Shqipëria është mundur 2-1 në transfertë nga Izraeli në ndeshjen e parafundit të kuqezinjëve për këtë sezon në Ligën e Kombeve.
Në stadiumin “Bloomfield”, vendasit arritën të shënonin golin e parë në minutën e 46 me anë të Shon Weissman. Aksioni nisi nga një pakujdesi e kapitenit kuqezi, Elseid Hysaj i cili humbi një top në zonë të rrezikshme.
Shqipëria do të barazonte shifrat përkohësisht me Myrto Uzunin në minutën e 88. Por, super goli i beratasit do të “zbehej” pas vetëm katër minutash.
Në minutën e dytë të kohës shtesë, Enea Mihaj në tentativë për të larguar një top nga zona, ia dhuron atë kundërshtarit. Në këtë rast, me topin fare pranë vijës fatale, Tai Baribo nuk e pati të vështirë të realizonte.
Me fitoren e arritur, Izraeli vulos vendin e parë në grup, duke siguruar promovimin në Ligën A, aty ku gjenden dhe kombëtaret më të forta të Evropës.
Ndërkohë, Shqipëria qëndron në vendin e parafundit me një pikë. Islanda e vendit të dytë ka tre pikë. Rusia qëndron në vendin e fundit pas përjashtimit nga UEFA dhe FIFA.
Kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen e fundit në Ligën e Kombeve këtë sezon më 27 shtator. Në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, ata do të kenë përballë Islandën.
Në takimet e tjera të mbrëmjes në Ligën e Kombeve u arritën rezultatet:
Ceki 0–4 Portugali
Spanjë 1-2 Zvicër
Skoci 2-1 Irland
Serbi 4-1 Suedi
Qirpo 1-0 Greqi
Më herët u luajtën takimet: Irland e Veriut 2-1 Kosovë, Slloveni 2-1 Norvegji dhe Armeni 0-5 Ukrainë.