Janë 38 persona, mes të cilëve specialistë të kërkim-shpëtimit, mjekë dhe infermierë, të nisur nga Shqipëria drejt Turqisë, për të ndihmuar në gjetjen e të mbijetuarve nga tërmeti shkatërrues i rënë në rajonin e Gaziantep-it mëngjesin e 6 shkurtit.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, i cili ka shpjeguar se grupi do të niset brenda pak orëve, për t’ju bashkuar homologëve të tyre në Turqi.
“Për pak orë besoj që do të nisen drejt destinacionit përkatës. 38 persona janë ekip, specialist të kërkim-shpëtimit dhe mjekë dhe infermierë. Bëhemi pjesë e dhimbjes së madhe të popullit turk por edhe me gatishmëri”, ka bërë me dija Çako.
Ndër të tjera, ai ka shpjeguar se për momentin, nuk janë raportuar viktima nga Shqipëria në asnjë prej rajoneve të prekura.
Teksa, Qeveria shqiptare dhe në veçanti Ministria e Mbrojtjes dhe strukturat e Emergjencave Civile, janë në kontakt të vazhdueshëm me kolegët në Turqi, për të bërë të mundur koordinimin për çdo ndihmë të nevojshme që pala turke ka.
Prej grupit të kërkim-shpëtimit, 26 janë forca të trajnuara dhe specialistë të emergjencave të tilla.
Bilanci tragjik
Është rritur në përmasa të mëdha bilanci i të vdekurve për shkak të tërmetit të fuqishëm me magnitudë 7.8, i cili goditi në kufirin mes Turqisë dhe Sirisë, ku sipas bilanceve të deri tanishme, 1 mijë e 14 persona kanë humbur jetën në Turqi dhe 783 të tjerë në Siri.
Mbi raportin e fundit të vdekjeve nga radhët e turqve, raportoi vetë presidenti, Recep Tayyip Erdogan, i cili bëri një rezyme të zhvillimeve.
Pala siriane ndërkaq, përkatësisht ministria e Shëndetësisë, në punë së bashku me organizata të ndryshme jo-qeveritare, kanë bërë me dije se 783 persona janë vrarë dhe 639 të tjerë janë plagosur.
Në Turqi ndërkaq, mijëra persona kanë marrë lëndime.
Tërmeti goditi në orën 04:17 me atë lokale, në një thellësi prej 17.9 kilometrash, pranë qytetit Gaziantep, por në realitet të prekur kanë qenë 10 qytete në tërësi, përfshi edhe Diyarbakir-in.
Mes dhjetëra pasgoditjeve, një tepër e fuqishme ka goditur rreth mesditës, me një magnitudë 7.7 Rihter.
Shumë prej ndërtesave janë shembur dhe qindra ekipe kërkim-shpëtimi ndodhen në terren për të bërë të mundur evidentimin e çdo të mbijetuari, apo trupi që ka humbur jetën.
Në një deklaratë për media, ishte ministri i Brendshëm turk, Suleymon Soylu, ai i cili bëri një bilanc paraprak, duke përsëritur se qytetet e prekura nga ana turke ishin Gaziantep, Kahramanmaras, Hatay, Osmaniye, Adiyaman, Malatya, Sanliurfa, Adana, Diyarbakir dhe Kilis.
Nga ana tjetër, në Diyarbakir, është raportuar nga korrespondetët e medias shtetërore britanike BBC, se një qendër e tërë tregtare është shembur, por nuk dihet nëse brenda saj kishte punëtorë të shumtë apo jo.
Prej anës siriane, raportimet janë më të pakta dhe priten përditësime mbi shifrat e humbjes së jetëve dhe dëmeve të shkaktuara.
Lëkundjet e forta u ndjenë gjithashtu në Liban dhe Qipro. Ndërsa, sizma më të lehta, janë ndjerë edhe në Lindjen e Mesme, me raportime deri në Rripin e Gazës, ku ka pasur tronditje për rreth 45 sekonda.
Turqia bën pjesë në një rrip sizmik, ndër më aktivët në gjithë botën dhe të tilla tërmete, nuk janë të rralla atje.
Në vitin 1999, më shumë se 17 mijë njerëz humbën jetën, pasi një tërmet i fortë goditi veri-perëndimin e vendit.
Në një mesazh të menjëhershëm pas ngjarjes, Erdogan ka premtuar ndihmë për çdo të prekur dhe ka kërkuar solidaritetin e gjithë komunitetit ndërkombëtar.
Këta të fundit janë përgjigjur pozitivisht dhe kanë dërguar grupe të posaçme shpëtimi drejt Turqisë.
Të njëjtën gjë e ka bërë menjëherë edhe Shqipëria, ku përmes një postimi në Twitter, ka qenë kryeministri Edi Rama, ai i cili ka bërë me dije se një grup kërkim-shpëtimi do të asistojë homologët turq.
Sa i përket 10 rajoneve të prekura, shkollat do të mbyllen provizorisht për një javë aty, deri në mobilizimin e situatës.
Lidhur me shtetasit shqiptarë, rezidentë në Turqi, sipas raportimeve nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nuk ka pasur nga ata, të prekur nga tërmeti.
Teksa, për raste emergjente në zonat ku tërmeti ka shkaktuar dëme, janë vendosur në dispozicion dy numra telefoni.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë Ankara: +90 549 5611985
Konsullata e Republikës së Shqipërisë Stamboll: +90 539 6566219