Federata Shqiptare e Futbollit ka përballë një vendim gjykate për pezullimin e organit më të lartë vendim marrës në këtë institucion, që është asambleja. Skema e ngritur nga FSHF-ja për zhvillimin e procesit zgjedhor të asamblesë, por edhe kontestimet nëpër shoqatat rajonale që janë përkthyer në kallëzime penale në prokurori, kanë sjellë këtë situatë ku ndodhemi tani. Por, si nisi e gjitha? “
DATË 7.01.2022
KONTESTIMET E PARA
Nisin kontestimet e para nga kandidati për kryetar shoqate në Shkodër, Kujtim Shaba, i cili denoncoi në media se po futej në një garë të pabarabartë, edhe pse tri ditë para zgjedhjeve Shabës nuk iu dha lista e delegatëve që kishin të drejtë vote pas tri ditësh, përkatësisht më 10 janar. Shoqata Rajonale e Futbollit Shkodër njofton se mbajtja e asamblesë është shtyrë me një muaj për shkak të COVID-it. Kujtim Shaba e konsideron qesharake këtë gjë.
DATË 8.01.2022
DEMIRAJ NUK PRANOHET TË KANDIDOJË
Kandidati për kryetar shoqate në Fier, Elidon Demiraj, nuk pranohet të kandidojë. “Absurde! Kryetari i shoqatës është zhdukur, ka mbyllur edhe zyrën prej kohësh. Jam ankuar në FSHF, kam folur me juristin Aldi Topçiu, por nuk mora kurrë përgjigje”, tha Demiraj.
DATË 8.01.2022
SKORA NUK PRANOHET TË KANDIDOJË
Po në të njëjtën ditë, ishte Indrit Skora që denoncoi se nuk është pranuar si kandidat për postin e kryetarit të Shoqatës Rajonale të Futbollit në Durrës, edhe pse i kishte marrë propozimet e nevojshme për t’u quajtur kandidat i vlefshëm. Skora tha se FSHF ka frikë nga kandidimi i tij dhe prandaj nuk e ka pranuar në garë.
DATË 10.01.2022
VENDIMI I FSHF
FSHF publikon një vendim të Komisionit të Verifikimit, në të cilin tregohet ndarja e numrit të delegatëve nëpër shoqatat rajonale të futbollit, ku ajo e Tiranës nga 8 vota shkon në 6, ajo e Fierit nga 3 në 4. Ndryshime në varësi të interesit të FSHF-së.
DATË 17.01.2022
KALLËZIMI PËR FUNDIM DOLLAKUN
FSHF del me njoftimin se është zhvilluar asambleja e Shoqatës në Durrës ku është zgjedhur nga anëtarët kryetar Mikel Furxhi, pa kundërshtar përballë dhe janë nxjerrë delegatët me të drejtë vote për në asamblenë e përgjithshme të 2 marsit. Si përfaqësues i Erzenit në këtë asamble është paraqitur Fundim Dollaku, i cili është zgjedhur edhe delegat. Në po të njëjtën ditë, Altion Keçi ngre akuza nëpërmjet gazetës se është ai përfaqësuesi i ligjshëm i Erzenit dhe këtë e vërteton me dokumentin përkatës. Të nesërmen Bashkia Shijak çon në prokurori Fundim Dollakun për falsifikim.
DATË 18.01.2022
TAKIMI VELIAJ-DUKA-AGAÇI
Në ambientet e Kryeministrisë është zhvilluar një mbledhje mes delegacionit të UEFA-s, presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe sekretarit të përgjithshëm të Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Gledis Nano, në lidhje me finalen e Ligës së Konferencës më 25 maj në Tiranë.
DATË 20.01.2022
AKUZAT E VELIAJT
Kryebashkiaku Erion Veliaj, si aksioner i KF Tiranës hedh akuzat e para drejt FSHF-së në emisionin “Real Story” në “News 24”. Ai akuzon presidentin Armand Duka se ka devijuar dhe zhdukur rrugës fondin e FIFA-s si ndihmë për periudhën e pandemisë.
DATË 21.02.2022
KONFERENCA E FSHF-SË DHE THIRRJA E ASAMBLESË
FSHF del me konferencë për shtyp përpara mediave. Drejtori i Departamentit Ligjor dhe Licencimit shprehet se anëtarëve të futbollit po u bëhet një presion politik. Drejtori i Marrëdhënieve Institucionale dhe Projekteve nuk ka argumente në lidhje me skandalin e fondit të FIFA-s për pandeminë. Gazetarët që ndodheshin në sallë, u censuruan duke mos u dhënë të drejtën e pyetjeve. Në po të njëjtën ditë FSHF publikon lajmin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv, ku u vendos të thërritet asambleja e përgjithshme zgjedhore më datë 2 mars.
DATË 24.01.2022
PRODANI BRAKTIS ZGJEDHJET E SHOQATËS NË TIRANË
Shoqata e Futbollit Tiranë mban asamblenë në ambientet e FSHF-së. Për kryetar garojnë Krenar Alimehmeti dhe Eduard Prodani. Ky i fundit akuzoi një javë përpara se nuk kishte listën e delegatëve që do të votonin dhe se shoqata nuk ia vendosi në dispozicion edhe pse ia kishte kërkuar disa herë. Asambleja braktiset nga 25 anëtarë të shoqatës, për shkak të shtimit të numrit të delegatëve nga 42 në 67. Pas braktisjes së asamblesë këta anëtarë mblidhen në ambientet e Parkut Olimpik dhe duke qenë mbi 50% e anëtarëve, zhvillojnë asamblenë dhe votojnë për kryetar Eduard Prodanin. Në të njëjtën ditë, Bashkia e Tiranës dërgon kallëzim penal në prokurori për Ilir Shulkun, sekretar i përgjithshëm i FSHF-së, dhe Ardian Haçin, sekretar i Shoqatës së Futbollit Tiranë, me akuzën “falsifikim dokumentesh”.
