sipas mediave italiane, prokuroria ka regjistrime të telefonatave, ku drejtorët e Juventus-it flisnin për një dokument që realisht nuk ekziston, në lidhje me Ronaldo-n.
Nëse vërtetohen marrëveshjet sekrete për transferimin e Ronaldo-s në Torino, si dhe dyshimet mbi 42 transferimet në total, atëherë Juventus-i mund të përballet me probleme vërtet serioze.
Bardhezinjtë sipas mediave italiane rrezikojnë nga gjoba e majme, te rënia një kategori më poshtë dhe deri te heqja e titullit të fundit kampion.