Unitet dhe kompaktësi si rrallë ndonjëherë. Të gjitha vendet që i përkasin Mbretërisë së Bashkur, plus Irlanda, kanë bërë gati kandidaturën e përbashkët zyrtare për organizimin e Europianit të 2028-ës. Pra, një Europian që të zhvillohet në Angli, Irlandën e Veriut, Skoci, Uells dhe Irlandë.
Bëhet fjalë për një rast të paprecedentë sa i takon numrit të vendeve ku do të luhet, një edicion i ngjashëm me atë të fundit. Ky propozim është i befasishëm, nuk pritej aspak, sepse më 23 mars përfundon afati për prezantimin, por edhe për faktin që qeveria britanike fillimisht kishte aprovuar planin për organizimin e Botërorit të 2030-ës.
Megjithatë, duket se është më konkrete mundësia për Europianin, me shpresën që në të ardhmen të shkohet edhe te Botërori. Për këtë qëllim, “Football Association” ka kërkuar bashkëpunim me një studio, duke marrë në konsideratë impaktin në kontekstin politik dhe ekonomik. Dhe përfundimi ka qenë pozitiv. UEFA do ta bëjë të ditur vendimin e saj në shtator të 2023-shit, ndërsa Europiani i 2024-ës do të organizohet në Gjermani.
“Kostoja e një Europiani është më e ulët dhe gjithçka mund të organizohet më parë, – shkruhet në një njoftim zyrtar të 5 federatave. – Do të ishte një nder dhe një privilegj të prisnim të gjithë bashkë Europianin e 2028-ës dhe t’i uronin mirëseardhjen gjithë kontinentit.
Do të ishte edhe një rast i mrekullueshëm për të sjellë një ndryshim pozitiv dhe për t’u lënë një trashëgimi të rëndësishme komuniteteve tona. Gjykojmë se Mbretëria e Bashkuar dhe Republika e Irlandës mund t’i ofrojnë UEFA-s dhe gjithë futbollit europian diçka speciale, që do të prodhojë një eksperiencë të paharrueshme për skuadrat dhe tifozët”.