Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

“Morbus Albanensis”, “sëmundja” që i mban të lidhur të huajt me Shqipërinë

Përgatiti: Mendrit Shehu– ‘’Kur e pashë atë vend u mrekullova nga malet e lartë dhe nga fisnikëria e njerëzve”. Kjo fjali ka shekuj që përsëritet. Udhëtarë, diplomatë, nganjëherë spiunë e agjentë, mrekulloheshin nga gjendja e një vendi, e cila ishte aq larg rrëmujës së metropoleve mondane dhe luksit që nuk të ofron asgjë përveçse kënaqësive të fillimit.

“Morbus Albanensis”, shprehja është shumë e dëgjuar për të huajt që kanë jetuar në Shqipëri, por jo për ne shqiptarët. “Sëmundja e Shqipërisë” pra, është një fenomen që duhet ta njohim edhe ne vetë. “Sëmundja e Shqipërisë”, një gjendje që nuk ka se si të përcaktohet nëse nuk shpjegojmë historitë e të sëmurëve në radhë të parë. Byron, Nopcsa, Hahn, Durham, Baldacci… e kështu me radhë, të gjithë këta e kanë ndjerë herë pas herë nevojën që të jetonin në stanet e barinjve shqiptarë apo të shëtisnin nëpër rrugicat e ngushta të Shkodrës, Gjirokastrës dhe të qyteteve të tjera.

Në udhëtimin e tij mëse dyqindvjeçar në “Morbus Albanensis”, disa raste janë të njohur, disa mbase kanë qenë të çmendur, disa i ka shtyrë ndonjë histori e dështuar dashurie që të fshihen në gërxhet e malësorëve. “Morbus Albanensis” është e vetmja nga radha e gjatë e sëmundjeve të cilën nuk duhet të mundohemi ta luftojmë, përkundrazi duhet të mundohemi ta kemi.

KRALICA E MALËSORËVE

Anglia është vendi tipik i udhëtarëve. “Perandoria, ku dielli nuk perëndon kurrë”, është mbase vendi ku janë shkruar më shumë libra udhëtimi se në çdo vend tjetër. Pikërisht këtu, në një natë me mjegullën tradicionale angleze, u lind Edith Durhami, një emër që më vonë do të përbënte plot gjëra, sidomos për ne shqiptarët. Mund të tingëllojë si një çudi, por ka qenë vërtet kështu. Një sëmundje, një depresion i shkaktuar nga vdekja e të atit të saj e ka detyruar Durhamin që të ndërmarrë udhëtimet e para. “Duhet ndryshuar klimë e ambient”, mjeku që ka thënë këto fjalë as që e shkonte ndërmend se po e çonte Edithin drejt një sëmundjeje tjetër: Morbus Albanensis. Në një moshë ‘të vështirë, 37-vjeçare, pa ndonjë perspektivë të madhe dhe ende e hidhëruar tmerrësisht nga vdekja e të atit, Durhami niset të shohë toka të reja. Fati i saj deshi që të shohë edhe tokën e shqiptarëve. Shkodra ishte kontakti i saj i parë me “vendin e shqipeve”. Në 1896 Shkodra ishte një nga qytetet më të rëndësishme të krejt Orientit. E “mbërthyer” në një pozicion nga i cili atëherë vetëm se mund të buronin para, qyteti i lashtë filloi të kishte një periudhë lulëzimi ekonomik, që i bëri mjaft përshtypje anglezes që vinte nga një botë tjetër.

Edith Durham

“Virusi” tashmë kishte hyrë. Disa vjet më vonë, më 1904, Durhami nis të udhëtojë në zona të tjera të Shqipërisë. Aftësia për t’u çuditur vazhdon të jetë gjithnjë e fortë te anglezja dhe përshkrimet që ajo ka lënë më pas janë të mbushura me histori që përshkohen nga ironia e hollë angleze: “Ndonëse ishin shumë të sjellshëm dhe erdhën bile më mbuluan këmbët kur kujtuan se më kishte zënë gjumi, vllahu gërhiste si bubullimë, ndërsa myslimani ngrihej e bënte kafe sa herë që i donte qejfi”. Rrugëtimi i gjatë i Durhamit nëpër trojet e rraskapitura shqiptare do të vazhdojë deri në vitet e zjarrta të Luftërave Ballkanike, por lidhja tashmë ishte krijuar. Në 1928 Ahmet Zogu do t’i jepte urdhrin më të lartë shqiptar të asaj kohe: Urdhrin e Skënderbeut. Durhami mbylli sytë në dheun e saj, duke kujtuar gjithnjë Shqipërinë. “Morbus Albanensis” kishte rezultuar sëmundje e pashërueshme.

