Seleçao është në ankth, pasi mund ta humbë Nejmarin për gjithë turneun. Edhe Danilo jashtë deri në fazën e 1/8-ve. Ndaj Zvicrës pritet të luajë Rodrigo në sulm.
Lajme të këqija për Brazilin, që e komplikojnë ndjeshëm Botërorin e tij. Diagnoza e doktor Rodrigo Lasmar për dëmtimin e Nejmarit lë pak shpresë: “Ekzaminimet kanë treguar një dëmtim të ligamenteve të kaviljes së djathtë të Nejmarit. Edhe dëmtimi i Danilos, po në kavilje, nuk është i lehtë.
Lojtarët janë në trajtim mjekësor, është shumë e rëndësishme të ruajmë qetësinë. Mund të themi se Nejmar dhe Danilo nuk do jenë në ndeshjen e radhës, do të vazhdojnë kurimin, sepse duam t’i rikuperojmë për më tej”.
Tite nuk mund ta llogarisë yllin e PSG-së të paktën deri në 1/8-at, por sipas shtypit brazilian, Nejmar e ka mbyllur Botërorin. Sot Nejmar dhe Danilo kanë kryer fizioterapi. Të hënën ndaj Zvicrës pritet që në sulmin e Brazilit të aktivizohet Rodrigo.
Por lajmet e këqija mund të mos kenë përfunduar për Brazilin. Në stërvitjen e sotme Antoni la fushën para kohe, por ende nuk është e qartë se për çfarë dëmtimi bëhet për lojtarin e Mançester Junajtid.