Tomas Strakosha dhe Kristjan Asllani janë dy nga kuqezinjtë që në verë ndryshuan ekip me qëllimin për të përballuar sfida më të mëdha në aspektin personal. Por gjërat nuk kanë shkuar sipas parashikimeve, sepse të dy nuk po luajnë me klubet aktuale dhe ka gjasa që të huazohen në vazhdim.
Strakosha la Italinë për të provuar Premier Ligën e lakmuar nga të gjithë. Ai firmosi për Brentfordin, ku deri tani nuk ka lënë asnjë gjurmë. Më së shtumti për shkak të dëmtimeve, por edhe për faktin se nuk ka mundur ta fitojë dualizmin me portierin tjetër Raja, që po luan titullar.
Portieri kuqezi tashmë ka lënë pas dëmtimet dhe është plotësisht gati, por duhet të qëndrojë në stol. Një situatë që nuk i pëlqen aspak ish-portierit të Lacios. Strakosha mund të huazohet në një ekip, ku mund të luajë rregullisht, por nuk do të ishte surprizë edhe largimi i tij përfundimtar nga Brentfordi.
Më e mundshme duket pista e huazimit për Kristjan Asllanin. Dhe në skenë kanë dalë Lacio dhe Fiorentina, që duan shërbimet e mesfushorit shqiptar. Duke parë aktivizimin me ‘pikatore’ të lojtarit elbasanas tek Interi, për të dyja palët ndoshta është më mirë që ai të kalojë në formë huazimi te një skuadër tjetër.
Asllani nuk po luan titullar as në rastet kur mungon Brozoviç, të cilin shqiptari do të zëvendësonte. Për këtë arsye Interi e bleu nga Empoli, por trajneri Inzagi heziton ta hedhë në fushë titullar Asllanin. Mesfushori kuqezi po tregohet shumë i duruar, por edhe durimi ka një kufi. Ai ka nevojë të luajë sa më shumë.