Twitter-i ka ndryshuar markën dhe logon e tij në X.
X-i i bardhë në një sfond të zi ka zëvendësuar zogun blu identifikues të rrjetit social, megjithëse ende nuk është shfaqur në aplikacionin celular.
Sakaq, edhe tweet-et do të zëvendësohen gjithashtu, sipas pronarit Elon Musk, dhe postimet do të quhen x.
Miliarderi ndryshoi foton e tij të profilit në logon e re dhe shtoi X.com në biografinë e tij në Twitter.
Musk dëshiron të krijojë një “super aplikacion” të quajtur X – vizioni i tij për një lloj të ri platforme të mediave sociale për të cilën ai ka folur prej muajsh.
Miliarderi ka thënë më herët se po kërkonte të ndryshonte logon e Twitter-it. Ai më pas ndau një foto të markës së re X të projektuar në selinë e Twitter-it në San Francisko.
Musk, i cili ka ndryshuar emrin e biznesit në X Corp, ka thënë se zëvendësimi duhej të ishte bërë shumë kohë më parë.
Linda Yaccarino, shefja e re ekzekutive e Twitter-it, ka shkruar në platformë se riemërtimi ishte një mundësi e re emocionuese.
“Twitter bëri një përshtypje të madhe dhe ndryshoi mënyrën se si ne komunikojmë. Tani, X do të shkojë më tej me transformimin”, ka thënë ajo.
Për disa njerëz në Azi, super-aplikacionet duke përfshirë PayTM të Indisë dhe GoJek të Indonezisë kanë qenë një pjesë jetike e jetës së përditshme gjatë viteve të fundit.
Aplikacionet i lejojnë përdoruesit të paguajnë për shërbimet përmes një sistemi financiar.
WeChat është një platformë mesazhesh dhe media sociale që është shndërruar në një nga aplikacionet më të mëdha të rajonit për sa i përket gamës së shërbimeve dhe numrit të përdoruesve.
Vitin e kaluar, u vlerësua se kishte 1.29 miliardë përdorues vetëm në Kinë.
Drew Benvie, komentatori i mediave sociale, ka thënë se “Musk po ecën plotësisht në hapësirën e super-aplikacioneve, duke e lënë Twitter-in e vjetër dhe duke parë sukseset e të tjerëve të Azisë si WeChat”.
“Të ketë sukses në vetëm disa shërbime shtesë, të tilla si blerjet ose pagesat, mund të jetë gjithçka që nevojitet për ta bërë X-in më të mirë se Twitter-i. Por tashmë ka kaq shumë alternativa”, ka thënë ai.
Obsesioni X
Musk ka qenë prej kohësh i magjepsur me germën X – edhe pse askush nuk e di pse.
Një nga sipërmarrjet e tij të para të biznesit në vitin 1999 ishte i njohur si X.com, e cila ishte një platformë bankare në internet.
Vetëm tre vjet më vonë, Musk fitoi 165 milionë dollarë kur X.com u ble nga eBay.
Ai zotëron gjithashtu emrin e domenit X.com, i cili tani ridrejtohet në Twitter.
Musk është po ashtu shefi ekzekutiv i SpaceX-it, kompania tregtare amerikane e hapësirës ajrore e themeluar në vitin 2002.
Ekziston edhe emri i fëmijës së tij të parë me muzikanten Grimes – X Æ A-12 Musk.
Musk ka nxjerrë së fundmi edhe startup-in e tij të shumëpritur të inteligjencës artificiale – xAI – në një përpjekje për të ndërtuar një alternativë ndaj ChatGPT-së.