Trajneri Edi Reja ka humbur edhe tre lojtarë të rëndësishëm për miqësoren e së martës me Gjeorgjinë. Ata janë tre lojtarët që aktivizohen në La Liga, mbrojtësin Ivan Balliu, mesfushorin Keidi Bare dhe sulmuesin Myrto Uzuni.
Këta lojtarë nuk kanë qenë me grupin, që iu rikthye stërvitjes ditën e diel, pas ndeshjes me Spanjën. Bare ka pasur një tërheqje muskulore dhe pas konsultimit me stafin mjekësor, u vendos që të mos udhëtojë drejt Tiranës, por të vazhdojë rikuperimin tek Espanjoli.
Mbrojtësi Ivan Balliu do të mungojë në miqësoren ndaj Gjeorgjisë, sepse ishte rënë paraprakisht dakord që ai të luante vetëm në miqësoren ndaj Spanjës e më pas do të kthehej te klubi i tij, ku do të bënte dozën e tretë të vaksinës anti-Covid. Myrto Uzuni qëndroi në Spanjë, pas kërkesës së Granadas për ta pasur lojtarin në dispozicion për ndeshjen e kampionatit.
Kombëtarja u stërvit edhe sot paradite në Barcelonë, për të udhëtuar më pas drejt Shqipërisë.
Pas asaj paraqitjeje pozitive ndaj Spanjës, Shqipëria luan të martën edhe një miqësore tjetër ndaj Gjeorgjisë. Kundërshtari është më i lehtë dhe trajneri Reja ka një mundësi të mirë për të testuar lojtarët e rinj që ka grumbulluar këtë herë.
Kristjan Asllani dhe Adrian Bajrami mund të nisin nga minuta e parë ndeshjen që do të zhvillohet në “Air Albania”. Trajneri italian pritet të ruajë boshtin e skuadrës, por kuptohet që është nga ndeshje ku lejohen më shumë eksperimente, kështu që formacioni do të pësojë goxha ndryshime në raport me sfidën e Barcelonës.
Të tre repartet do të pësojnë ndryshime. Në portë pritet të aktivizohet Strakosha, në mbrojtje Bajrami mund të zërë vend në treshe, ku trajneri Reja mund të lërë pushim një nga “senatorët”, ndoshta Kumbullën.
Në mesfushë pritet të kenë hapësirë Asllani dhe Çekiçi në qendër, kurse në krahë Lenjani dhe Roshi. Broja mund ta nisë edhe këtë ndeshje nga minuta e parë, kurse për vendin e Cikalleshit ka një balotazh mes Vrionit dhe Manajt. Këto janë ndryshimet e mundshme ndaj Gjeorgjisë, por nuk përjashtohet ndonjë surprizë e trajnerit Reja.