Për Albert Stronin nuk kishte kthim pas. Pas një mbrëmjeje të largët në vitin 1990, në familje së bashku me prindërit, vëllezërit dhe kunatin e tij, ai u tregonte atyre se në transfertën e radhës që Shpresat e Shqipërisë do të zhvillonin në Spanjë, e kishte ndarë mendjen për të kërkuar strehim politik. Në një intervistë të dhënë për gazetën spanjolle “El Pais” në vitin 2016, ai ka rrëfyer atë mbrëmje drithëruese në shtëpinë e tij.
Ka kujtuar se si familjarët shpërthyen në lot fill pasi u tregoi planin për t’u “arratisur” për një jetë më të mirë. Edhe ai vetë emocionohet teksa kujton ndodhinë e shumë viteve më parë.
Ishin vitet kur Shqipëria po rrekej të ndahej me të kaluarën e saj komuniste dhe për të nisur një stad të ri të zhvillimit politiko-ekonomiko-shoqëror. Sot Albert Stroni jeton në Spanjë, në Monforte de Lemos (pranë Lugos) ku është sipërmarrës.
Ai merret me tregti makinash, në qytetin për të cilin ka dhënë një kontribut të madh në karrierën e tij sportive. Më poshtë po ju sjellim intervistën e dhënë prej tij më 15 qershor 2016 për gazetën e madhe spanjolle “El Pais”.
Si ishte rregjimi i Enver Hoxhës?
Ishte një regjim i hekurt, të paktën deri në momentin kur aleatët tanë të mëdhenj, Bashkimi Sovjetik dhe Kina, na braktisën. Në fund të viteve ’80 situata ishte e padurueshme, veçanërisht në planin ekonomik.
Pa ndihmën e huaj, shumë nga fabrikat pushuan së funksionuari. Madje, kujtoj një thënie të asaj kohe:
“Më mirë hamë bar se t’u kërkojmë hua imperialistëve dhe kapitalistëve”. Me këtë shprehje në xhep rrezikuam urinë. Na mungonte buka dhe kushtet më minimale për jetesë. Na kishin bërë lavazh truri.
Çfarë mendonit kur udhëtonit me Shqipërinë e futbollit në Europë?
Ishim nën vëzhgim dhe të paralajmëruar për çdo veprim që bënim, për çdo hap që hidhnim. Ne nuk mund të komentonim për asgjë dhe për askënd. Ka pasur madje raste ekstreme, kur babai ka spiunuar të birin.
Ishte një diktaturë e tmerrshme, ndërkohë që nga krahu tjetër propaganda bënte punën e vet. Na thuhej se uria vinte nga kapitalizmi dhe se kapitalizmi ishte një regjim i korruptuar e i marrë fund.
Si ishte politika e represionit?Çfarë nënkuptonte?
Ishte shumë e ashpër. Çfarëdo të thuhej kundër regjimit kishte pasoja të rënda. Quheshin të dënuar politikë, por asnjëri prej tyre nuk kishte një avokat mbrojtës. Ka pasur edhe ekzekutime, qoftë edhe pa gjyq.
Kishte dhe raste kur i internonin njerëzit në zona shumë të thella të Veriut të Shqipërisë. Nuk mund të dëgjonim radio të huaja, italiane për shembull.
Për besimin fetar as që mund të diskutohej: shumë vepra kulti u shkatërruan, një pjesë e mirë e klerit u zhduk, sepse komunistët ecnin me parimin që feja vetëm mashtronte popullin. Gjithçka ishte e kontrolluar nga Sigurimi (policia sekrete).
Si funksiononte Sigurimi?
Ai vetëm zbatonte urdhra që vinin nga lart. Ata ishin rritur në këtë klimë dhe besonin verbërisht se kjo ishte më e mira për vendin, për popullin. Vëzhgonin nëse kishte antena TV jashtë normales, sikurse dhe veshjen.
Nuk lejoheshe të mbaje pantallona të gjera ose model kauboj. Nuk lejoheshin flokët e gjatë, mjekra apo barsetat, një çmenduri. Në vitin 1984 gjërat sikur kishin nisur të ndryshonin, sepse të afërmit që kishim jashtë mund të na sillnin ndonjë veshje, për shembull si xhinset.
Sa i rëndësishëm ishte futbolli për shoqërinë shqiptare?
Ka qenë gjithnjë sporti më i rëndësishëm. Ishte nga të paktat kënaqësi që nuk të mohohej edhe pse askush nuk mund të largohej për të luajtur në kampionatet e huaja.
