Policia e Shtetit ka zhvilluar një megaoperacion sa i përket parandalimit dhe goditjes së kultivimit të bimëve narkotike.
Megaoperacioni është i shtrirë në Skrapar, Elbasan, Krujë dhe Lezhë ku angazhoi 300 forca policore dhe 9 dronë.
Gjithsej janë gjetur dhe asgjësuar nëpërmjet djegies, 1 mijë e 777 fidanë dhe bimë narkotike cannabis sativa.
Gjithashtu janë identifikuar dhe shpallur në kërkim 4 shtetas, autorë të dyshuar të kultivimit të bimëve narkotike.
Në Elbasan, në kuadër të 2 operacioneve antidrogë “Krasta” dhe “Çereshta”, u proceduan penalisht, për shpërdorim të detyrës, 2 inspektorë pyjesh dhe 1 kryetar fshati.
Gjithashtu në Elbasan, gjatë operacionit “Çereshta”, 2 shtetasve të shpallur në kërkim iu gjetën dhe iu sekuestruan edhe 2 qese me lëndë narkotike cannabis sativa.
Strukturat e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin, vijojnë kontrollin e imtësishëm të territorit, për parandalimin dhe goditjen e tentativave për të kultivuar bimë narkotike, me qëllim prodhimin e lëndës narkotike.
Në Skrapar, në kuadër të megaoperacionit policor të koduar “Tomorri”, në një terren të hapur rishtazi, në një zonë të pyllëzuar dhe të thellë malore, në territorin e njësisë administrative Gjerbës, u gjetën të kultivuara në kubikë, në një serë, si dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 1000 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi O. Gj., 39 vjeç, banues në fshatin Bërsak, Skrapar. Vijon puna për kapjen e 39-vjeçarit.
Në Elbasan, në kuadër të 2 operacioneve antikanabis të koduara “Krasta” dhe “Çereshta”, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 252 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Krasta”, në një zonë pyjore, në fshatin Seltë, njësia administrative Zavalinë, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 160 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Si rezultat i veprimeve hetimore për këtë rast, u identifikua dhe u shpall në kërkim autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve narkotike, shtetasi A. D., 53 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Y. Ç., 56 vjeç, F. L., 45 vjeç (me detyrë inspektorë pyjesh në zonat e Gjinarit dhe Zavalinës) dhe K. B., 55 vjeç (kryetari i fshatit Seltë). Vijon puna për kapjen e 53-vjeçarit.
Në vijim të veprimeve procedurale në kuadër të operacionit “Çereshta”, të zhvilluar më 18 qershor 2023, nga Policia e Librazhdit, ditën e djeshme u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 92 bimë të tjera të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Në total nga ky operacion janë asgjësuar 672 bimë dhe fidanë narkotikë cannabis sativa. Autorë të kultivimit të këtyre bimëve dhe fidanëve, dyshohet të jenë shtetasit e shpallur në kërkim S. D. dhe K. D. Gjithashtu, gjatë kontrolleve përreth territorit ku u gjetën bimët narkotike, në një tendë kampingu, të dyshuar të përshtatur për qendrim, nga shtetasit S. D. dhe K. D., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa, e ndarë në 2 qese plastike. Vijon puna për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim.
Në Krujë, në kuadër të megaoperacioni policor të koduar “Territor i pastër”, në një zonë pyjore, në fshatin Cudhi Kamp, njësia administrative Cudhi, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 195 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti kultivimi.
Në Lezhë, në kuadër të megaoperacioni policor të koduar “Imazhi”, në një zonë pyjore, në fshatin Malecaj, njësia administrative Balldre, u gjetën dhe u asgjësuan nëpërmjet djegies, 330 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Vijojnë veprimet hetimore për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti kultivimi.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.