Ka zgjatur rreth 3 orë seanca e tretë në Gjykatën Kushtetuese për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Pasi palët dhanë konkluzionet e tyre përfundimtare, Gjykata Kushtetuese mbylli seancën dhe është tërhequr për vendim. Vendimi i arsyetuar do të jepet me shkrim brenda 30 ditëve.
Në përfundim të seancës kanë folur për mediat përfaqësuesit e Presidentit Meta dhe të Kuvendit.
Këshilltari i Metës, Bledar Dervishaj tha se Kuvendi ka depozituar prova shkresore të manipuluara. Për këtë çështje ai tha se Presidenti do t’i drejtohet prokurorisë.
“Për fat të keq u provua edhe sot se Kuvendi në përmbushje të qëllimeve politike edhe së fundmi depozitoi prova shkresore të manipuluara vetëm me qëllimin që t’i rrëzoheshin pretendimet e kreut të shtetit. Kur kjo ndodh me Presidentin, për një çështje me kaq rëndësi, për një çështje që nuk duhet të ekzistonte dhe pa lëndë imagjino çfarë mund të mendojmë ne si qytetarë se çfarë ndodh në organet e tjera fundore. Kështu që Presidenti ka vendosur t’i drejtohet organi të prokurorisë lidhur me këtë çështje, ashtu sikundër është e drejta e Kuvendit të fillojë një procedurë hetimore parlamentare për këtë shkak që evidentuam para gjykatës. Ashtu sikundër është në të drejtë të gjykatës që të marrë një vendim, por që duhet të jetë i bazuar në Kushtetutë dhe ligj”, tha Dervishaj.
“Përfaqësuesi ligjor i Metës tha më tej se akuza do të jetë “Për manipulimin e provës shkresore të sjellë nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 4 Shkurt 2021”. Dervishaj u shpreh se fajtor është ai që tenton të përdorë provën.
Ndërkohë, Taulant Balla kërkoi që të respektohet pavarësia e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese.
“Vendimet për rrëzime ose pranime i merr vetëm Gjykata Kushtetuese. Ju dhe ne kemi detyrimin që nga ky moment që është mbyllur procesi i gjykimit dhe gjykata është tërhequr për të marrë vendim të respektojmë atë që është më e rëndësishme në këtë proces, pavarësia e vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese. Mendoj se nga momenti i përfundimit të procesit ashtu siç parashikohet edhe në ligjin për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të gjithë ne kemi detyrimin, përfshirë dhe Presidentin e Republikës, përfshirë partitë politikë të ruajmë atë që do ta quaja “heshtje” institucionale derisa gjykata Kushtetuese brenda afatit 30 ditor. I gjithë ky proces ka qenë shumë i mirë dhe i shëndetshëm kushtetues për cilësinë e demokracisë në Shqipëri”, tha Balla.
Konkluzionet e palëve
Ditën e sotme, përfaqësuesit e Presidentit paraqitën përgjigjet për 72 pyetjet që patën anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe përfaqësuesit e Kuvendit si palë në gjykim, gjatë seancës së kaluar.
Pas kësaj, gjykata vendosi 1 orë pushim që pala mbrojtëse të përgatitej për konkluzionet përfundimtare.
Pasi rinisi seanca në orën 12:00, e para që parashtroi diskutimet përfundimtare ishte Klotilda Bushka, si përfaqësuese e Kuvendit. Ajo kërkoi që Meta të shkarkohej pasi ka shkelur rëndë Kushtetutën.
Bushka përmendi të gjitha shkeljet e Metës sipas vlerësimit të Kuvendit. Bushka ka thënë ndër të tjera se procesi i nisur ndaj Metës duhet që të japë një goditje të kulturës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë që shkelin Kushtetutën. Sa i përket kthimit të dekreteve, Bushka tha se Kuvendi nuk i ka cilësuar ato si shkelje të Kushtetutës.
“Kuvendi vlerëson se presidenti ka shkelur rëndë Kushtetutën. I kërkojmë Gjykatës Kushtetuese shkarkimin e Ilir Metës. Me anë të këtij vendimi të vendosen standarde që askush të mos shkelë Kushtetutën. Presidenti jashtë kompetencës së tij ka shpërndarë sulme ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në vendin tonë. Ka shkelur parimin e kushtetutshmërisë për ruajtjen e balancave. Ka shkelur betimin e Kushtetutës për t’i shërbyer interesit të popullit. Në shumë nga daljet e veta publike presidenti ka përdorur një retorikë dhune. Kjo retorikë ka pasur përshkallëzim të fortë deri në përfundim të fushatës. Të gjitha sa përmenda janë shkelje kushtetuese qe përmbajnë shkelje të betimit të presidentit. Asnjë nga veprimet e presidentit nuk parashikohen si kompetencë e tij. Shkeljet e presidentit janë të renda për shkak se cënojnë pozicionin e presidentit, shkelje që lidhen me integritetin që kërkon procesi zgjedhor, që lidhen me sigurinë në vend dhe marrëdheniet me jashtë. Edhe presidenti vetë shpresoj unë, është i vetëdijshëm për këto shkelje”, tha Bushka.
