Një avion transporti mallrash i nisur nga Nishi në Serbi është rrëzuar në një fshat pranë qytetit të Kavallës në Greqinë veriore mbrëmjen e së shtunës.
Avioni i tipi Antonov-12 ishte në pronësi të një kompanie transporti ukrainase dhe po fluturonte nga Serbia për në Jordani.
Rrëzimi i avionit, sipas mediave greke ka pasur shpërthime të fuqishme, duke ngritur dyshimet se brenda tij ka pasur të paktën 12 tonë municione.
Dyshimet përforcohen nga fakti që autoritetet greke kanë vendosur një perimetër të gjerë sigurie në vendin e rrëzimit të avionit, ku deri në orët e hershme të së dielës janë raportuar shpërthime sporadike.
Është e paqartë se sa persona kishte në bord dhe nëse ka të mbijetuar. Mediat greke thonë se në bordin e avionit, mund të kenë qenë 8 persona, të cilët dyshohet se kanë vdekur që të gjithë.
Sipas FlightRadar24, avioni u nis nga Nishi, Serbi për në Amman, Jordani. Avioni lëshoi sinjalin SOS dhe kërkoi ulje emergjente në Kavalla, pasi njëri prej motorëve shpërtheu në flakë.
Banorë të zonës rrëfyen se avioni është rrëzuar rreth orës 21:45 minuta. Zjarrfikësit deklaruan se shkuan me shpejtësi në vendin e ngjarjes, por për shkak të shpërthimeve të vazhdueshme nuk mundeshin që të afroheshin për të shuar flakët.