Kampionati elitar i futbollit shqiptar ngre sot siparin. Një kampionat që vjen me risi, me një logo të re: nuk do të quhet Kategoria Superiore, por Abissnet Superiore. Për herë të parë emri i kampionatit është shitur dhe ankandi është fituar për tri vitet e ardhshme nga kompania “Abissnet”. Kjo është risia e parë.
Risia tjetër është palikimi i sistemit VAR në ndeshjet e kampionatit dhe Kupës, kuptohet jo në të gjitha. Teknologjia e nevojshme ka mbërritur prej kohësh në vendin tonë dhe VAR-i është testuar në disa ndeshjes të rinjsh, ndeshje miqësore dhe në Superkupën e Shqipërisë. Sipas specialistëve, është diçka pozitive, sepse do të ndihmojë shumë në mbarëvajtjen e ndeshjeve dhe do të shmangë polemikat për rastet e diskutueshme.
Gjatë verës, 10 skuadrat e Superiores kanë pësuar ndryshime të mëdha. Rekordin e lëvizje e mban Dinamo, që rikthehet pas gati 10 vitesh në elitë. Skuadra kryeqytetase do të drejtohet nga Bledi Shkëmbi në stol, ndërkohë që në merkato ka afruar rreth 25 futbollistë të rinj. Skuadra tjetër që është ngjitur në Superiore është Egnatia e Rrogozhinës.
Mes lëvizjeve më të bujshme të merkatos mund të përmenden rikthimi i anglezit Majkëll Ngo te Tirana dhe afrimi i ish-lojtarit të Kombëtares, Ergys Kaçe, te Partizani. Kukësi dhe Laçi janë skuadrat që kanë ndryshuar trajner gjatë verës. Italiani Diego Longo ka marrë drejtimin e Kukësit, kurse Laçi ia ka besuar stolinj malazezit Dejan Vukiçeviç.
Kampionati starton sot me sfidën Teuta-Partizani, që luhet në orën 19:45, në stadiumin “Elbasan Arena”. Durrsakët fillojnë mbrojtjen e titullit kampion në një ndeshje të vështirë ndaj rivalëve të Partizanit. Të kuqtë kanë bërë bujë në merkato vetëm në momentet e fundit, duke afruar thuajse një ekip të ri. Java e parë vazhdon të shtunën dhe të dielën me ndeshjet Skënderbeu-Tirana, Laçi-Vllaznia, Kastrioti-Dinamo dhe Egnatia-Kukësi.