Më shumë se 2.9 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina në Poloni që nga fillimi i luftës, tha të dielën Roja Kufitare Polake.
Numri i njerëzve që kalojnë kufirin në Poloni ka rënë ndjeshëm në javët e fundit dhe numri i njerëzve që shkojnë në Ukrainë është rritur.
Të shtunën, më shumë njerëz hynë në Ukrainë nga Polonia (21 mijë e 100) sesa anasjelltas (15 mijë e 100), shkroi agjencia në Twitter.
Në total, 847 mijë njerëz kanë hyrë në Ukrainë nga Polonia që nga fillimi i luftës.
Në kulmin e krizës së refugjatëve, më 6 mars, 142 mijë e 300 njerëz u larguan nga Ukraina në Poloni. Para luftës, numri mesatar ditor i njerëzve që kalonin kufirin nga Ukraina në Poloni ishte 16 mijë e 800.
Disa nga refugjatët tashmë janë larguar nga Polonia. Studiuesi i migracionit në Universitetin e Varshavës, prof. Maciej Duszczyk vlerëson se mbeten rreth 1.3-1.4 milionë.
Më shumë se 900 mijë ukrainas kanë aplikuar për një numër identiteti kombëtar polak.