Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Largimi i muxhahedinëve nga Shqipëria, Kim: Në dorë të Qeverisë, ne e mbështesin

Yuri Kim, ambasadorja amerikane në ikje u shpreh se SHBA-të e mbështesin plotësisht operacionin e zhvilluar në kampin e muxhahedinëve (MEK) në Manzë të Durrësit.

Kim në konferencën e saj të lamtumirës theksoi se SHBA-të janë pro vendimit të Qeverisë shqiptare.

Kjo pasi edhe “mysafirët duhet të respektojnë termat e vendit”.

Diplomatja tha se është në dorë të Qeverisë shqiptare nësë do t’i largojë muxhahedinët nga vendi.

“Mendoj se është një vendim që duhet ta marrë qeveria shqiptare. Një gjë është shumë e qartë. Ne mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e saj në vendin e saj”.

Mbështetja e Kim erdhi pasi një zëdhënës i Departamentit Amerikan u shpreh se të gjitha veprimet e kryer nga Policia e Shtetit ishin në përputhje me ligjet në fuqi, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri.

Të paktën kështu shkroi “Fox News Digital”, e cila thotë se ka komunikuar me DASH.

Më tej citohet se “DASH mbështet të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo aktivitet të mundshëm të paligjshëm brenda territorit të saj”.

Çfarë ndodhi?

Strukturat speciale të Policisë së Shtetit (RENEA, Antiterrori, Operacionalja, Shqiponja) zbarkuan rreth orës 08:00 të 20 qershorit në Manëz, në vendqëndrimin e Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit Iranian (MEK).

Qëllimi i këtij operacioni ishte për të zhvilluar kontrolle dhe sekuestrime në atë që konsiderohej si qendër operacionale e MEK-ut për sulme të mundshme keqdashëse kibernetike.

Hyrja e efektivëve të Policisë u bë me vendim të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar pasi SPAK-u kishte arsye dhe dyshime të forta për aktivitetin e MEK-ut.

Angazhimi policor është kundërshtuar nga anëtarët e MEK-ut, duke u përpjekur për të bllokuar automjetet dhe lëvizjen e Policisë nëpër rezidenca, duke iu referuar imazheve të publikuara nga autoritetet.

Operacioni u përmbyll me një të vdekur, që dyshohet se ndërroi jetë nga infarkti dhe për të cilin pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të zbuluar shkaqet zyrtare.

Sipas shifrave të publikuara nga Policia, u dëmtuan 15 efektivë dhe 21 anëtarë të MEK-ut, 15 prej të cilëve lanë spitalin disa orë pas shtrimit të tyre.

Nga 127 godina në Manëz, autoritetet kontrolluan 70 prej tyre duke e përmbyllur me sekuestrimin e 96 njësive kompjuterike, 46 laptop dhe karta të ndryshme memorieje.

Pas përfundimit të operacionit policor, Prokuroria e Durrësit nisi hetimet për kundërshtimin me dhunë të punonjësve të Policisë si dhe për pengimin e ekzekutimit të vendimit të GJKKO-s.

LAJME TË TJERA >>