Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët, Filippo Grandi, tha të premten se numri i njerëzve që kanë ikur nga Ukraina tani ka arritur në 2.5 milionë.
“Numri i refugjatëve nga Ukraina – tragjikisht – ka arritur sot në 2.5 milionë”, tha Grandi në median sociale Twitter.
“Ne vlerësojmë gjithashtu se rreth 2 milionë njerëz janë të zhvendosur brenda Ukrainës. Miliona të detyruar të lënë shtëpitë e tyre nga kjo luftë e pakuptimtë”, tha ai.
Më shumë se 1.5 milionë nga ata që janë larguar kanë shkuar në Poloni, tha të enjten presidenti polak Andrzej Duda.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë, mbi 110 mijë refugjatë kanë mbërritur gjithashtu në Gjermani nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus pak më shumë se dy javë më parë.
Policia Federale Gjermane regjistroi 109 mijë e 183 refugjatë, duke përfshirë më shumë se 13 mijë e 270 persona një ditë më parë.
Megjithatë, për shkak të mungesës së kontrolleve kufitare midis Polonisë dhe Gjermanisë, nga vijnë shumica e refugjatëve ukrainas, numri aktual i njerëzve që vijnë mund të jetë dukshëm më i lartë.
Kjo është dita e 16-të e luftimeve mes Rusisë dhe Ukrainës. Kjo e fundit ka bërë një rezistencë të lartë kundër trupave dhe bombardimeve ruse.
Ndërsa rreth 1 mijë e 300 civilë janë vrarë vetëm në Mariupol nga bombardimet ruse -mes tyre edhe fëmijë.