DATË 25.01.2022
ANËTARËT BOJKOTOJNË ASAMBLENË NË GJIROKASTËR
Vjen sinjali nga Gjirokastra, ku anëtarët e Shoqatës Rajonale kanë bërë të qartë se nuk do të shkojnë në asamblenë e thirrur nga FSHF, pa pasur ide të qartë se kush janë delegatët e kush votohet.
DATË 28.01.2022
ASAMBLEJA SHPIKET NGA FEDERATA
Mbahet asambleja e Shoqatës së Futbollit në Gjirokastër, shpiken delegatët dhe votohet për kryetarin e ri edhe pse u bojkotua nga shumica e anëtarëve.
DATË 31.01.22
AF LUFTËTARI, KALLËZIM SHULKUT DHE SADIKAJT
AF Luftëtari bën kallëzim penal në prokurori ndaj Ilir Shulkut dhe Sadik Sadikajt, me detyrë kryetar i Shoqatës së Futbollit Gjirokastër, me akuzën “falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre dhe ndërhyrje në sisteme kompjuterike”.
DATË 3.02.2022
KRYEMINISTRI RAMA PRET NË TAKIM CEFERININ
Presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, zhvillon takimin zyrtar me kreun e qeverisë, Edi Rama. Numri 1 i futbollit europian erdhi në Shqipëri për të diskutuar tema të ndryshme, ku ajo me shumë rëndësi ishte zhvillimi i finales së Ligës së Konferencës në muajin maj në “Air Albania”. Sigurisht, temë diskutimi kanë qenë edhe zgjedhjet për kreun e FSHF-së. Po ashtu, pas takimit me kryeministrin Rama, Ceferin ka pasur një takim tjetër kreun e FSHF-së, Armand Duka, në ambientet e stadiumit “Air Albania” dhe më pas e ka mbyllur me një vizitë në zyrat e reja të Federatës së Futbollit. Pas këtij takimi Ceferin është shprehur: “Fola me presidentin e FSHF-së dhe me kryeministrin, me të cilin ramë dakord se nuk do të ketë ndërhyrje politike në zgjedhje, që futbolli do të vendosë për futbollin dhe kjo është ajo që duam. Nëse UEFA nuk ndërhyn, askush tjetër nuk duhet të ndërhyjë në këtë proces”, ishin fjalët e Ceferin.
DATË 3.02.2022
REAGIMI I RAMËS
Gjithashtu, pas takimit ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama. “Takimi me presidentin e UEFA-s s’mund të ishte dot më i mirë për qëllimin e përbashkët të zhvillimit në Tiranë të finales së parë europiane në histori, si dhe të realizimit të një procesi të besueshëm për të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e reja të FSHF-së. ‘Fair Play’!”,shkruante Rama.
DATË 10.02.2022
GJYKATA NJEH PRODANIN KRYETAR TË SHOQATËS
Mes akuzave dhe padive ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit, Gjykata e Tiranës dha verdiktin e parë në lidhje me asamblenë e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, ku u zgjodh kryetari i saj Krenar Alimehmeti dhe gjashtë delegatët me të drejtë vote. Sipas gjykatës, asambleja është vlerësuar e manipuluar, një proces i parregullt dhe kryetari i zgjedhur është rrëzuar. Gjykata vendosi të njihte kryetar Eduard Prodanin dhe rrëzon Krenar Alimehmetin, kandidati i mbështetur nga presidenti aktual Armand Duka që u zgjodh në një proces të kontestuar, ku një pjesë e madhe e delegatëve braktisën mbledhjen pas rritjes së numrit të delegatëve. Sipas padisë, një pjesë e tyre ishin anonimë.
DATË 14.02.2022
MBËRRIJNË EKSPERTËT E UEFA-S
Mbërrijnë në Tiranë tre ekspertë të UEFA-s, Luka Nikola (shef i Qeverisjes së Federatave Anëtare në UEFA), Luka Zajc (shefi i Çështjeve Korporative) dhe Jan Hafner (ekspert i çështjeve statutore dhe rregulloreve) për të monitoruar të gjithë procesin zgjedhor dhe për të përgatitur një raport të detajuar.
DATË 17.02.2022
GJYKATA RRËZON ASAMBLENË E 2 MARSIT
Gjykata e Tiranës vendosi të pezullonte garën e FSHF-së në gjithë vendin derisa të shqyrtohen të gjitha shkeljet. FSHF-ja nuk mund të zhvillojë zgjedhjet pa u shqyrtuar të gjitha ankesat në gjykatë duke pezulluar mandatet në FSHF deri në shqyrtimin e manipulimeve. Kështu, i pavlefshëm ka dalë edhe Komisioni i Verifikimit dhe Komiteti Ekzekutiv. Me këtë vendim, mandatet e Armand Dukës, Ilir Shulkut, Koço Kokëdhimes mbeten të pezulluara deri në një vendim për shkeljet e dyshuara.