Shefi i delegacionit rus në bisedimet me palën ukrainase, Vladimir Medinsky, pas mbylljes së negociatave midis dy palëve tha se “kemi gjetur disa pika me të cilat mund të parashikojmë qëndrime të përbashkëta”.
Gjithashtu Medinsky lajmëroi se negociatat nuk kanë mbaruar por do të vijojnë sërish në ditët në vijim.
“Takimi i ardhshëm i delegacioneve ukrainase dhe ruse do të zhvillohet në kufirin Bjellorusi-Poloni”, njoftoi ai.
Nga pala ukrainase, Këshilltari i shefit të zyrës së Presidentit, Mykhailo Podoliak tha se raundi i parë i bisedimeve ndërmjet delegacioneve ukrainase dhe ruse që është zhvilluar sot, ka mbaruar. Qëllimi kryesor është të diskutohet për armëpushim dhe armiqësitë në Ukrainë. Pas bisedimeve, palët po shkojnë në kryeqytet për konsultime.
Sipas Podoliak, “palët kanë identifikuar një sërë temash prioritare mbi të cilat janë përshkruar vendime konkrete”. Delegacionet diskutuan gjithashtu mundësinë e mbajtjes së një raundi të dytë bisedimesh në të ardhmen e afërt.
Më parë, në tryezën ku u zhvilluan bisedimet mes delegacioneve, Arestovych, deklaroi se Ukraina ka kërkuar tërheqjen e të gjithë trupave, duke përfshirë Donbass-in dhe Krimenë.
Nisja e bisedimeve
Bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë nisën rreth mesditës së të hënës, në kufirin me Bjellorusinë, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuters, këshilltari presidencial ukrainas, Mykhailo Podolyak.
Më herët, zyra e presidentit ukrainas tha se qëllimi i Kievit për diskutimet ishte një armëpushim i menjëhershëm dhe tërheqja e të gjitha forcave ruse nga Ukraina.
I pari ishte delegacioni ukrainas, i cili mbërriti në vendin e takimit, për të marrë pjesë në bisedimet me përfaqësuesit e Federatës Ruse.
Sipas një deklarate, delegacioni përfshinte, ndër të tjerë, ministrin e Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov, këshilltarin e shefit të zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak, dhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Ukrainës, Mykola Tochytskyi.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, nuk ishte pjesë e delegacionit.