Analistët kinezë besojnë se shpresat për paqen në Ukrainë janë të pakta dhe “nëse kërkesa e Moskës për bisedime shpërfillet, konflikti padyshim do të intensifikohet”.
Global Times flet për këtë në një editorial, i cili shpesh pasqyron zërin e qeverisë së Pekinit.
“Në prag të përvjetorit të parë të luftës në Ukrainë, Moska dërgoi një mesazh për të nxitur negociatat bazuar në ‘realitetin ekzistues’ dhe pa ‘parakushte’”, vëren kolumnisti, “ndërsa Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden duhet të vizitojë Poloninë që të tregojë mbështetjen e vendosur të Washingtonit për Kievin”.
Më tej shkruhet se raundet e shumta të bisedimeve Rusi-Ukrainë gjatë vitit të kaluar, të cilat nuk kanë arritur ndonjë rezultat domethënës, kanë treguar se edhe nëse Moska dhe Kievi arrijnë disa marrëveshje, “Washingtoni do të arrijë menjëherë të përfshihet dhe të prishë të gjithë procesin”.
Pra, sipas analistëve kinezë çelësi për momentin nuk është nëse bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës mund të përsëriten, por nëse Washingtoni dhe Moska të paktën mund të arrijnë një konsensus të heshtur për të shmangur një përshkallëzim”.
Por sipas vëzhguesve kinezë, “Shtetet e Bashkuara nuk janë të gatshme për bisedime me Rusinë në këtë moment” dhe “administrata Biden do të parandalojë përfundimin e konfliktit dhe do të vazhdojë ta përdorë atë për të minuar Rusinë dhe BE-në”.
“Ukraina është çmimi që Washingtoni është i gatshëm të paguajë, të cilin Moska e kupton qartë”.