Në verë, kur Liz Truss po konkurronte për postin udhëheqës të Britanisë, një aleat parashikoi se javët e para të saj në detyrë do të ishin të trazuara.
Por pak ishin të përgatitur, mbi të gjitha vetë zonja Truss, për nivelin indinjatës kundër saj. Brenda gjashtë javësh, politikat ekonomike të kryeministres kanë shkaktuar krizë financiare, ndërhyrje emergjente të bankës qendrore, kthesa të shumta dhe shkarkimin e shefit të saj të Thesarit.
Tani ajo përballet me një rebelim brenda Partisë Konservatore që e ka bërë qeverisjen e saj jashtëzakonisht të brishtë.
Ligjvënësi konservator Robert Halfon tha të dielën se javët e fundit kishin sjellë “histori makthi njëra pas tjetrës”.
“Qeveria e ka trajtuar të gjithë vendin si një lloj miu laboratori mbi të cilin mund të kryejë eksperimente ekstreme të tregut të lirë,” tha zoti Halfon për Sky News.
Partia ishte paralajmëruar për këtë. Gjatë garës së verës për të zgjedhur udhëheqësin e konservatorëve, zonja Truss tha se do të sfidonte “ortodoksinë” ekonomike. Ajo premtoi se do të ulte taksat dhe do të zvogëlonte burokracinë si dhe do të nxiste rritjen e ekonomisë së ngadaltë të Britanisë.
Rivali i saj, ish-shefi i Thesarit Rishi Sunak, tha se ulja e menjëhershme e taksave do të ishte e pamatur pasi vendi gjendet mes lëkundjeve tronditëse ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe lufta në Ukrainë.
172,000 anëtarët e Partisë Konservatore, të cilët janë kryesisht më të moshuar dhe të pasur, preferuan vizionin e zonjës Truss. Ajo fitoi 57% të votave të anëtarëve duke u bërë udhëheqëse e partisë qeverisëse më 5 shtator.
Të nesërmen, ajo u emërua kryeministre nga Mbretëresha Elizabeth II që ishte edhe një nga vendimet e fundit para vdekjes së saj më 8 shtator.
Ditët e para të kryeministres kaluan në hije nga periudha e zisë kombëtare për mbretëreshën.
Më pas, më 23 shtator, shefi i Thesarit Kwasi Kwarteng njoftoi për planin ekonomik që ai dhe kryeministrja kishin hartuar. Plani përfshinte ulje taksash në vlerë prej 50 miliardë dollarësh, vendim që përfshinte edhe uljen e tatimit mbi të ardhurat për ata me më shumë të ardhura. Plani ekonomik nuk tregonte se si qeveria e zonjës Truss do e mbulonte boshllëkun e krijuar nga taksat që nuk do të mblidheshin.
Kryeministrja po e realizonte zotimin që ajo dhe aleatët kishin ndërmarrë. Eksperti Mark Littlewood, nga një organizatë me bindje të ngjashme me zonjën Truss, gjatë verës parashikoi një efekt të fuqishëm, ndërsa kryeministrja e re çonte përpara reformën ekonomike me “shpejtësi absolutisht marramendëse”.
Gjithsesi, shpallja e planit dhe pika deri ku arrinte ai i befasoi tregjet financiare dhe ekspertët politikë.
“Shumë prej nesh, gabimisht, prisnin që pasi fitoi garën e udhëheqësit të ndryshonte qëndrim ashtu siç bëjnë shumë presidentë pasi fitojnë zgjedhjet paraprake,” tha Tim Bale, profesor i politikës në Universitetin “Mbretëresha Mary” në Londër.
“Por ajo nuk e bëri këtë. Ajo në fakt veproi ashtu siç u zotua se do vepronte.”
Paundi ra në një nivel të ulët rekord kundrejt dollarit amerikan dhe kostoja e huamarrjes së qeverisë u rrit jashtëzakonisht. Banka e Anglisë u detyrua të ndërhynte për të blerë letra qeveritare me vlerë dhe për të parandaluar përhapjen e krizës financiare në ekonomi. Banka qendrore paralajmëroi gjithashtu se normat e interesit do të duhet të rriten me ritëm edhe më të shpejtë se sa pritej, për të frenuar inflacionin që po shkon në rreth 10%, duke i detyruar miliona pronarë shtëpish të përballen me rritje të mëdha në pagesat e kredive.
