Shqipëria vazhdon të jetë vendi me të ardhurat më të ulëta për frymë në raport me PBB-në edhe për vitin 2022, me 34%. Mesatarja e Europës në këtë tregues është 100%.
Treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat të të ardhurat sipas fuqisë blerëse, pra sa fuqi paguese ka një familje shqiptare, e rendit vendin tonë përsëri në fund, me 55%.
Ndonëse renditet e fundit, për të ardhurat në raport me atë çfarë prodhon ekonomia në një vit dhe për çfarë mund të paguajë, shqiptarët shpenzojnë pjesën më të madhe të tyre për ushqime, njësoj si europianët.
Sipas Eurostat, shpenzimet nominale për frymë për ushqime në 2022 ishin 2 mijë euro, nga 1.700 euro në 2021, duke mos pasur ndonjë diferencë të lartë me mesataren e Bashkimit Europian prej rreth 2.300 eurosh.
Për bukën dhe drithërat, familjet shqiptare kanë shpenzimeve rekord në 4.3% të PBB-së, nga 1.2% që është mesatarja europiane. Edhe për mishin shkojnë 6% e të ardhurave që ekonomia qarkullon në një vit, ndërsa për familjet europiane mjafton vetëm 1.5%.
E njëjta tendencë është dhe për qumështin, djathin e vezët, e 5.1% të PBB-së në Shqipëri, nga 1% në Europë. Rekordi mbahet për frutat e perimet, me 11.9% të PBB-së, nga 1.5% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Me të ardhurat që janë më të ulëtat në Europë, në raport me atë që prodhon ekonomia në një vit, dhe çmimet që për pjesën më të madhe të produkteve janë sa në shtetet më të pasura, familjet shqiptare çojnë një pjesë të madhe të shpenzimeve të tyre për t’u ushqyer, në një tregues të varfërisë ekstreme.
Të dhënat e fundit të Eurostat bëjnë të ditur se shpenzimet nominale për ushqim, si përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Buto (PBB-vlera e mallrave dhe shërbimeve përfundimtare që prodhon ekonomia në një vit) ishte 31.2% e PBB-së në vitin 2022, nga 6.6% që është mesatarja e Bashkimit Europian.
Shifra është shumë më e lartë se shteti i dytë pas nesh, Mali i Zi (22.5%), ndërsa dhe Kosova e ka këtë tregues në 18.1% (në vitin 2020, që është shifra më e fundit e raportuar).
Në Maqedoninë e Veriut, shpenzimi për frymë për ushqime është 1,337 euro, në Serbi 1,230 euro, në Bosnjë 1,333, duke na e kaluar vetëm Mali i Zi, me 2115 euro.