Një lojtar shqiptar lindte dhe vdiste në kampionatin vendas dhe natyrisht kjo i bëri dëm futbollit, sepse e pengoi të rritej, të zhvillohej. Kujtoj se në vitet ’80 ka pasur lojtar të shkëlqyer, por që nuk patën fatin të luajnë jashtë.
Veç Apolonisë keni luajtur edhe për Dinamon…
Po, ishte ekipi i Ministrisë së Brendshme, i policisë. Për të nënshkruar me Dinamon u desh një urdhër i ministrit sepse unë isha student. Edhe mua, isha si gjithë të tjerët, më dhanë punë dhe shtëpi.
Punë?
Na emëronin në një ndërmarrje shtetërore, por nuk ishte e thënë të shkonim. Shkoja në punë vetëm të hënën kur e kishim pushim në stërvitje. Por, më së shumti nuk shkonim.
Si ishte shkolla e futbollit në Shqipëri?
Ishte një imitim i stërvitjeve të modelit sovjetik, çek, polak dhe rumun. Pak a shumë modelet e ndjekura nga profesorët tanë të futbollit.
Stërvitja më së shumti ishte e fokusuar te ngarkesa fizike, ndërsa anës teknike dhe asaj taktike nuk i kushtohej shumë rëndësi. Trajnerët tanë ishin shumë të rreptë kur vinte puna te disiplina. Orari ishte i qartë: autobus-hotelnjë orë për të darkuar dhe fjetje.
Si vendosët të largoheshit?
Ishte viti 1990. U ulëm së bashku me familjen për ta vendosur. Ishte një atmosferë e tmerrshme, sepse e dinim se rrezikonim të humbnim kontaktet përjetë. Por familja ime u tregua e guximshme, me mjaft kurajë, sepse e kuptuan se kjo ishte për të mirën e fëmijës së tyre, për të pasur një jetë më të mirë, një jetë më të denjë.
Si ndodhi?
Kishim një ndeshje kundër Spanjës së Guardiolës dhe Luis Enrikes. Nuk isha i vetëm në nismën time. E dija se edhe një nga shokët e ekipit dëshironte të largohej nga Shqipëria, pasi kishim diskutuar mes nesh gjatë një udhëtimi të mëparshëm në Zvicër.
Menjëherë pas ndeshjes i thashë të merrnim një taksi e të largoheshim. Në makinë ndodheshim edhe me dy persona të tjerë. Ai kujtoi fillimisht se po e provokoja. Kjo do të ishte diçka e rëndë, sepse ne e dinim se çfarë do të thoshte në Shqipëri tradhtia ndaj vendit.
Por, në fakt, nuk ishte kështu, e kishim ndarë mendjen. Ne zbritëm nga makina, kurse të tjerët vazhduan. Më pas u mundova të kontaktoja me një gazetar që e kisha njohur në Huelva. Në pamundësi për t’u lidhur me të, për të kontaktuar, vendosëm ta kalonim natën në një diskotekë dhe me të gdhirë shkuam në komisariatin e policisë dhe kërkuam azil.
Çfarë ndodhi me familjen pas arratisjes suaj?
Prindërit e mi i dëbuan nga puna dhe vendosën t’i internonin në një vend malor. Por vendimi nuk u ekzekutua, pasi nisi përmbysja e regjimit dhe ata shpëtuan. Katër muaj nga arratisja u ktheva në Shqipëri, sepse fakti që kërkova azil politik e bënte të pamundur aktivizimin tim si futbollist për një vit e gjysmë.
Si rrodhën ngjarjet dhe trazirat në Ballkan?
Vendi ishte pa qeveri dhe nuk kishe as rezerva monetare për të mbijetuar. Natën ishte e pamundur të dilje rrugëve. Kanë qenë vite shumë të vështira, që prekën çdo fushë të jetës, përfshirë futbollin. Futbolli u ashpërsua, u bë i dhunshëm. Unë luaja për Apoloninë, por ishte e pamundur të luaje në fushat kundërshtare, ishte një kafshëri, të rrihnin, të thyenin autobusin…
Po Shqipëria e futbollit ia doli dhe u kualifikua për në Europian…
Ky është reflektim i një vendi të tërë. Karakteri ynë na bën të jemi konkurrues. Mund të humbasim ndaj kujtdo, por jo pa ia bërë jetën të vështirë. Shqipëria është rritur shumë, sepse gati të gjithë lojtarët e Kombëtares luajnë në kampionatet e huaja.
Si është kampionati në Shqipëri?
Ka investime, por problemi qëndron te mafia. Ata që drejtojnë futbollin, janë të njëjtët persona që drejtojnë firma të korruptuara. Zgjidhja dhe rregullimi i sistemit do të jenë të gjatë dhe të vështirë.