“Ukraina po lufton. Ukraina do të mbrohet. Ukraina do të fitojë”
E gjithë Ukraina po punon për të mposhtur Vladimir Putinin dhe vendimin e tij për të sulmuar zona të ndryshme, përfshi kryeqytetin, Kiev.
Ky është reagimi i ministrit të Jashtëm ë Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka lëshuar një deklaratë në median e tij sociale Tweeter, ku thekson se populli ukrainas, nuk do të sprapset nga vendimet e Putinit.
Madje, ai i është drejtuar të gjithë komuniteteve në botë.
“Për komunitetet ukrainase në botë: Putini ka sulmuar, por askush nuk po ia mbath. Ukraina po lufton. Ukraina do të mbrohet. Ukraina do të fitojë”.
Ajo çfarë Kuleba kërkon, është që e vërteta mbi sulmin e ndërmarrë nga kreu i Kremlinit, të përhapet sa më shpejt. Kjo, në mënyrë që bota të mësojë mbi ngjarjen dhe të veprojë.
Të njëjtën gjë e ka kërkuar edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili ka zhvilluar përgjatë orëve të para të mëngjesit, telefonata me homologët e tij, që prej Joe Biden, e deri tek drejtuesit e vendeve fqinje.
E gjithë bota perëndimore është rreshtuar me Kievin zyrtar në këtë regjim të ri lufte.
Mirëpo, ushtarakisht, duket se ata nuk do të jenë aktivë, të paktën jo deri në çastet kur flitet.
Vetë Ukraina ka nisur mbrojtjen, duke aktivizuar ligjin Marshall dhe duke ndërmarrë sulme ndaj avionëve bombardues rusë, njërin prej të cilëve, e kanë rrëzuar.
Masat ndëshkuese ndaj Putinit dhe Kremlinit nga ana e Perëndimit, pritet të ndalen sërish në sanksione deri në këtë akt. Ndërsa, angazhimi ushtarak, mund të jetë një opsion i hapur për një çast të dytë.