Ndërkohë këshilltari ligjor i Metës, Bledar Dervishaj, tha se thirrjet e Presidentit për mbrojtjen e votës janë kontribut nisur nga situatat tronditëse që nisën në Dibër. Nëse Presidenti do qëndronte pasiv, tha Devishaj, do lejonte instalimin e diktaturë. Derrvishaj tha se kreu i shtetit nuk ka marrë asnjë kompetencë të qeverisë apo Kuvendit, por ka ndodhur e kundërta. Po ashtu, sipas tij, Meta ka kërkuar bashkëpunim, por burim kryesor i tensionit mes palëve është bërë kthimi për rishqyrtim për ndryshimet në Kod më 5 Qershor.
“Opinionet e Presidentit në mbrojtje të Kushtetutës nuk duhet të cenohen nga askush. Toni, mënyra, ngjyrimi janë të drejta të patjetërsueshme të votës së lirë. Thirrjet e Presidentit për mbrojtjen e votës janë kontribut, nisur nga situata tronditëse që nisën që në Dibër. Kushdo që do të shihte një president pasiv do lejonte instalimin e diktaturës. Sjell si shembull Presidentin rumun që iu bashkua protestës. Presidenti nuk ka tentuar të marrë kompetence të qeverisë apo Kuvendit, e kundërta ka ndodhur. Presidenti ka kërkuar bashkëpunim, është venë para faktit të kryer në të gjitha konfliktet që kanë kryer. Vetëpërmbajtja është udhëhequr nga proporcionaliteti. Presidenti ktheu për rishqyrtim ndryshimet e 5 qershorit në kod, në mënyrë të njëanshme, që u benë dhe burim kryesor i tensionit mes palëve. Këto ndryshime të njëanshme prodhuan destabilizim, polarizim ekstrem mes forcave politike. Të gjjtha pretendimet e Kuvendit për shkarkimin e presidentit janë të denja veç për një nen. I kërkojmë Gjykatës deklarimin si të papajtueshëm ngritjen e Komisionit Hetimor për hetimin e kreut të shtetit dhe shkarkimin e Presidentit”, tha Dervishaj.
Presidenca u pëgjigjet pyetjeve të “Kushtetueses”, çfarë ndodhi në seancë
“Nëse do të krahasojmë pikën 20 të urdhrit të kryetarit, me pikën 20 të rendit të ditës, edhe titulli ndryshon. Kjo vë në dyshim të fortë vërtetësinë e provave të sjellë. Gabimi më trashanik është urgjenca sesi është sjellë kjo provë e Kuvendit, e cila nuk është e vërtetë, por ka si qëllim të hedhë poshtë atë çka pretendon presidenti”, është shprehur Dervishaj.
Më tej ai ka folur edhe për pretendimet për ndërhyrjen e Presidentit Meta në zgjedhje.
“Presidenti ka komunikuar me letër me Komisionerin Shtetëror, ku kërkonte që i gjithë kabineti i Presidentit të marrë pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Celibashi i bëri me dije të presidentit që së bashku me kabinetin e tij mund të merrte pjesë në vëzhgimin e zgjedhjeve. Prandaj ndërhyrja e Presidentit në vëzhgimin e ligjeve ishte legjitime”, ka argumentuar Dervishaj.
Pasi Dervishaj paraqiti me zë disa deklarata të Kryeministrit Edi Rama për Presidentin dhe patronazhistët, përfaqësuesja e Presidentit, Klotilda Bushka kërkoi që të kalohet në diskutimet përfundimtare.
“Nuk është në rolin e Presidentit t’i përdorë këto situata a thua se është ndonjë konkurrent nga ndonjë parti tjetër. Provat janë të pavlefshme sepse nuk tregojnë shkakun pse presidenti ka bërë ato akte”, tha Bushka.
Gjatë seancës së parë të mbajtur të hënën e javës së shkuar, gjykata rrëzoi një kërkesë të presidencës për dorëheqje të disa gjyqtarëve nga shqyrtimi i çështjes, me pretendimin se ata ishin në konflikt interesi apo se u kishte mbaruar mandati.