Një ditë pas përplasjeve në kampin e muxhahedinëve në Manzë, Policia e Durrësit ka vënë në hetim gjashtë drejtues të MEK-ut, të cilët u përplasën me efektivët.
Sipas Policisë, ata kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe dëmtuan automjetet e Policisë, me qëllim pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-së për të ushtruar kontrolle në vendqëndrimin e organizatës MEK.
Theksohet se si pasojë e kundërshtimeve të dhunshme dhe të vazhdueshme, janë dëmtuar 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit.
“Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e Policisë janë vetëpërmbajtur deri në ekstrem, duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre”.
Të shoqëruarit janë shtetasit me inicialet: H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç.
Akuzat që rëndojnë mbi ta: “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”.
Policia thotë se vijojnë hetimet e thelluara për të dokumentuar me prova ligjore, veprimet e kundërligjshme të kryera nga shtetasit rezidentë në vendqëndrimin e MEK.
Çfarë ndodhi?
Strukturat speciale të Policisë së Shtetit (RENEA, Antiterrori, Operacionalja, Shqiponja) zbarkuan rreth orës 08:00 të 20 qershorit në Manëz, në vendqëndrimin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit Iranian (MEK).
Qëllimi i këtij operacioni ishte për të zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në atë që konsiderohej si qendër operacionale e MEK-ut për sulme të mundshme keqdashëse kibernetike.
Hyrja e efektivëve të Policisë u bë me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi SPAK-u kishte arsye dhe dyshime të forta për aktivitetin e MEK-ut.
Angazhimi policor është kundërshtuar nga anëtarët e MEK-ut, duke u përpjekur për të bllokuar automjetet dhe lëvizjen e Policisë nëpër rezidenca, duke iu referuar imazheve të publikuara nga autoritetet.
Operacioni u përmbyll me një të vdekur, që dyshohet se ndërroi jetë nga infarkti dhe për të cilin pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet zyrtare.
Sipas shifrave të publikuara nga Policia, u dëmtuan 15 efektivë dhe 21 anëtarë të MEK-ut, 15 prej të cilëve lanë spitalin disa orë pas shtrimit të tyre.
Nga 127 godina në Manëz, autoritetet kontrolluan 70 prej tyre duke e përmbyllur me sekuestrimin e 96 njësive kompjuterike, 46 laptop dhe karta të ndryshme memorieje.
Pas përfundimit të operacionit policor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-s.
Ministri i Brendshëm në Shqipëri, Bledi Çuçi u shfaq i keqardhur dhe i indinjuar me reagimin e organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit.
“Ndjehem i keqardhur dhe i indinjuar me reagimin e organizatës MEK ndaj Policisë së Shtetit. Shqipëria u ka ofruar gjithçka atyre për strehim humanitar, u ka ofruar siguri dhe mbrojtje edhe ndaj kërcënimeve të regjimit të Iranit”, tha fillimisht Çuçi.
Për të, ishte e paimagjinueshme dhuna dhe reagimi ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit.
“Duhet të biem të gjithë dakord që është jo vetëm shkelje ligjore për këdo që jeton në Shqipëri, brenda ligjeve shqiptare, por është edhe një lloj thyerje e kodit të mikpritjes që ne u kemi ofruar. MEK ka një marrëveshje me qeverinë shqiptare për t’u strehuar në vendin tonë vetëm për qëllime humanitare”, shtoi ministri i Brendshëm.
Zyrtari shqiptar kujtoi se muxhahedinëve u ndalohet të kryejnë çdo lloj aktiviteti politik apo protesta të çfarëdo lloji.
“Aktiviteti i tyre ka tërhequr vëmendjen e SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme ka pasur arsye të forta dhe i është drejtuar GJKKO-s për të bërë kontroll në Manëz dhe për të bërë sekuestrimin e pajisjeve elektronike që mund të kërkoheshin sipas vendimit të gjykatës”, ravijëzoi ai.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku zbuloi të gjitha detajet zyrtare të operacionit në kampin e MEK-ut në Manëz.
“Në orën 08:00 së bashku me disa drejtues policie të nivelit të lartë thirrëm në takim dhe na janë përgjigjur në takim të 6 drejtuesit kryesorë të kampit MEK. Për një orë u kemi treguar kontrollin dhe qëllimin që motivohej në vendimin e gjykatës. Gjetëm mirëkuptimin tyre për momentet e para. Pas takimit zyrtar u adresuam në hyrje të kampit dhe kërkuam hapjen e portave”, vijoi ai.
Me hyrjen në ambientet e territorit, ka nisur faza e kontrollit, shtoi Rrumbullaku.
“Për dy orë, për shkak të numrit të madh të objekteve, pasi nga ana jonë u konstatuan paligjshmëri, sa i takon evidentimit të sallave të serverëve dhe pajisjeve kompjuterike gati në 17 objekte nisi një rezistencë e organizuar e të gjithë rezidencës së kampit MEK duke u përballur me policinë dhe mos lejuar ekzekutimin e vendimit të gjykatës”, theksoi drejtuesi më i lartë i Policisë.
Ai garantoi se pas këtij momenti nga ana e forcave të policisë është kaluar në “vetëpërmbajtje ekstreme”.