Negociatat online mes delegacionit rus dhe atij ukrainas do të rifillojnë më 1 prill.
Lajmin e ka bërë të ditur në kanalin e tij “Telegram”, kryetari i fraksionit Shërbëtori i Popullit, njëkohësisht anëtar i grupit negociator, David Arakhamia.
“Në bisedimet e Turqisë, ne njoftuam mbi nevojën për një takim mes liderëve të dy shteteve. Delegacioni rus u përgjigj se fillimisht duhet të kemi një projekt-traktat më të koordinuar”, shkruan fillimisht Arakhamia.
Sipas tij, brenda një jave pala ukrainase do të punojë për kërkesat e pjesëmarrësve në procesin e negociatave.
Zyrtari ukrainas shpreson që delegatët e vendeve do të vazhdojnë të takohen.
Në të njëjtën kohë, ata insistojnë që një takim i tillë të mos bëhet në territorin e Rusisë apo Bjellorusisë.
Më 29 mars, raundi i radhës i bisedimeve midis Ukrainës dhe Rusisë u zhvillua në Stamboll.
Delegacioni ukrainas përcolli propozimet dhe vizionin e tij për përfundimin e luftës.
Bëhet fjalë, veçanërisht, për një status neutral në këmbim të “garancive të sigurisë” me pjesëmarrjen e Federatës Ruse dhe një sërë vendesh perëndimore, që do të korrespondonte me Statutin e 5-të të NATO-s.
Ukraina propozon gjithashtu që në marrëveshjen e ardhshme të parashikohet që të gjitha vendet garantuese jo vetëm që të mos kundërshtojnë anëtarësimin në BE, por duhet të ndihmojnë në këtë proces.