Jill Rutter, një bashkëpunëtore e lartë në Institutin për Qeverinë, tha se zonja Truss dhe zoti Kwarteng bënë një serë “gabimesh të panevojshme” me paketën e tyre ekonomike.
“Ata nuk duhet ta kishin shprehur aq hapur përbuzjen e tyre ndaj institucioneve ekonomike,” tha ajo. “Mendoj se ata duhet t’i kishin dëgjuar këshillat. Dhe mendoj gjitashtu se një nga drejtimet ku ata gabuan më shumë ishte që bënë publike një pjesë të paketës, uljen e taksave, pa folur për anën tjetër të ekuacionit: shpenzimet”.
Duke parë rritjen e reagimeve negative, zonja Truss filloi të hiqte dorë nga pjesë të paketës në një përpjekje për të qetësuar partinë e saj dhe tregjet. Ulja e taksave për ata që fitojnë më shumë u eliminua në mes të konferencës vjetore të Partisë Konservatore në fillim të tetorit, mes pakënaqësive brenda partisë.
Por kjo nuk mjaftoi. Të premten, zonja Truss shkarkoi zotin Kwarteng dhe e zëvendësoi mikun dhe aleatin e saj të kahershëm me Jeremy Huntin, i cili kishte shërbyer si sekretar i shëndetësisë dhe sekretar i jashtëm në qeveritë konservatore të ish-kryeministrave David Cameron dhe Theresa May.
Në një konferencë shtypi, kryeministrja pranoi se “pjesë të buxhetit tonë të vogël shkonin përtej asaj që prisnin tregjet.” Ajo anuloi një ulje të planifikuar të taksave për korporatat, një shtyllë tjetër e planit të saj ekonomik, për të “siguruar tregjet për disiplinën tonë fiskale”.
Zonja Truss është ende kryeministre në teori, por pushteti në qeveri është zhvendosur tek zoti Hunt, i cili ka sinjalizuar se ka në plan të heqp dorë nga pjesa më e madhe e planit të saj ekonomik kur të paraqesë synimet afatmesme buxhetore më 31 tetor. Ai ka thënë se do të nevojiten rritje taksash dhe shkurtime shpenzimesh publike për të rikthyer besueshmërinë fiskale të qeverisë.
Megjithatë, zoti Hunt këmbënguli të dielën se “kryeministrja ka drejtimin”.
“Ajo ka dëgjuar. Ajo ka ndryshuar. Ajo ka qenë e gatshme të bëjë gjënë më të vështirë në politikë, që është të ndryshojë kurs,” i tha zoti Hunt BBC-së.
Partia Konservatore vazhdon të ketë një shumicë të gjerë në Parlament dhe — në teori — ka dy vjet deri në mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme. Sondazhet sugjerojnë se zgjedhjet do të sillnin një humbje të thellë për konservatorët dhe një shumicë të konsiderueshme për Partinë Laburiste.
Ligjvënësit konservatorë janë të shqetësuar se mund t’u duhet të zëvendësojnë udhëheqësin e tyre për herë të dytë këtë vit. Në korrik, partia rrëzoi kryeministrin Boris Johnson, i cili i udhëhoqi ata drejt fitores në vitin 2019.
Tani shumë prej tyre janë penduar për zëvendësimin e tij. Sipas rregullave të partisë, kryeministrja Truss nuk përballet me sfidë ndaj udhëheqjes së saj për një vit, por disa ligjvënës konservatorë besojnë se ajo mund të detyrohet të japë dorëheqjen nëse partia mund të bie dakord për një pasardhës.
Rivali që humbi ndaj saj Sunak, kryetarja e Dhomës së Komuneve Penny Mordaunt dhe sekretari popullor i Mbrojtjes Ben Wallace janë ndër emrat që përmenden si zëvendësues të mundshëm. Zoti Johnson, i cili vazhdon të jetë ligjvënës, vazhdon gjitashtu të ketë gëzojë mbështetje.
Ministri i ri i Thesarit, Andrew Griffith, argumentoi të dielën se zonjës Truss duhet t’i jepet një shans të përpiqet të rivendosë stabilitet.
“Është një kohë kur kemi nevojë për stabilitet,” i tha ai Sky News. “Publiku është i dëshpëruar nga niveli i pasigurisë. Britanikët duan të shohin një qeveri kompetente që të vazhdojë punën.” (VOA)