Njofton tërheqjen nga tenisi i luajtur në moshën 41-vjeçare Roxher Federer. Kampioni zviceran e ka dhënë vetë lajmin me anë të një mesazhi audio në Instagram.
“Laver Cup do të jetë turneu im i fundi, – shprehet Federer. – Jam 41 vjeç, tenisi më ka trajtuar më mirë se askush tjetër”. Janë këto fjalët që asnjë fans i tenisit nuk do të donte t’i dëgjonte, edhe pse lamtumira e zviceranit ishte e pritshme.
Roxher Federer është një nga tenistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Ai ka fituar 20 turne Slam, nga të cilët 6 Australian Open, 1 Roland Garros, 8 Uilmbëlldon dhe 5 Us Open. Zvicerani ka një palmares shumë të pasur në karrierë me 103 trofe të fituar.
Federer regjistron 1251 fitore në karrierën e tij si tenist profesionist. Dekadat e fundit ka qenë pjesë e rivalitetit të fortë me Rafael Nadal dhe Novak Gjokoviç.
Federer kohët e fundit ka pasur dëmtime të shpeshta që nuk e kanë lejuar të luajë rregullisht. Ai ka shkruar edhe një letër latumire, ku falënderon të gjithë ata që e kanë ndihmuar në karrierën e tij brilante.
“Kam luajtur më shumë se 1500 ndeshje në 24 vjet. Duhet kuptuar kur vjen momenti për t’i dhënë fund karrierës. Në Londër javën e ardhshme do të luaj turneun e fundit. Do luaj sërish tenis në të ardhmen, natyrisht, por jo në Grande Slam apo ture.
E ndjej veten një nga njerëzit më me fat në tokë. Më është dhënë një talent special për të luajtur tenis dhe e kam bërë në një nivel që nuk e kisha imagjinuar kurrë, për më shumë kohë sa mendoja.
Dua të falënderoj veçanërisht bashkëshorten time fantastike Mirka, që ka jetuar çdo minutë me mua. Më ka bërë nxemjen para finaleve, ka ndjekur ndeshje të panumërta për më shumë se 20 vjet. Falënderoj edhe katër fëmijët e mi të mrekullueshëm, që më kanë mbështetur gjithmonë.
Të shihja familjen të bënte tifo për mua nga shkallët ka qenë një ndjenjë që do të ruaj gjithmonë. Falënderoj edhe prindërit e mi dhe motrën time, pa të cilën asgjë nuk do të ishte e mundur. Një falënderim të veçantë për të gjithë ish-trajnerët që më kanë udhëhequr në drejtimin e duhur. Jeni të mrekullueshëm! Edhe tenisin zviceran, që besoi tek unë që në moshë të vogël”, – shkruan mes të tjerash në letër Federer.