Stadiumi i Real Madrid-it, “Santiago Bernabeu” prej kohësh ndodhet nën rikonstruksion edhe pse aty zhvillohen ndeshje.
Sipas Ramon Alvarez de Mon, Real-i po përgatitet të marrë një kredi të re 150-200 milionë euro për të vijuar ecurinë e punimeve në stadium.
Kostot së fundmi janë rritur ndjeshëm. Si pasojë e luftës në Ukrainë janë shtrenjtuar çmimet e lëndëve të para. Kjo ka sjellë vonesa dhe në punime.
Kostoja e shtesës mund të arrijë në 400 milionë, duke bërë që ajo totale të shkojë në 1 miliard euro.
Real Madrid mori në vitin 2019 huan e parë prej 575 milionë eurosh, me interes 2.5%. Shlyerja do të fillonte nga 2023 deri ne 2049 me një shifër vjetore prej 29.5 milionë euro.
Në vitin 2021, Real-i mori dhe 225 milionë euro të tjera hua për punët që përfshinin rimodelimin e stadiumit.
Megjithatë, Real Madrid ka nënshkruar dhe marrëveshje fitimprurese për shfrytëzimin e hapësirave në “Santiago Bernabeu”-n e ri.
Grupi i investimeve “Sixth Street” dhe kompania amerikane që operon në sektorin e argëtimit sportiv “Legends Hospitality” kanë nënshkruar marrëveshje me Real Madrid-in, në vlerën e 360 milionë eurove.
Si pjesë e marrëveshjes, do të krijohet një kompani e re për të menaxhuar stadiumin dhe të ardhurat nga biznesi i ri do të ndahen në dy pjesë.
Përsa i përketë të ardhurave shtesë që do të vijnë, ato do të shkojnë 70% për klubin spanjoll dhe 30% për grupin “Sixth Street”. Marrëveshja do të zgjasë 20 vjet.