Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on whatsapp
Share on pinterest
Share on telegram
Share on reddit
Share on vk
Share on email
Share on print

Koha që NATO të ndërhyjë ushtarakisht në Ukrainë

Trupa të pajetë që dergjen rrugëve. Civilë me duart e lidhura nga pas, të ekzekutuar, dhe të varrosur përgjysmë në varreza masive. Nuk ka asnjë përshkrim të duhur për imazhet që vijnë nga qyteza e Bucha në rrethinat e Kievit përveç një fjalë të vetme: Tmerr.

Ato janë krime kundër njerëzimit, për të cilat përgjegjës është presidenti rus Vladimir Putin.

Prandaj shpërthimi i papritur i gëzimit midis ukrainasve, kur panë tërheqjen e trupave ruse nga rajoni përreth Kievit fundjavën e kaluar ishte shumë i shkurtër.

Tanimë është e qartë se çfarë nënkupton Putin kur flet për “çlirimin” e popullsisë ukrainase nga një “regjim nazist”. Ndërkohë, politika gjermane po shfaqet e tronditur. Por në fakt nuk ka “asgjë të re në frontin perëndimor”. “Imazhet nga Bucha më tronditën shumë, na shokuan thellë të gjithëve”- deklaroi presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier.

Një momenti i ngjashëm me masakrën e Srebrenicës?

Të gjithë udhëheqësit, nga Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, deri tek kancelari gjerman Olaf Scholz, janë dakord se tani sanksionet kundër Rusisë duhet të forcohen, dhe se përgjegjësit për këto masakra duhet të dalin para drejtësisë.

Që të dyja janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë. Duke parë ngurrimin e madh sidomos në Berlion për vendosjen e një embargoje kundër gazit dhe naftës ruse, apo sasitë qesharake të armëve që ka premtuar Gjermania për Ukrainën dhe që nuk u dhanë kurrë, nuk mund të mos e pyesim veten: A është kjo vërtet gjithçka që mund të bëhet?

Disa kanë folur prej kohësh për “një moment të ngjashëm me Srebrenicën”. 30 vjet më parë, masakra e Srebrenicës gjatë luftës në Jugosllavi shkaktoi ndërhyrjen ushtarake të NATO-s kundër Serbisë. Tani krahasimi i një rrethane historike me një tjetër ka gjithnjë të metat e saj.

Kjo pasi historia nuk përsëritet saktësisht njëlloj. Por pyetja është se edhe sa civilë të masakruar, sa përdhunime dhe kufoma femrash gjysmë të varrosura do të duhen përpara se Perëndimi të thotë: Mjaft më! Frika e vazhdueshme nga përshkallëzimi i konflikti, i bën gjërat shumë të lehta për Putinin. Hezitimi është e kundërta e vendosmërisë, dhe kjo është pikërisht ajo që nevojitet për një parandalim të suksesshëm.

Riarmatimi fals që premtoi Scholz

Euforia që rrethoi në fillim të ashtuquajturën “Zeitenwende” ose kthesë në politikën e jashtme gjermane, me premtimin e kancelarit Olaf Scholz për ta riarmatosur Gjermaninë, u shua shumë shpejt. Me sa duket Gjermania, është e dënuar të ecë me ritmin e breshkës në këtë aspekt.

Dhe një dështim pason tjetrin. Përmbushja e objektivit të NATO-s për të shpenzuar të paktën 2 për qind të PBB-së së vendit për mbrojtjen, si dhe garantimi për Bundeswehr-in i një fondi special duhet të jetë një çështje e natyrshme.

E njëjta gjë vlen edhe për vendimin për të furnizuar me armë Ukrainën, në kundërshtim me vitet e një doktrine pacifiste naive. Por vetëm për armë mbrojtëse. Dhe as kjo ndihmë nuk po shkon siç duhet, teksa dërgesat e armëve gjermane vonojnë për javë të tëra.

Pra, ndërsa Vladimir Putinit po i jepet koha e mjaftueshme për t’u përgatitur për sanksionet e ardhshme, dhe njerëzit argumentojnë nëse do të ishte e pranueshme të vendosej një embargo kundër naftës dhe gazit rus, jashtë tryezës është lënë ende një opsion vendimtar. Nuk mund të jetë më tabu të mendohet për ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Jo për ta sulmuar Rusinë, por për të mbrojtur Ukrainën dhe lirinë që ajo përfaqëson. 

LAJME TË TJERA >>