Kireev kishte marrë pjesë në bisedimet mes Kievit dhe Moskës si negociator. A ishte ai një spiun rus apo një hero që pengoi një goditje nga armiku? Sipas burimeve të inteligjencës, Moska donte të sabotonte vendin nga brenda.
Ngjarjet e spiunazhit nuk janë kurrë dorështrënguar në dhënien e versioneve. Konfuzioni është edhe më i madh në kohë lufte, siç tregojnë historitë e mëposhtme.
I pari përfshiu Denis Kireev, 45 vjeç, me një të kaluar si zëvendësdrejtor i një grupi bankar ukrainas dhe më pas iu bashkua shërbimeve sekrete lokale.
Më 28 shkurt ai merr pjesë në raundin e negociatave në Bjellorusi, fotot e tregojnë të ulur në tryezën ku takohen dy delegacionet. Një prani e rëndësishme kjo.
Të shtunën më 5 mars ata njoftuan vdekjen e tij. Një vdekje e dhunshme. Indiskrecionet pretendojnë se Kireev u vra nga kolegët e tij që u përpoqën ta arrestonin, ata kishin zbuluar se ai po luante një lojë të dyfishtë. Një tradhtar që duhej dënuar shpejt.
Një tezë kjo ama e rrëzuar nga Ministria e Mbrojtjes e cila në e përkufizoi Kireev-in hero, i cili ra së bashku me dy zyrtarë të tjerë gjatë një operacioni: “Ata vdiqën duke mbrojtur Ukrainën, gjesti i tyre na çon më pranë fitores”, do të deklarohet.
Misteri mund të fshehë shumë gjëra. Shumë përpara pushtimit, kishin dalë informacione për infiltrimin e njësive speciale ruse në aparatet e Kievit, duke përfshirë mbrojtjen, të mundësuar nga një plan i organizuar nga një oficer i lartë i lidhur me Kremlinin.
Një marrëveshje kjo e njohur – shkroi një analist britanik – pothuajse e marrë si e mirëqenë.
Tani fundi tragjik i Kireev-it mund të hyjë në luftën që bëhet mes vetë 007-ve. Ai që sakrifikon veten për të penguar një goditje nga pala armike ose krejt e kundërta.
Moska mund të përhapë teza për të ngjallur dyshime në kampin e kundërshtarit në një fazë kritike. Kompaktësia është e nevojshme sepse kërcënimet e brendshme janë të shumta. Qoftë reale apo qoftë e supozuar.
Burimet e inteligjencës pohojnë se shërbimet e Kievit kanë neutralizuar një plan rus për krijimin e “Republikës Popullore të Ukrainës” në shumë rajone. Qëllimi ishte kryerja e sabotimeve dhe vrasjeve të caktuara. Më pas pushtimi i ndërtesave publike për të krijuar kaos dhe për të hapur një front nga brenda. Një devijim ky për të shtuar problemet që ka ushtria.
Masa tjetër do të ishte bashkimi me Rusinë, duke imituar atë që ndodhi në pjesën jugore të vendit. Skenari përkon me një raport të publikuar nga instituti britanik “RUSI”, i cili paralajmëroi për një projekt subversiv të frymëzuar gjithmonë nga rusët dhe të përpunuar nga një ekzekutiv shumë i afërt me Putin-in. Për këtë qëllim ishin përgatitur rreth 200 burra, të ndarë në ekipe, të mbështetur nga bashkëpunëtorë vendas.
Së fundmi kemi dhe intrigat si në mjegull nga Bjellorusia. Ka pasur raportime për dorëheqjen e zëvendësministrit të Mbrojtjes, Viktor Gulevich, një gjest proteste sepse është në kundërshtim me një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të ushtrisë në territorin ukrainas.
Megjithatë, edhe për këtë rast erdhën mohimet, të cilat megjithatë nuk fshijnë dyshimet për probleme brenda regjimit të Lukashenko-s dhe për një rezistencë të pretenduar të gjeneralëve të tij për të marrë pjesë në konflikt.