Mediat britanike i kanë bërë jehonë lajmit se Mbreteria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës do të organizojnë Kampionatin Evropian, Euro 2028.
Kjo pasi dy vendet nuk kanë konkurente të tjerë në garë. Turqia dhe Rusia si dy pretendente për të fituar të drejtën për organizmin e Euro 2028 janë larguar nga gara.
Turqia pretendohet se do të tërheqë ofertën, pas dy dështimeve të mëparshme për të marrë të drejtën për organizmin e Euro 2016 dhe 2024. Ndërsa, Rusia është sanksionuar nga UEFA, për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Pesë federatat e futbollit, ajo e Anglisë, Skocisë, Uellsit, Irlandës dhe Irlandës së Veriut njoftuan qëllimin e tyre muajin e kaluar. Por, njëkohësisht ato i mbyllën derën një fushate për të arritur të organizojnë Kupën e Botës 2030.
Pritet që UEFA të rrisë madhësinë e kompeticionit nga 24 në 32 skuadra për Euro 2028, kështu që do të nevojiten një minimum prej 12 fushave mikpritëse.
Irlanda e Veriut është më problematikja deri më tani, përsa i përketë stadiumeve. Organizmi i një turneu të tillë kërkon minimumi stadium me 30 mijë vende. Në Irlandën e Veriut kapaciteti maksimal është në “Windsor Park” në Belfast, 18 mijë e 500 vende.