Kryeministri Rishi Sunak premtoi se do të trajtojë problemet më të ngutshme të Britanisë, nga ulja e inflacionit deri te dhënia fund e migracionit të paligjshëm.
Në një fjalim që synonte të qetësonte kritikët brenda partisë së tij Konservatore, Sunak tha se qeveria e tij do të ndërtonte “një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe brezat pasardhës”. Ai i kërkoi publikut ta gjykonte atë për rezultatet që do të arrijë në përmbushjen e 5 premtimeve, të cilat janë: përgjysmimi i inflacionit, rritja e ekonomisë, reduktimi i borxhit, shkurtimi i listave të pritjes së Shërbimit Shëndetësor Kombëtar dhe ndalimi i gomoneve të vogla që transportojnë emigrantë të paligjshëm nga Franca përtej Kanalit Anglez.
Për BBC, çështja e emigracionit nuk mori sqarimet e duhura. Sunak pranoi se ishte një çështje e vështirë për t’u adresuar, por tha se një marrëveshje e bërë me Francën vitin e kaluar nënkuptonte se 40% më shumë patrulla po ndodhnin në Kanal.
Sunak përmendi gjithashtu marrëveshjen me Shqipërinë, e cila, siç tha kryeministri britanik, do ta bënte më të lehtë kthimin e emigrantëve të paligjshëm që kanë shkuar në Mbretërinë e Bashkuar. Sunak e përfundoi përgjigjen e tij duke thënë se lloji i sistemit që ai “beson se ka kuptim” ishte ai në të cilin legjislacioni lejon që Mbretëria e Bashkuar të dërgojë të ardhurit e paligjshëm atje nga janë – ose në një vend tjetër të sigurt, duke iu referuar Ruandës.