Kupa e Botës konsiderohet më shumë se një turne i futbollit; është një katalizator i nacionalizmit, identitetit dhe krenarisë kombëtare, i kulturës dhe rendit të simboleve, i konfliktit, ideologjisë dhe politikës.
Gjatë gjithë historisë moderne, ka shumë raste në të cilat udhëheqësit e shteteve kanë përdorur futbollin për të promovuar ide nga më të ndryshmet.
Vitet 1930, ’40, dhe ’50 përbëjnë një periudhë formimi për futbollin si një lojë ndërkombëtare, duke filluar me vitin 1930 – viti i parë i Kupës së Botës.
Në Evropë, gjatë epokës së diktaturave që rrënuan kontinentin nga viti 1930 deri në vitin 1950, lidhja midis futbollit dhe politikës ishte shumë e dukshme.
Në mënyrë të pashmangshme, në këto tre dekada prania e rasteve ku futbolli e kapërceu sportin dhe mori një rëndësi më të gjerë, janë të bollshme.
Futbolli është përdorur si një mekanizëm për të shfaqur “suksesin” e regjimeve diktatoriale apo unitetin e popullit.
Kupa e Botës 1930, në të cilën Uruguai nikoqir fitoi duke mundur Argjentinën në finale, frymëzoi diktatorin italian, Benito Mussolini, që ta organizonte edicionin e ardhshëm në Itali më 1934.
Një Kupë e Botës do ta forconte lëvizjen fashiste, si një shembull i dominimit dhe fuqisë së restauruar të italianëve siç premtoi Mussolini.
Edhe diktatori gjerman, Adolf Hitler, më 1938 shpresonte të hakmerrej pasi humbi betejën propaganduese në Lojërat Olimpike të Berlinit dy vite më herët.
Hitleri përdori garat ndërkombëtare si simbol të regjimit nazist, për të shprehur epërsinë atletike të racës ariane.
Nga ana tjetër, Joseph Stalin, donte të ishte i sigurtë për suksesin e ekipit të tij para se ata të konkurronin ndërkombëtarisht.
Kupa e Botës në vitin 1950 u mbajt në Amerikën Jugore pjesërisht për shkak se qeveritë evropiane preferonin të rindërtonin vendet e tyre të shkatërruara nga lufta.
Fitoret ndërkombëtare nga ekipi i Jugosllavisë shërbyen si një përfaqësim simbolik i suksesit komunist të Josip Titos dhe nxitjes së “Vëllazërisë dhe Unitetit”.
Në fund të viteve 1980 dhe sidmos në fillim të viteve 1990, futbollistët jugosllavë u bënë mjet mobilizimi për ideologjinë nacionaliste, në një terren tejet të ngarkuar ideologjikisht.
Kupa e Botës 1978 në Argjentinë u përdor nga diktatori Jorge Rafael Videla për të provuar t’i tregonte pjesës tjetër të botës se kishte harmoni nën diktaturë.
Ndërkaq, futbolli mbarti një mesazh unifikues në vitin 2005, kur Didier Drogba dhe ekipi kombëtar i Bregut të Fildishtë përdorën kualifikimin në Kupën e Botës si një platformë për t’i bërë thirrje vendit që të bashkohej në bisedimet për paqe gjatë luftës civile.
Gjithashtu, udhëheqësit e qeverisë në Jemen përdorën ekipin kombëtar të futbollit për të kapërcyer ndarjet midis rajoneve veriore dhe jugore të vendit pas integrimit në vitin 1990.
Kupa e Botës 2018 u përdor nga Vladimir Putin për të forcuar mbretërimin e tij në Rusi dhe mundësia që regjimi në Katar ta ndjekë të njëjtën rrugë në vitin 2022 është mjaft e madhe.
Ndërsa shpesh njihet si një lojë dramatike që nxjerr emocione të forta, futbolli është vlerësuar si një forcë dhe platformë për trazirat politike.
Një shembull i spikatur i aftësisë së lojës për të ndikuar drejtpërsëdrejti në politikën globale është konflikti i armatosur mes Hondurasit dhe El Salvadorit në vitin 1969 – e ashtuquajtura “Lufta e Futbollit”.
Tifozët nga të dy anët filluan trazirat para lojës që ndihmuan ushtritë e tyre të gjejnë shkas për fillimin e një lufte që kishte qenë në greminë të shpërthimit për vite me rradhë, e cila zgjati rreth njëqind orë.
Në fakt, ekziston një trashëgimi e gjatë e përkujtimit të ndeshjeve, veçanërisht të nxehta të futbollit, që janë cilësuar si pseudo-beteja simbolike.
Një takim i vitit 1934 në rrethin e Londrës, në Highbury, midis Anglisë dhe Italisë, ndeshja e parë e skuadrës italiane që prej fitimit të Kupës së Botës më 1934, u quajt Beteja e Highbury.
Disa ndeshje të tjera të Kupës së Botës morën të njëjtin trajtim: një barazim në çerekfinale në vitin 1938 midis Brazilit dhe Çekosllovakisë u bë Beteja e Bordosë.
Fitorja e Hungarisë ndaj Brazilit në çerekfinale në vitin 1954 u bë Beteja e Bernës; vendi nikoqir Kili mposhti Italinë më 1962 në Betejën e Santiagos.
Në vitin 2006, Beteja e Nurembergut përfundoi me fitoren e Portugalisë ndaj Holandës.
Kush mund ta harrojë dronin që fluturoi nëpër stadiumin e Partizanit të Beogradit gjatë një ndeshje futbolli më 2014, në mes të Shqipërisë dhe Serbisë.
Nevoja për mbrojtje, njohje dhe përkatësi e nxit kombin dhe anëtarët e tij, veçanërisht profesionistët, që të kremtojnë dhe të institualizojnë simbolet, kulturën dhe trashëgiminë e tyre në shtetin kombëtar.
Futbolli plotëson shumicën e nevojave psikologjike si lufta, dhe ka efekte të ngjashme psikologjike dhe sociale.
Prej këtyre nevojave rrjedhin ritualet dhe ceremonitë, zakonet dhe festivalet, traditat dhe simbolet që përkujtojnë dhe kremtojnë kombin në çdo brez.
Ngacmimi dhe dehja që dikur rrjedhte nga lufta, ndjenja e përkatësisë dhe e besnikërisë ndaj shokëve të ushtrisë, ndaj uniformës që individët mbajnë veshur ose ndjenjën e bashkimit për të qenë një komb në luftë, tani fitohet përmes mbështetjes së kombit në Kupën e Botës.