Kancelari austriak Sebastian Kurz ka dhënë dorëheqjen, pas presionit të shtuar nga skandali i korrupsionit, ku është vënë nën hetim. Ai ka propozuar Ministrin e Jashtëm Alexander Schallenberg si zëvendësuesin e tij.
Kurz dhe nëntë persona të tjerë u vunë nën hetim pas bastisjeve në një numër vendesh të lidhura me partinë e tij konservatore. Ai mohon pretendimet se ka përdorur paratë e qeverisë për të siguruar një sondazh pozitiv për partinë e tij në një gazetë vendase.
Hetimet shkaktuan reagimin e “Të Gjelbërve”, që janë në koalicion me të. Kjo parti tha se Kurz nuk është më i përshtatshëm për Kancelar dhe ndërmori nismën e votëbesimit ndaj tij në Kuvend, që ishte parashikuar për të martën.
Udhëheqësi i Gjelbërve dhe Zëvendës Kancelari Ëerner Kogler përshëndeti dorëheqjen e Kurz dhe tregoi se ai do të ishte i gatshëm të punonte me Schallenberg, duke thënë se ata kishin një marrëdhënie “shumë konstruktive”.
“Ajo që kërkohet tani është stabiliteti. Për të zgjidhur ngërçin unë tërhiqem edhe për të parandaluar kaosin”, tha Kurz ndërsa njoftoi dorëheqjen e tij.
Ai tha se do të mbetet udhëheqës i partisë së tij dhe do të vazhdojë të ruajë vendin si deputet në Parlament. “Megjithatë, unë hedh poshtë të gjitha akuzat e ngritura ndaj meje”, shtoi ai.
Edhe pse nuk është më Kancelar, Kurz do të jetë ende një figurë kryesore në politikën austriake. Si udhëheqës i partisë së tij, ai do të jetë i pranishëm në mbledhjet e kabinetit. Kreu i opozitës Social Demokratë thotë se në të vërtetë, Kurz do të jetë de facto kancelar dhe marrë vendimet e rëndësishme të qeverisë.
Vëzhguesit e tjerë tregojnë marrëdhënien e tij të ngushtë me Alexander Schallenberg, një diplomat karriere i cili punoi me Kurz kur ai hyri për herë të parë në qeveri si ministër i Jashtëm.
Disa anëtarë të partisë së Kurz shpresojnë se dorëheqja e tij do të jetë e përkohshme dhe se ai do të jetë në gjendje të bëjë një rikthim.
Austriakë të tjerë thonë se dy hetimet e korrupsionit dhe rënia e qeverisë së tij të fundit të koalicionit me Partinë e Lirë të së djathtës ekstreme në 2019, do të thotë se është koha që Kurz të largohet krejtësisht nga politika.
Kurz u bë udhëheqës i së djathtës në maj 2017 dhe e çoi partinë e tij drejt fitores në zgjedhjet një vit më vonë, duke u bërë në moshën 31-vjeçare, një nga krerët e qeverive më të rinj në botë të zgjedhur ndonjëherë në mënyrë demokratike.
Akuzat për korrupsion lidhen me periudhën midis 2016 dhe 2018, kur fondet e Ministrisë së Financave dyshohen se janë përdorur për të manipuluar sondazhet e opinionit në favor të partisë së tij.
Prokurorët nuk e kanë përmendur publikisht emrin e gazetës, por tabloidi “Oesterreich” lëshoi një deklaratë të mërkurën duke mohuar raportet e mediave se kishte marrë paratë e taksapaguesve për të nxjerrë favorizuar në sondazhe partinë e Kurz.
Kurz, nëntë individë të tjerë dhe tre organizata janë vënë nën hetim “nën dyshimin për shkelje të besimit, korrupsion dhe ryshfet”.