Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Kombëtarja Shqiptare e bejsbollit në Amerikë

Mendrit Shehu – Shqiptari i parë që shkeli në Amerikë është një qytetar i paidentifikuar nga qyteti i Korçës i cili arriti në SHBA në vitin 1876. Pas tij në nëntor të vitit 1877 shkoi në Amerikë prifti shqiptar Prend Doçi. Për një periudhë relativisht të shkurtër një pjesë e emigrantëve shqiptarë, sigurisht më të zotët, arritën të zbulonin të fshehtat e funksionimit të ekonomisë së një vendi që ofronte mundësi pa kufi, ata filluan të merreshin edhe me tregti. Sipas gazetës  ‘Kombi’ deri në fund të vitit 1907 shqiptarët ishin shpërndarë në 12 qytete amerikane. Shumë domethënëse, për integrimin e shqiptarëve në SHBA ishin dhe reklamat që publikoheshin në faqet e gazetës ‘Kombi’, të cilat u bënin jehonë biznesmenëve shqiptarë që jetonin në qytete të ndryshme të Amerikës. Shumë interes paraqet edhe mënyra e jetesës së emigrantëve shqiptarë. Të gjithë bashkëfshatarët ose bashkëqytetarët grumbulloheshin si rregull, në të njëjtat qendra banimi. Kjo dukuri lidhet me faktin se një fshatar apo një qytetar shqiptar i ardhur në Amerikë kthehej shumë shpejt në një pikë tërheqëse për bashkëfshatarët apo bashkëqytetarët e tjerë .

Kryesisht pjesa më e madhe e shqiptarëve u përqendrua në shtetin e Nju Jorkut dhe në qytetet e Bostonit dhe Masachuset. Ndërkohë shqiptarët filluan të integroheshin edhe në jetën amerikane dhe brenda pak viteve ngritën në këmbë bizneset e tyre që konsistonin kryesisht në sektorin e shërbimeve.

Emigrantët në SHBA formuan skuadrën në sportin e panjohur

“Që të kuptohet se sa e përparuar dhe energjike ka qenë kolonia Shqiptare e Southbridge-it, e tregon piktura e BaseBall Team-it të djalërisë me emrin e famshme të ati Burrit mundës që vajti gjer në muret e Romës, PIRUA”. Kështu nis shpjegimi i autorit të librit “Memorial i kishës shqiptare Shenjt’ Kollit, 1932” mbi skuadrën e krijuar nga shqiptarët në bejsboll.

Ndonëse e përbërë nga vetëm emigrantë, Shqipëria ka pasur kombëtaren e vet të bejsbollit e cila na ka përfaqësuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo skuadër sponsorizohej pikërisht nga organizata patriotike ‘’VATRA’’ e cila luajti një rol shumë të madh në arenën ndërkombëtare asokohe duke qenë një zë i fuqishëm në mbrojtje të kombit shqiptar. Lojtarët e këtij ekipi vinin nga Manchester New Hampshire.

Dega Nr.4 u themelua më 2 qershor 1912 nga Faik Konica me kryetar më pas të Theodhos Spiro, sekretar Josif Toli, arkëtar Llambi Vangjel Polena dhe anëtarë, Haxhi Ademi, Spiro Postoli dhe Josif Blushi. Dhe vetëm 5 vjet më vonë po kjo degë arrinte të krijonte skuadrën e parë shqiptare në sportin e bejsbollit. Organizimi dhe pjesëmarrja e këtij ekipi në kampionatin amerikan të bejsbollit zgjoi në një farë mënyre edhe dëshirën emigrantëve të tjerë shqiptarë në shtete të ndryshme të Amerikës.

Federata mori emrin Albanian Athletic Association. Stema ishte e rrumbullakët me fushë të kuqe dhe me shkronja të zeza A.A.A dhe P në mes, vepër e disa emigrantëve shqiptarë në Southbridge Masachusest në vitin 1924. Themeluesit e kësaj federate ishin Vasil Apostol dhe Stavre Lazar, që të dy pjesëtarë edhe të skuadrës së bejsbollit. Ndërsa zyrtarë të shoqërisë u zgjedhën Petraq K. Spiri, kryetar; Ligor Tassi, sekretar; Spase Zissi, arkëtar; Todi Monka, Vasil Apostol dhe Stavre Lazar, kontrollorë. Ndërkaq trajner i skuadrës u vu si fillim Vangjel Pando Dishnica dhe më vonë Gjoke M. Pasko.

Në vitin 1925, pra ca muaj pas krijimit, kjo skuadër mori pjesë edhe në kampionat, duke zhvilluar plot 10 ndeshje. “PIRUA” në përballjet e atij viti ndaj skuadrës nga Connecticat-i pati fituar gjashtë takime dhe humbur katër të tjera, edhe pse kishte më pak eksperiencë se kundërshtari. Një vit më vonë, më 1926, kampionatit iu shtuan të tjera skuadra (jo vetëm shqiptare), por gjithsesi skuadra “PIRUA” arriti të fitonte katërmbëdhjetë ndeshje nga gjashtëmbëdhjetë të zhvilluara.

Ndërsa 1927 rezulton një rikthim në origjinë për “PIRUA” përderisa skuadra zhvilloi vetëm tetë ndeshje duke fituar vetëm katër. Arsyeja kryesore ishte largimi i disa lojtarëve për shkaqe personale çka solli më pas edhe shpërbërjen e skuadrës e cili nuk mundi të merrte pjesë në kampionatin e 1928-ës.

Për tu theksuar qëndron fakti se thuajse gjithë pjesëtarët e kësaj skuadre ishin edhe pjesë e kishës së Shenjt Kollit e cila luajte rolin e financueses së ekipit. Pas largimit të një pjese të mirë të të rinjve nga kjo kishë përfundoi edhe aktiviteti i Pirua.  Ngritja e një skuadre të tillë përbën një arritje të madhe për faktin se Shqipëria, jo vetëm atëherë por edhe tani nuk ka pasur ndonjë lidhje me këtë sport tipik amerikan.

Ndërsa nuk ka shumë të dhëna të tjera mbi ndeshjet që mund të ketë zhvilluar kjo skuadër në ato vite, por mjafton fakti që Shqipëria, një ndër shtetet më të reja të botës kishte ndër të parat skuadra (për të mos thënë të parën kombëtare) që e përfaqësonte në një disiplinë sportive në botë. Ashtu sikundër bejsbolli, deri para fillimit të Luftës së Dytë Botërore shqiptarët patën përfaqësuar vendin tonë edhe në sporte të tjera të rralla si tenisi, golfi e vaterpolo. Ndërsa bejsbolli, përveçse nga shqiptarët e Amerikës nuk arriti asnjëherë të luhej në vendin tonë.

LAJME TË TJERA >>