Mendrit Shehu- “Cercate Batistuta in tutti gli angoli del mondo” – “A spasso nel tempo”, (1996). Kjo batutë e shkëputur nga komedia italiane, do ti shkonte përshtat sportit dhe pronarëve të klubeve në Shqipërinë e viteve 96-97. Në këtë episod dy personazhet kryesorë duke udhëtuar në kohë, përfundojnë në vitin 1460 dhe takojnë Lorenzo de’ Medici, ku i shpjegojnë si funksionon futbolli dhe që në mënyrë që të kenë sukses duhet të blejnë një lojtar me emër si Gabriel Omar Batistuta. Pak a shumë e njëjta gjë ka ndodhur edhe këtu te ne, ku njerëz të ndryshëm, agjentë apo edhe vetë futbollistë, duke përfituar nga mundësia ekonomike që sillnin firmat piramidale, tentuan të përfitonin sa më shumë.
Mrekullia me emrin F.K Lushnja
Firmat piramidale në Shqipëri zënë fill në ditët e para të demokracisë shqiptare. Mungesa e bankave private, padituria bëri që pas vitit 1994 të fillojë lulëzimi i vërtetë i firmave piramidale. VEFA, Gjallica, Sudja, Populli, Xhaferri, Silva dhe dhjetëra firma të tjera, u krijuan në të katër anët e vendit.
Në publik u krijua ideja se kapitalizmi paska qenë i bukur edhe i lehtë. Biznese të reja, njerëz të lumtur. Ishte një lumturi e frikshme. Biznesi i piramidave dalëngadalë po kulmonte. Njerëzit filluan të shisnin shtëpitë, emigrantët investuan të gjithë kursimet, edhe qindarkën e fundit, duke i lënë peng tek firmat piramidale. Bosët e këtyre firmave nuk u mjaftuan vetëm me paratë e popullit, por investuan fuqishëm nëpër biznese të ndryshme. U zhvilluan edhe evente kulturore, siç ishte ardhja e grupit të famshëm La Bouche në Shqipëri.
Përjashtim nuk bëri as sporti. Reklamat e këtyre firmave do të qëndronin edhe në pistat e Formula 1. Por, padyshim një nga ngjarjet që do të mbetet në kujtesën kolektive është edhe ekipi i futbollit të Lushnjës; ekip që kishte për president Rrapush Xhaferrin, bosin më të madh të firmave piramidale. Duke parë efektin që ka futbolli te njerëzit, bosët vendosën që të investonin edhe aty. Partizani, Flamurtari, Besa apo edhe Lushnja kishin sponsor kryesor firmat piramidale.
Carlos Eduardo Alvesh De Souza Edu. Një, 25-vjeçar nga Brazili, i cili do të ishte blerja e parë e Lushnjes në vitin 1996, ka hyrë në historinë sportive si futbollisti i parë i huaj që ka luajtur në Kampionatin Kombëtar të Futbollit, të periudhës së pasçlirimit. Ishte paguar me një shumë prej 50.000 dollarësh, për një vit, ku në anën tjetër Lushnja i pagoi një dëmshpërblim skuadrës Anorthosios të Qipros, e cila kishte kartonin e brazilianit. Pas disa ditë negociatash, një të dielë shtatori, në Rinas mbërrin braziliani i shumëpritur. Në aeroport, një grup tifozësh myzeqarë që kishin dalë për ta pritur, mbetën të zhgënjyer. Edu, i shkurtër dhe i hutuar, ishte jashtë pritshmërive të një futbollisti që mund të ndryshonte historinë e klubit.
Pasi u mbyllën procedurat burokratike me ekipin qipriot dhe pasi mori këstin e parë prej 30.000 dollarësh, Edu do të debutonte më 28 shtator 1996, në ndeshjen me Librazhdin. Edu (i cili me transferimin në Shqipëri u bë i njohur në të gjithë Evropën), në Lushnjë shihej si një hero. Kishte një shtëpi të mirë, në hyrje të qytetit, makinë në dispozicion. Çdo gjë që kërkonte të blinte, tregtarët ia dhuronin, pa e ditur se ishin vetë ata që e kishin “blerë”. U ambientua me njerëzit, pasi ftohej edhe në aktivitet familjare, duke mësuar disa fjalë shqip.
