Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka drejtuar thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë urgjentisht që Rusia të ndali dhe të lejojë njësitë e riparimit të rivendosin energjinë në termocentralin bërthamor të Çernobilit.
“Rrjeti i vetëm i energjisë që ushqen termocentralin bërthamor të Çernobilit dhe të gjitha objektet e tij bërthamore të konfiskuara nga ushtria ruse është dëmtuar. Termocentrali bërthamor i Çernobilit ka humbur të gjithë energjinë elektrike”, ka shkruar ai në Twitter.
Po ashtu i ka drejtuar thirrje komunitetit ndërkombëtar të kërkojë urgjentisht një armëpushim dhe të lejojë njësitë e riparimit për të rifilluar punën.
Kuleba ka theksuar se gjeneratorët rezervë me naftë janë projektuar për 48 orë funksionim të termocentralit bërthamor të Çernobilit.
Dhe se pas kësaj, sistemet e ftohjes së ruajtjes së karburantit bërthamor të harxhuar do të ndalen, gjë që në mënyrë të pashmangshme do të lëshojë rrezatim.
“Lufta barbare e Putinit kërcënon të gjithë Evropën. Ai duhet ta ndalojë atë menjëherë!”, ka thënë Kuleba.
Apeli i tij vjen pasi për shkak të veprimeve të pushtuesve rusë, termocentrali bërthamor i Çernobilit ka mbetur pa energji elektrike.
Teksa lufta vijon, riparimi dhe rivendosja e energjisë elektrike është e pamundur.