Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Kuqezinjtë në qiellin e shtatë: E ka radhën Polonia, fitorja për Gjimshitin!

Entuziazmi është në shkallën më të lartë në radhët e kuqezinjve pas fitores në Hungari. Vendi i dytë është edhe më afër dhe Kombëtarja vjen edhe më e karikuar në sfidën me Poloninë në “Air Albania”, më 12 tetor. Dy ndeshjet e fundit janë ato me Andorrën dhe Anglinë kryesuese në transfertë.

Protagonistët e fitores në Budapest janë shprehur plot besim për ruajtjen e këtij pozicioni deri në fund të eliminatoreve. Ata kërkojnë përqendrim maksimal për Polonisë, kundërshtarin e radhës, ndërkohë që suksesin ia dedikojnë Berat Gjimshitit, mbrojtësitr që theu dorën gjatë ndeshjes dhe doli me barrelë nga fusha.

Armando Broja, lojtari që i ka dhënë 6 pikë Shqipërisë me 2 golat e shënuar në 2 ndeshjet me Hungarinë, ka theksuar: “Në përgjithësi kam besim, në të gjitha ndeshjet dua të shënoj dhe të ndihmoj skuadrën. Shënova sot dhe i dhashë skuadrës fitoren, ndaj jam i lumtur.

U dëmtova pardje në stërvitje, trajneri më pyeti a jam 100% dhe i thashë “po”. Për fanellën bëj gjithçka, hyra me besimin se do të shënoja dhe ia dolëm të marrim 3 pikët. Për Poloninë do të shohim. Për vendin e dytë besojmë deri në fund, kemi dëshirë të luajmë në Botëror, është gjë e madhe. Nuk jemi vend i madh, por kemi shpirt të madh. Duhet të jemi me këmbë në tokë dhe të përqendruar për sfidën me Poloninë”.

Elseid Hysaj, një nga titullarët më të rëndësishëm të Kombëtares, pas fitores në Hungari, u shpreh: “Kemi treguar rritje të madhe si skuadër dhe ishte e drejtë të fitonim këtë ndeshje. Kishim tre raste të pastra për shënim dhe në futboll duhet edhe pak fat, siç ndodhi me Brojën që bëri një supergol. Nga ana tjetër, duhet të jesh i qetë që të mos pësosh.

Me Poloninë do të jetë një ndeshje shumë e bukur, që mund të fitojmë ose të humbim shumë gjëra. Duhet të jemi të përqendruar dhe jo shumë euforikë. Kemi edhe mbështetjen e tifozëve dhe shpresoj t’ia dalim. Na erdhi keq për Gjimshitin, që ka thyer dorën. Është shumë i rëndësishëm për Kombëtaren dhe besoj se do të jetë tifozi jonë më i rëndësishëm në sfidën e radhës”.

Me nota tepër entuziaste ka folur edhe Klaus Gjasula, një tjetër kolonë e rëndësishme e formacionit të trajnerit Reja: “Ishte një fitore shumë e rëndësishme, kartoni që mora nuk më intereson fare. Ndeshja me Poloninë është si një finale për ne dhe duhet t’ia dalim. Po të shënoja, do ishte bukur, sepse goca ime ka ditëlindjen dhe do t’ia dedikoja asaj.

Me Poloninë do të jetë ndeshje afërsisht si sonte, e rëndësishme është të mos pësojmë gol. Do të krijojmë raste, sepse kemi kualitete dhe do të shënojmë. Me tifozat në stadium do të tregojmë veten tonë. Kjo fitore ishte për Gjimshitin, i cili ka thyer dorën. Na erdhi shumë keq, është lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Jemi me ty Gjimi!”

LAJME TË TJERA >>