BALDACCl, NJERIU I LULEVE

Antonio Baldacci ishte botanist. Nga profesioni i duhej që të bridhte maleve e gërxheve që të zbulonte lloje të reja bimësh, të cilat të parët e tij nuk i kishin parë me sy. Gërxhe, shpate, shkëmbinj e të tjera si këto, Shqipëria ka pasur gjithnjë me shumicë. Antonio nga Xhenova ka lënë pas shumë punime mbi Shqipërinë. Ky është një tjetër i sëmurë nga “infeksioni” që përmendëm më sipër. Udhëtimin e parë nëpër territoret shqiptare e ndërmerr më 1888. Që prej këtij viti e deri shumë më vonë nuk do të shmangej dot nga magjia e të qëndruarit nëpër vatrat e malësorëve, e të dëgjuarit legjenda dhe pse jo… nga ngrënia e një pjate të thjeshtë, me fasule të gatuar sipas mënyrës tradicionale.

Antonio Baldacci

Libri i tij më i njohur – “Itinerari Albanesi” – ka mbetur ende shembulli i njërit prej dokumenteve më interesante. Baldacci vdiq vonë në kohën e fashizmit. Vepra e tij u propagandua nga fashistët si shembulli i një miqësie të vjetër që “lidh dy brigjet tona”. Ishte vërtet kështu, por fashistët në këtë rast nuk kishin si të dinin faktorin “Morbus Albanensis”. Studimet për sëmundjen e vjetër donin edhe disa vite që të provoheshin.

DOKTORËT E VEGJËL ANONIMË

Zakonisht historinë e bëjnë njerëzit që lënë diçka pas vetes. Hahn, Durham dhe të tjerë kanë lënë pas vetes me mijëra faqe botime. E gjithë kjo histori ka edhe një anë tjetër, atë të të huajve që nuk janë dukur dhe aq shumë në faqet që përbëjnë publicitet. Zakonisht mjekë, kanë mbërritur në Shqipëri për arsye të ndryshme dhe janë ngulur këtu për shumë kohë derisa janë shuar duke u varrosur thjesht si shqiptarë. I pari i Marubëve është njëri prej tyre, por për të tashmë është shkruar gjerë e gjatë. Disa prej të “sëmurëve” që kanë mbetur nën hije…

Quhej Emilio Tedeschini. Nuk dihet sepse në vitin e largët 1766 u ngulit në Shkodër. Vinte nga Napoli dhe arriti të krijojë shpejt një rreth të gjerë klientësh personalë, nga familjet e pasura. Tedeschini më pas u shpërngul për në Durrës. Vdiq më 1868 dhe la pas një djalë, i cili konsiderohet ende si farmacisti më i vjetër i Shkodrës. Të dhënat mbi Tedeschinin e dytë humbasin në mjegullën e shekujve, por lista e të sëmurëve tanë vazhdon të shtohet…

Shumë të huaj kanë hyrë e kanë dalë ndër këto troje. Njëri prej tyre vinte nga Austria, quhej Franz Piohler. Sikur të kishte kohë, edhe ky pa dyshim do të ishte bërë njëri ndër mjekët e njohur të Shkodrës së Bushatllive, por nuk mundi. Ra pritë e një atentati.

Kolegji i njohur i jezuitëve italianë në Shkodër

Një tjetër, Telesforo De Clericis kishte shërbyer për shumë vjet si mjek i ushtrisë së Bonapartit. Askush nuk e di se si përfundoi në Shkodër. Dokumentet e arkivave e përmendin dy herë. Një herë kur i vdes e shoqja dhe herën tjetër kur martohet për së dyti. Dihet vetëm se ishte nga Milano dhe se shërbeu si mjek i Bushatllive për shumë kohë. Pierre Thomas ishte një tjetër mjek që jetoi në Shkodër në fillim të shekullit të kaluar. Në regjistrat e kishës janë të regjistruar një tufë fëmijësh që francezi la pas vetes. Sëmundja kishte nisur të hidhte rrënjë të forta… Quhej Simini, por shkodranëve u shkonte për shtat ta thërrisnin Doktor Jasemini. Në Shkodër erdhi direkt nga qyteti i tij, nga Leçja. Bëri shumë mrekullira aty nga mesi 1 shekullit të kaluar dhe la pas një lumë gojëdhënash. Nuk dihet fati i mëtejshëm i tij. Dihet vetëm se u martua me një vajzë katolike vendase.

