Veshur me një triko të zezë, me mbishkrimin “Propaganda” me shkronja të bardha të trasha në anën e pasme.
32-vjeçari Marco dhe dy miqtë e tij kishin udhëtuar për në Predappio nga shtëpia e tyre në rajonin Marche për të bërë nderimet e tyre te varri i Benito Mussolini-t.
E gjitha përpara 100-vjetorit të afërt të marshimit të diktatorit fashist në Romë.
Maozeleumi i familjes Musolini, i vendosur në varrezat e vogla San Cassiano të qytetit Emilia Romagna, ka tërhequr mijëra admirues që kur u rihap gjatë gjithë vitit në mars.
Me rrjedhën e përditshme gjithnjë e më të qëndrueshme që nga fitorja e zgjedhjeve të përgjithshme në fund të shtatorit nga koalicioni i udhëhequr nga “Vëllezërit e Italisë” së Giorgia Meloni-t, një parti me origjinë neofashiste.
Marco dhe miqtë e tij shpresojnë se Meloni, kryeministrja e parë e Italisë, mund të përsërisë “gjërat e mira që bëri Mudsolini” dhe “ta bëjë Italinë përsëri të fortë”.
“Kemi nevojë për një figurë të fortë, autoritare”, ka theksuar Marco pasi përshëndeti arkivolin prej mermeri, të mbështjellë me flamurin italian.
Meloni do të mbajë fjalimin e saj të parë në parlament këtë javë dhe duhet të fitojë votëbesimin në të dy dhomat përpara një koalicioni që përfshin “Ligën” e ekstremit të djathtë të Matteo Salvini-t dhe “Forza Italia” të Silvio Berlusconi-t.
Rruga drejt qeverisë nuk ka qenë e lehtë, mes rivaliteteve të zjarrta midis Meloni-t dhe Berlusconi-t, ish-kryeministrit që e ka përshkruar atë si “arrogante”.
Përpara se të merrte mandatin, Meloni ka përsëritur se qeveria e saj do të ishte pro NATO-s dhe se kushdo që e refuzon atë “nuk mund të jetë pjesë e qeverisë”.
Duke lënë mënjanë rivalitetet, marrja e plotë e pushtetit për administratën e Meloni-t do të jetë çuditërisht rreth 28 tetorit.
Datë në të cilën, në vitin 1922, Mussolini dhe trupat e tij të armatosur fashiste marshuan nga Milano në Romë.
Dhe dy ditë më vonë, mbreti Vittorio Emanuele III i dorëzoi atij pushtetin.
“Vëllezërit e Italisë” morën pjesën më të madhe të votave në Predappio, një qytet me rreth gjashtë mijë banorë ku lindi Mussolini.
I vendosur midis kodrave të Apenineve, Predappio u bë një vend pelegrinësh fashist që nga momenti kur Mussolini mori pushtetin.
Shtëpia fshatare në të cilën ai lindi, e cila mund të vizitohet edhe sot, qëndronte si një dëshmi për rrënjët e tij modeste dhe sa larg kishte shkuar në jetë.
Predappio, i rindërtuar nga Mussolini në vitet 1930, u çlirua nga fashizmi në vitin 1944, por kulti i diktatorit vazhdoi pavarësisht se qyteti u sundua nga partitë e majta deri në vitin 2019.
Asokohe, Roberto Canali, një politikan i pavarur i mbështetur nga “Vëllezërit e Italisë” dhe me lidhje të ngushta me pasardhësit e Mussolini-t, u zgjodh kryetar bashkie.
Data 28 tetor ka qenë gjithmonë një periudhë e ngarkuar për Predappio-n, por për shkak të përvjetorit të rëndësishëm dhe vëmendjes aktuale mbi temën e fashizmit, parashikohet që rreth dy mijë admirues të Mussolini-t të mblidhen në qytet këtë javë.
Meloni është përpjekur ta moderojë partinë, duke e paraqitur si një kampione konservatore të patriotizmit.
Por zgjedhja e fundit e Ignazio La Russa, një bashkëthemelues i partisë, si kryetar i Dhomës së Lartë dhe Lorenzo Fontana, një politikan ultra-katolik, euroskeptik dhe pro-rus i “Ligës”, si kryetar i Dhomës së Ulët, ka ngritur shqetësime.
Po ashtu Meloni do të jetë në krye të drejtimit të Italisë në një nga periudhat më delikate, duke u përballur me sfida të tilla si kriza e energjisë dhe inflacioni i lartë, teksa përpiqet të shmangë recesionin.