Pas ndeshjeve të para në grupe të Botërorit të Katarit është zbuluar edhe formacioni më i mirë. Nga Kurtua në portë, te Riçarlison në sulm, për të kaluar te talentet e Spanjës Gavi dhe Ferran Torres, dhe francezët Rabiot e Zhiru.
Tibo Kurtua
Nëse Belgjika kryeson grupin, është meritë mbi të gjitha e portierit Kurtua. Priti penalltinë e Alfonso Davis ndaj Kanadasë, por jo vetëm kaq. Rolin e titullarit mund ta ndajë në fakt me Guilermo Oçoan, legjendë e Meksikës që mrekullon edhe 37 vjeç. Priti penalltinë e Levandovskit.
Danilo
Nota 7 për brazilianin në ndeshjen ndaj Serbisë. Lexon mirë çdo situatë dhe bashkë me Tiago Silvën formon një çift të besueshëm, edhe pse të dy bëjnë gati 70 vjeç. E mbylli ndeshjen duke çaluar, por nuk duket një situatë shumë shqetësuese.
Hasan Al-Tambakti
Me një paraqitje shumë të mirë ndaj Mesit me shokë u shndërrua në një simbol i Arabisë Saudite. Më shumë se 100 minuta luftë dhe përqendrim në fushë dhe ia doli ta bëjë këtë pa u ndëshkuar.
Jakub Kivior
Një lojtar i lakmuar nga shume klube big, ai ishte ndër më të mirët e Poloni-Meksikë. Mbrojtësi 22-vjeçar duket që tani si një veteran me kombëtaren e tij.
Zhordi Alba
Nëse Spanja ka mahnitur botën në debutim ndaj Kosta Rikës, është edhe meritë e tij. I bëri kundërshtarët të vuajnë në krahun e majtë, dha asistin e golit të parë dhe fitoi një penallti.
Adrien Rabiot
Mesfushori i Juventusit po përjeton një moment të artë. Mbajnë firmën e tij një gol dhe një asist në ndeshjen debutuese ndaj Australisë. Një lider i heshtur që po bën të harrohet Pogba.
Gavi
Lojtari më i ri debutues me fanellën e Spanjës dhe shënuesi i tretë më i ri në moshë në Botëror. Duhet shtuar edhe një asist për 18-vjeçarin e Barcelonës, që rrëmbeu skenën në ndeshjen e parë të Spanjës.
Jude Belingham
Autor i golit të parë të Anglisë kundër Iranit. Lojtari i datëlindjes 2003 që luan për Borusia Dortmund konsierohet si një nga të rinjtë ë të fortë të Botërorit. Kaloi pritshmëritë në ndeshjen e parë, duke treguar personalitet jashtë të zakonshmes.
Si ndërrim i parë në mesfushë do të kishte një balotazh mes Al-Dausari, kapiten Arabisë Saudite, dhe Asensios, që mori pjesë në festivalin e golave të Spanjës.
Olivier Zhiru
Me dopietën e shënuar ndaj Australisë, u bë shënuesi më i mirë për Francën (bashkë me Henri 51 gola). Me paraqitjen e tij bëri të harrohej ‘Topi i Artë’, Karim Benzema. Sulmuesi i Milanit është në formë shumë të mirë.
Riçarlison
Brazili nën këmbët e tij. Tite e zgjidhi që në fillim, pavarësisht konkurrencës së pamëshirshme në sulm. Lojtari i Totenhemit e shpërbleu me një dopietë që në ndeshjen e parë. Roveshiata ndaj Serbisë është goli më i bukur i ndeshjeve të para në grup të Botërorit.
Ferran Torres
Nuk është një ‘i rekomanduar’. Dhëndri i trajnerit Luis Enrike shënoi 2 gola ndaj Kosta Rikës, duke treguar se është një finalizues perfekt i një Spanje që lëviz në mënyrë të mrekullueshme. Ka shënuar 15 gola në 31 ndeshje me Spanjën, shifra domethënëse.
Ndërrimi i parë në sulm do të ishte Ener Valencia, bomberi i Ekuadorit, që në moshën 33vjeçare realizoi një dopietë ndaj Katarit.