Klinika e Doktor Jasemint

Tufani që shkaktoi revolucioni garibaldian në Itali dërgoi në Shqipëri një grumbull të madh “të sëmurësh”. Filippo Marmocchi kishte qenë një garibaldian i vendosur. Kur dështoi kryengritja kundër Burbonëve të Napolit nuk i mbeti gjë tjetër veçse të hidhte sytë – si shumë të tjerë – nga bregu përballë. Në Shkodër la pas nam të mirë dhe një histori që do ta vazhdonin plot të tjerë. Me sa duket jo vetëm shqiptarët paskan qenë popull refugjatësh.

Rudolf Schmidt nuk duhet të ketë qenë edhe aq i sëmurë nga virusi për të cilin po flasim, megjithatë, të moshuarit e kanë kujtuar deri vonë nën emrin “Doktor Shmitri”. Një infermiere që punonte me të në spitalin austro- hungarez të qytetit duket se ka qenë shkaku i kësaj nofke. Nga 1889 deri në vitet e para të shekullit tonë Schmidti drejtoi të parin spital civil të qytetit duke u shndërruar në një nga figurat kryesore të shkodranëve. Vdiq në Trieste pa lënë pas as fëmijë dhe as pasuri.

KASER DHE TË TJERËT NË DUKAGJIN

Virusi që mban emrin shqiptar ka këmbëngulur të mos zhduket me gjithë peripecitë e shumta që kalonte kontinenti i vjetër. Në kohët tona, të ashtuquajtura moderne, virusi është shfaqur nën një veshje tjetër: me xhinse apo me aparate të kushtueshëm fotografikë, dhe me të tjera kontakte.

Dy gjuetarë alpinë të ushtrisë franceze në studion e Marubit

Një nga të sëmurët modernë është Karl Kaser, profesor i Universitetit të Graz-it në Austri. Udhëtimin e parë nëpër Shqipëri e ndërmori aty nga 1988, kohë në të cilën itineraret e një të huaji ishin ende nën përgjim. Më pas nuk iu nda Shqipërisë për vite e vite derisa kreu një nga “aventurat” më të mëdha të jetës së tij: udhëtimin një mujor nëpër Dukagjin.

I fryrë nga pickimet e mushkonjave, të lodhur nga udhëtimet e gjata në këmbë, por edhe të zhgënjyer nga ajo që panë, grupi prej 20 studentësh mbërriti një natë vere në Tiranë, pas një bashkëjetese një mujore me malësorët e rinj të Shqipërisë. Ishin të kënaqur nga ana profesionale, sepse kishin bërë atë që shumë vetë nuk kishin arritur ta bënin, por ndjeheshin edhe të habitur. Në këmbim të fjetjes a të ushqimit ndër Malësi u kishin kërkuar të holla. Dhe kjo nuk përkonte me ato që kishin lexuar nga “të sëmurët” e vjetër. Edhe virusi ka pësuar mutacion.

FRANZI MES GURËVE E MONUMENTIT

Shumë vetë e mbajnë mend fotografin e guximshëm që vazhdonte të bënte punën e tij mes gurëve dhe bombave lotsjellëse në shkurtin e 1991. Franz Gustincich është një nga dëshmitarët më shembullorë të Shqipërisë së këtyre viteve të fundit. Që nga momenti i fotografisë që paraqiste monumentin e bronztë të Hoxhës që po rrëzohej. Franzi – vetë ai thotë ‘Pata fatin e keq që të infektohem” – nuk iu nda dhe me sa duket nuk do t’i ndahet Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Njësoj si një kolegu i tij italian, që kishte shkuar aq larg sa të themelonte një gazetë në Tiranë, edhe Franzi kur u dërgonte ndonjë letër nga Italia miqve të tij shkruante: “Djema, po ju shkruaj nga mërgimi”. Një sinjal i fortë që sëmundja e Shqipërisë tashmë ka arritur në një shkallë tjetër.

LAJME TË TJERA >>