Tani që rruga duket se ishte hapur, shumë ekipe të tjera, të sponsorizuara nga firmat piramidale, kërkonin që të transferonin futbollistë të huaj. Lushnja nuk u mjaftua me vetëm një të huaj, por solli edhe brazilianin tjetër Dos Santos dhe 18-vjeçarin nigerian, Leonardo Nosa. Flamurtari nga ana tjetër, kishte transferuar brazilianin, Marco Bedagur.
Por te Lushnja diçka mungonte. Ekipi nuk kishte ecurinë që pritej dhe Xhaferri pasi pa që ëndrra për titull ishte zbehur, kishte dëshirë që Lushnjen ta shihte në Europë. Edhe këtë herë paratë nuk ishin problem, sepse nuk i nxirrte nga xhepi i tij. U tentua Jay-Jay Okocha i Fenerbahçes, por shifra që kërkonte ishte e frikshme. Pas lojtarëve, radha ishte e trajnerit. Pas shumë bisedash, telefonatash dhe faksesh, drejtuesit ranë në kontakt me një zyrë menaxhimi në Londër, e cila dërgoi në Tiranë listën e trajnerëve që kishte në menaxhim. Në një listë prej 100 emrash, binte në sy emri i kampionit të Botës 1978, golashënuesit më të mirë të atij edicioni, Mario Kempes.
Në atë kohë i papunë, pas një periudhe diskutimesh, argjentinasi zbarkon në Shqipëri. Niset direkt në Lushnjë, ku për nder të tij ishte organizuar një festë e madhe. Turmë e madhe njerëzish festonin si të çmendur, kush e kush ta takonte i pari. Kempes, i mahnitur nga kjo pritje do të deklaronte: “Një pritje të tillë nuk e kam përjetuar as kur kam fituar Botërorin.”
Pritja nuk ishte asgjë, para asaj që do përfitonte nga kontrata me “fondacionin bamirës”. U vendos që puna të niste më 4 janar 1997, ku do të përfitonte 350.000 dollarë për dy sezone. Duke parë që Shqipëria “ofronte” pazar të mirë, ai thërret edhe të vëllanë, Hugo, i cili në rolin e përgatitësit atletik do të përfitonte 50.000 dollarë. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Kempes do të ishte i ftuar në Festivalin e Këngës si dhe mori pjesë në ceremoni të ndryshme.
Përpos dëshirës dhe planeve, aventura e tij në Shqipëri do të zgjaste vetëm tri ndeshje. Një fitore me Librazhdin dhe 2 fitoret me Teutën në kupë. Revoltat popullore dhe rënia e firmave piramidale bënë që “prurjet” e reja të largoheshin shpejt, sa hap e mbyll sytë, pa zhurmë, pa bujë. U larguan duke marrë paratë, por me premtimin që do riktheheshin sapo gjendja të normalizohej. Kempes premtonte që do respektonte kontratën, madje do të vinte me Pasarelën dhe Maradonën. Kampionati u ndërpre dhe vetëm pas disa muajsh, rifilloi me Tiranën që u shpall kampione.
Epilog
Shumë ujëra kanë rrjedhur që nga ajo kohë, por banorët e Lushnjes bashkë me paratë e humbura nuk i kanë harruar ditët, që disa yje të njohur dhe të panjohur zbritën në qytetin myzeqar. Po ku janë sot personazhet e kësaj “përralle”? Nga futbollistët nuk ka më asnjë shenjë, edhe po të kërkosh në internet, përveç brazilianit Edu, i cili në vitin 2000 kërkoi të rikthehej në Lushnje, por në fund zgjodhi kategorinë e dytë greke. Mario Kempes pasi dështoi në karrierën si trajner, aktualisht është komentator për gjigantin sportiv “FOX Argentina”. Së fundmi ka nxjerrë në shitje autobiografinë e tij në Argjentinë, ku ndër të tjera shkruan se “te Lushnja kishte tentuar të sillte edhe vetë …..Gabriel Batistutën”.